Tregu i sigurimeve të Jo – Jetës gjatë periudhës janar – korrik 2014 u rrit me 40% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare volumi i primeve të shkruara bruto arriti në 5.7 miliardë lekë, shifër e cila tregon se ky segment përbën rreth 90% të totalit të tregut. Ajo që vihet re se nga të dhënat e raportit mujor të AMF-së është se gjatë 7-mujorit 2014, numri i kontratatave të Jo – Jetës pësoi rënie me rreth 3%, kjo tregon se janë shitur më pak polica sigurimi dhe me një vlerë më të lartë. Natyrisht këtu bëhet fjalë më së shumti për sigurimin e detyrueshëm motorik, primet së së cilit u rritën me rreth 74%.
Tarifat e policave të këtyre sigurimeve që u rritën vetëm pak kohë më parë me rreth 30% rritën ndikuan në rritjen e të ardhurave për kompanitë që operojnë në këtë segment. Por, pavarësisht kësaj situate shoqëritë e sigurimit nuk kanë qenë të afta që të paguajnë dëmet. Vlera e paguar është ulur me rreth 2.4% gjatë periudhës janar – korrik 2014, krahasuar me të njëjtën e një viti më parë. Kjo nuk shpjegohet as me uljen e rasteve të dëmeve të raportuara, që për 7 – e këtij viti është rritur me 16% krahasuar me një vit më parë. Dëme në fakt ka pasur më shumë, por sigurimet kanë zhdëmtuar më pak. Shifrat tregojnë qartë se kompanitë shqiptare të sigurimeve paguajnë shumë më pak për dëmet në krahasim me tregjet e tjera.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, për shtatë muajt e parë të këtij viti, raporti mes dëmeve dhe primeve ishte 24.6%, ndërkohë që duhet të jetë në nivelin 50% – 75%.
Nëse do të ndalemi te ecuria e primeve të shkruara bruto sipas kompanive, sipas të dhënave të raportuara nga AMF-ja shohim se është INSIG që ka pasur rritjen me të madhe me rreth 89%, që ndiqet nga Albsig me rreth 73% dhe Intersig VIG me rreth 61%.
Sigal Uniqa Group Austria vazhdon të kryesojë tregun e Jo – Jetës, por gjatë periudhës janar – korrik 2014, përqindja e zotërimit është ulur në rreth 28.5% nga rreth 31% që zinte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe INSIG ka arritur të përmirësojë pozicionimin në treg, duke zotëruar rreth 7% nga rreth 5% që zinte një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.