Pjesa më e madhe e shoqërive më në zë në fushën e sigurisë informatike, në raportet e tyre respektive për tremujorin e dytë të vitit 2017, arrijnë në një përfundim: rritja e sulmeve nga hacker-at. Kjo konfirmon edhe rritjen, mbi të gjitha, të ransomware, nga të cilat janë goditur kryesisht kompanitë.
Check Point, shoqëria izraelite për sigurinë kibernetike, rendit në vendet e para WannaCry, ransomware e tmerrshëm, që duke filluar nga maji i vitit të kaluar, ka mbjellë panik në të gjithë botën, duke u përhapur në mënyrë shumë të shpejtë. Edhe Kaspersky, një ndër ekspertët më të rëndësishëm në zgjidhje të sigurisë informatike, rendit në vendet e para WannaCry.
Statistikat tregojnë edhe të dhëna të tjera, që duhet t’i bëjnë të reflektojnë në mënyrë të veçantë kompanitë – kanali kryesor i përdorur nga hacker-at për të përhapur viruset janë email-et. Sipas Symantec, në korrik, ka pasur një fluks të madh të malwarei të dërguar nëpërmjet postës elektronike.
Ransomware parapëlqejnë email-et
Në vend të parë, ndër tipologjitë e malware të transmetuara në email-e gjenden ransomware. Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Proofpoint, ky virus kërcënues është gjetur në 68 për qind të mesazheve në postën elektronike që përmbajnë çdo formë të programit dashakeq.
Gjithnjë sipas statistikave të Proofpoint, në vend të dytë, pas ransomware është banking trojan, virus që ka si objektiv vjedhjen e kredencialeve bankare të viktimave.
“Kali i Trojës” bankar më i përhapur nëpërmjet email është Dridex. Sipas CheckPoint, nëse merren në konsideratë të gjithë mjetet e përdorura nga hacker-at, banking trojan i parë ka qenë Zeus.
Kompania izraelite siguron të dhëna edhe për viruset më të rrezikshëm që kërcënojnë celularët. Më i keqi është Hiddad, një virus i cili gjendet në brendësi të kopjeve të aplikacioneve më popullore të publikuara nga ‘store’ jozyrtarë. Në vend të dytë gjendet HummingBad, ndërsa Lotoor e Triada renditen në vend të tretë. Statistikat konfirmojnë një aktivitet në rritje kriminal nga hacker-at, që me shumë mundësi do të vijojë të rritet në muajt e ardhshëm. Të dhënat janë shqetësuese veçanërisht për kompanitë, të cilat e kanë përqendruar vëmendjen në revolucionin e katërt industrial, por janë të shpërqendruara nga rreziqet e transformimit dixhital.
———-
*Ransomware është një lloj softueri dashakeqes nga kriptovirologjia që kërcënon të publikojë të dhënat e viktimës ose të bllokojë aksesin në të derisa të paguhet një shpërblim