Ligjshmëria në qarkullimin e mjeteve në vend mbetet e cenuar prej numrit të lartë të automjeteve që janë të regjistruara, por që nuk e kryejnë kontrollin teknik vjetor.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Transportit në vitin 2016 ishin të riregjistruara 563,106 mjete rrugore, por procedurën e kontrollit teknik dhe pagesën e taksave të përcaktuara me ligj, e kanë kryer gjithsej 401,499 mjete rrugore, ose rreth 28,7 % më pak.
Të njëjtat burime pohojnë se kjo shifër kjo që nga viti në vit vjen duke u zvogëluar, por përsëri është shumë e lartë.
Ministria e Transporteve në një analizë të posaçme për sigurinë rrugore në vend , pohon se rritja e numrit të mjeteve rrugore pa u paraprirë nga planifikime të mirëfillta të zonave urbane, dhe në mungesë të fasiliteteve për këmbësorët dhe çiklistët, çon në rritjen e rrezikut të tyre në përfshirjen në aksidente rrugore, dhe uljen gjithnjë e më shumë të numrit të udhëtimeve të pamotorrizuara dhe të transportit publik.
Vitin e kaluar 719 persona u përfshinë në aksidente të rënda rrugore, kur 269 prej tyre humbën jetën.
Ministria e Transportit analizon se aksidentet rrugore me vdekje, në rastet më të shumta kanë ndodhur gjatë ditës, në rrugë të drejtë, të thatë dhe të asfaltuar, si dhe 59,8 % në zonat urbane.
Shkaqet kryesore të ndodhjes së aksidenteve rrugore janë shpejtësia mbi normat e lejuara, tërheqja e vëmendjes gjatë drejtimit të mjetit, besimi i krijuar mbas një periudhe 9 vjeçare në drejtim mjeti dhe mos zbatimi i rregullave të qarkullimit nga këmbësorët me mjete me moshë relativisht të madhe.
Nga analiza e aksidenteve me humbje jete, shkaqet kryesore të ndodhjes janë radhitur për 2016
a-Shkelje e rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjetit. (tejkalimi i shpejtësisë tej normave të caktuara 71.4 % dhe mos respektimi i rregullave të qarkullimit si: tërheqje e vëmendjes gjatë drejtimit të mjetit, parakalime të gabuara, mos mbajtje krahu, mos respektim i distancës ndërmjet mjeteve, mos respektim i sinjalizimit rrugor, ngjarje mjeti i pa pajisur me leje drejtimi në 14,6 % të rasteve, etj).
- mos zbatim i rregullave të qarkullimit nga këmbësorët. (befasi, pakujdesi, kalim rruge pa kujdes, mosrespektim sinjalizimi rrugor etj).
- për të meta teknike të mjeteve (automjete të përfshira në aksidente që nuk e kanë kryer kontrollin teknik vjetor të detyrueshëm 2,8 %).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.