Në dy muaj, 164 ankesa për tenderët, kompanitë: Faji i institucioneve
Kompanitë që ofrojnë shërbimin me roje private, si dhe shoqërimin e vlerave monetare, nuk kanë shpëtuar as këtë vit nga problematika e përplasjes me insitucionet pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Në harkun e dy muajve janë bërë të paktën 164 ankesa vetëm për shërbimin me roje private, ndërkohë që shifra është shumë më e lartë, nëse shtojmë këtu edhe shoqërimin e vlerave monetare.
Praktika e ankesave për këtë treg ka të paktën tre vjet që është kaq evidente dhe Agjencia e Prokurimit Publik, së bashku me Komisionin e Prokurimit Publik kanë hartuar çdo mbyllje viti nga një udhëzues me rekomandime për mënyrën sesi duhet të zbatohet procedura, si duhet të parashikohen fondet e një seri sqarimesh të tjera. Rezultati? Ankesat sa vijnë e janë më të mëdha vit pas viti.
Kompanitë e tregut denoncojnë problematikat
Duke parë morinë e ankesave pranë Komisionit të Prokurimit Publik për këtë lloj procedure, “Monitor” u interesua pranë disa prej kompanive të tregut për të kuptuar se cila është arsyeja. Kompanitë parashtruan në seri disa arsye dhe pika e takimit të tyre lidhej me specifikimet favorizuese që bëhen nga autoritetet kontraktore për disa operatorë dhe përjashtimi për të tjerë. Institucione të ndryshme kanë “të preferuar” të ndryshëm.
“Kur hapet procedura, ne dorëzojmë të gjithë ofertat tona. Problemi nuk qëndron te ligjet, pasi ato janë të plota dhe saktësojnë edhe mënyrën sesi duhet të hartohen preventivat dhe çdo detaj tjetër, por institucione të ndryshme zbatojnë standarde të ndryshme. Pra mbi të njëjtin kuadër hartohen specifikime që favorizojnë një operator dhe përjashtojnë disa të tjerë. Deri diku është një sjellje klienteliste që vazhdon prej vitesh. Kjo është arsyeja pse pastaj ka ankesa të shumta në Komisionin e Prokurimit Publik”, – thanë burime pranë kompanive të sigurimit fizik.
Të njëjtat nënvizojnë se, edhe pse APP dhe KPP kanë hartuar udhëzues, në shumicën e rasteve, ai nuk merret parasysh nga autoritetet kontraktore. Një pjesë e mirë e atyre që hartojnë dokumentet në këto institucione, sipas përfaqësuesve të kompanive të sigurimit fizik, nuk kanë njohuritë e duhura mbi kuadrin ligjor, duke krijuar amulli pas amullie me procedurat që shpallin dhe që pastaj zvarriten nëpër procedura ankimi. Zgjidhja? Të gjithë operatorët pranë të cilëve ne u interesuam kanë vetëm një sugjerim për dhënien fund të kësaj situate që përsëritet prej vitesh.
“Të zbatohet ligji dhe vetëm ligji. Institucionet shtetërore të unifikojnë procedurat e tyre, duke respektuar të njëjtin standard. Kemi parë që ka përpjekje të vazhdueshme për t’i dhënë fund kësaj problematike, por vlen të themi që në asnjë rast, APP dhe KPP nuk janë konsultuar edhe me ne, kompanitë e sigurimit fizik, për të kuptuar ku vërtet çalon puna. Nuk mund të hartosh udhëzime e rekomandime të tëra dhe të kesh në fund të njëjtin rezultat”, – nënvizojnë kompanitë.
A ka shumë kompani për treg si Shqipëria
Disa prej operatorëve shprehen se tregu i sigurimit fizik është zgjeruar dhe konkurrenca mes operatorëve është bërë më e ashpër. Kjo ka bërë që nevoja për mbijetesë të bëjë që në shumë raste të kundërshtohen vendimet e komisioneve të vlerësimit të ofertave në autoritetet kontraktore, që shpallin fituese njërën ose tjetrën kompani.
“Realisht ne jemi shumë kompani që operojmë në këtë treg dhe kjo e ka bërë edhe konkurrencën më agresive. Normalisht procedurat shfaqin problematika herë pas here, por edhe fakti që të gjithë duam të punojmë, na bën që të jemi më të ndjeshëm ndaj vendimeve që marrin institucionet”, pohojnë operatorët e tregut. Por edhe pse numri i tyre është i madh, kompanitë gjykojnë se ka vend për të gjithë, pasi kërkesa për shërbimin e sigurisë fizike është në rritje, jo vetëm nga institucionet publike, por edhe ato private.
Rekomandimet e nxjerra në fund të 2017-s
Për t’i paraprirë situatës në vitin 2018, Agjencia e Prokurimit dhe Komisioni i Prokurimit nxorën një set me rekomandime për insitucionet që kishte në objektiv: shmangien e vonesave në prokurim, reduktimin e numrit të ankesave, shmangien e gabimeve në llogaritjen e fondit limit. Në fakt, pjesën e ankesave ky rekomandim nuk e ka ezuruar dot. I njëjti udhëzues u kërkonte institucioneve që të llogarisnin pagën minimale në vitin 2018, sipas ndryshimit që iu bë vitin e kaluar në vlerën 24 mijë lekë, por që për punonjësit e shërbimit fizik është 36 mijë lekë.
“Paga bazë minimale mujore të jepet për 174 orë pune në muaj, të kryera gjatë kohës normale të punës. Paga bazë minimale orare të jetë 138 lekë. Sqarojmë se paga bazë minimale mujore e punonjësve të shërbimit privat të sigurisë fizike është 36 mijë lekë dhe jepet për 174 orë pune në muaj. Në këtë kontekst, rekomandojmë që llogaritjet të kryhen në bazë të pagës orare 206.89 lekë”, thuhej në rekomandimin e APP dhe KPP.
Në dokument kërkohej që autoritetet kontraktore të mos përllogarisin shpenzimet për uniformën, si dhe të mos kërkohej paraqitja e mjeteve ndihmëse, si për shembull elektrik dore, pasi këto kritere përmbushen nga shoqëria që në momentin e licencimit të saj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.