Siç u bë e ditur pak ditë më parë, kompania suedeze Spotify prezantoi versionin e ri të aplikacionit të saj për sistemin operativ iOS dhe Android për përdoruesit që nuk janë të abonuar.
Risia kryesore e Spotify Free është mundësia të dëgjoni këngë on-demand (sipas dëshirës) të përfshira në lista muzikore të personalizuara. Me fjalë të tjera, dëgjimi i këngëve nuk ndodh në mënyrë të rastësishme.
Versioni i mëparshëm pa pagesë shmangte regjistrimin e abonimit tek Spotify Premium (9,99 euro në muaj), por përdoruesit duhej të “suportonin” dëgjimin e këngëve në mënyrë të rastësishme (shuffle mode), përveçse edhe reklamave (ende të pranishme). Versioni i ri pa pagesë, i prezantuar në një event të organizuar në Nju Jork, ofron një përvojë më të mirë përdorimi dhe një liri më të madhe zgjedhje. Tek Home, tani shfaqen të gjithë këngët e dëgjuara në pjesën e sipërme dhe një playlist që ju këshillohet në pjesën e poshtme. Në total janë 15 playlist-a.
Pasi të keni zgjedhur listën muzikore, ju mund t’i dëgjoni këngët sipas dëshirës dhe mund të kaloni nga një këngë te tjetra pa kufizime. Në fillim Spotify Free do t’ju kërkojë të zgjidhni artistët e preferuar dhe të filloni të krijoni playlist-a të personalizuara sipas shijes, si për shembull Daily Mix, Discover Weekly apo Release Radar. Këto playlist-a përditësohen vazhdimisht gjatë dëgjimit.
Duke qenë se Spotify Free nuk ju lejon të shkarkoni këngë për dëgjimin e tyre offline, kompania suedeze ka shtuar funksionin Data Saver që redukton konsumin e të dhënave deri në 75% duke mos ndikuar në cilësinë e dëgjimit.
Numri i përdoruesve pa pagesë të Spotify arrin në 90 milionë, ndërsa numri i përdoruesve me pagesë, 71 milionë. Kompania synon që numri i përdoruesve të rritet në 200 milionë në muaj deri në fund të vitit.