Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pranoi se shtrirja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe tek biznesi i vogël ka shkaktuar pezullimin dhe mbylljen e shumë bizneseve, por sipas administratës tatimore e gjitha kjo është një skemë për t’i shpëtuar taksës.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga fillimi i vitit kanë kaluar në status pasiv mbi 2500 biznese me një mesatare prej 50 biznesesh në ditë, ndërkohë që kanë mbyllur fare aktivitetin qindra të tjera.
Por, tatimet thonë se në shumë raste pas pezullimit apo mbylljes së një biznesi, hapet një tjetër po në të njëjtin vend nga njerëz të afërm me pronarin e biznesit të mëparshëm.
Administrata thotë se kjo skemë nuk do të tolerohet dhe të gjitha bizneset që mbyllen do të verifikohen në mënyrë të hollësishme. Sipas tatimeve, nëse rezulton se pas mbylljes në të njëjtin vend do të hapet një tjetër biznes nga njerëz të afërm me pronarin, atëherë ai do të regjistrohet automatikisht në skemën e TVSH-së.
Madje sipas tatimeve, biznesit të ri do t’i ngarkohen edhe detyrimet tatimore që mund të ketë patur biznesi i mëparshëm, jo vetëm për taksat e papaguara, por edhe gjobat.
Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.