Nga një industri eksportuese, prodhimi i vezeve nuk po arrin të përmbushë as kërkesat e brendshme. Ikja e kompanisë Floryhen nuk po arrin të shfrytëzohet nga kompanitë e tjera. Çmimi në treg ka arritur nivelin rekord 18 lekë/kokërr vezë, ndërsa prodhimi ka rënë katër herë krahasuar me vjet
Asnjë herë më parë çmimi i vezës nuk kishte arritur këto nivele në tregun shqiptar. Në më pak se dy muaj kostoja në treg për një kokërr vezë kërceu me rreth 40% për t’u tregtuar aktualisht me 18 lekë. Çmimi i kësaj proteine të lirë shtrenjtohet ndërkohë që nuk ka ndonjë lajm të bujshëm për rritjen e theksuar të kostove të ushqimit për pulat. Për më tepër shtrenjtimi i këtij produkti bazë, vjen ndërkohë që ccmimet e shumë produkteve të tjera janë në ulje. Në 3-4 vitet e fundit, po të keni vënë re me kujdes, çmimi i vajit, sheqerit, orizit, apo disa prodhimeve të tjera ka ardhur në rënie të vazhdueshme, e kjo e bën edhe më të dukshme në sytë e konsumatorit tendencën tërësisht të kundërt të vezëve.
Përgjigjia e parë e sipërmarrësve për shtrenjtimin e çmimit është kostoja e rritur e drithërave dhe lëndëve bazë për ushqimin e pulave. Por, kur çmimi i produkteve të tjera, të cilat kanë për bazë drithërat, nuk ka ndryshuar (si për shembull buka, qumështi, apo mishi), lë të kuptojë që edhe nëse këtu ka pak të vërtetë, ajo nuk është arsyeja kryesore e rritjes së çmimit.
Faktorët e vërtetë gjenden në tregun e brendshëm, tek prodhimi. Ulja e filluar e prodhimit gjatë vitit të kaluar u thellua më tej këtë vit.
Gropa e madhe që u krijua në tregun e vezëve me shpalljen e falimentimit të kompanisë Floryhen, jo vetëm nuk është arritur të mbushet nga kompanitë e tjera, por është thelluar më tej. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, sasia e prodhimit vlerësohet të jetë ulur me disa herë këtë vit, nga 830 milionë kokrra vezë të prodhuara në vend gjatë vitit të kaluar. Një vit më parë, në 2012 niveli i prodhimit vlerësohej të ishte mbi 1.1 miliardë kokrra vezë.
Prodhimi në 2014 pritet të bjerë 76%
Oferta e kufizuar për shkak të dobësive financiare të disa prej kompanive prodhuese në treg, po bën që kompanitë e tjera të fitojnë pa “u lodhur” shumë për të përshkruar rrugën tregtare të shtruar nga Floryhen, apo kompanitë e tjera të mëdha. Sipas vlerësimeve zyrtare, pas largimit të kësaj kompanie nga tregu nuk rezulton të ketë pasur sipërmarrje të tjera që janë detyruar të largohen, por ndërsa shifrat mbeten njësoj tkurrja ndjehet në treg.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë në të gjithë vendin janë 15 pulari të prodhimit të vezëve. Por prodhimi ka shënuar rënien më të madhe duke zbritur nga 830 milionë kokrra vitin e kaluar në rreth 200 milionë që pritet të mbyllet ky vit, me një rënie prej 76%.
Eksportet bien 4 herë
Veza ishte ndër të paktat produkte, për të cilat mund “të mburreshim” për tregti suficitare. Edhe kur shumë shumë produkte të tjera bazë importoheshin për të përmbushur pjesën më të madhe të konsumit vendas, vezët e prodhuara në Shqipëri, mbërrinin jo vetëm në rajon por edhe në tregun italian. Por, me mbylljen e Floryhen “autostrada” e eksporteve në Itali u zëvendësua me një shteg të ngushtë që zinte vetëm 4% të eksportit të vezëve. Sipas të dhënave të tregtisë së Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit të kaluar, mbi gjysma e eksporteve shkoi në Kosovë. Së bashku me Greqinë krijojnë dy tregje që marrin mbi 90% të totalit të eksportit të vezëve. Por, situata e përkeqësuar e eskporteve nuk ndalet këtu. Gjatë nëntë mujorit të parë të këtij vitit eksportet ranë saktësisht katër herë krahasuar me të njëtën periudhë të vitit 2013, pas një tkurrjeje po kaq të madhe të shënuar një vit më parë krahasuar me 2012-n, vit kur u shënua edhe kthesa e madhe negative në tregun e prodhimit të vezëve.
Shkëlqimi dhe venitja e një industrie në pak vite
Nëse na duhet pranojmë se sipërmarrësit e pularive po fitojnë në treg, pasi po shesin me shtrenjtë se asnjëherë, kjo nuk do të thotë se industria është në ditët e saj më të mira. Së pari për faktin se rritja e çmimit me ofertën e vogël tregon për një paaftësi të tyre për të fituar terrenin e lënë djerrë nga konkurrenti i tyre i falimentuar, së dyti klientët po i bëjnë gjithnjë e më shumë llogaritë, dhe nuk përjashtohet mundësia e blerjes së dy apo tre kilogram perimeve në vend të një kutie me 10 kokrra vezë. Së treti, edhe teorikisht, rregulli më e mirë për të dyja palët dhe më jetëgjatë në treg do të ishte ajo e fitimit më të ulët për njësi, ndërsa shiten sasi të mëdha. Në fakt, në shitje po ndodh e kundërta. Prodhuesit po fitojnë më shumë për njësi, por jo më shumë se më parë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, cikli i shkëlqimit dhe zbehjes së këtij sektori zgjati vetëm një dekadë. Nga një prodhim kombëtar prej 260 milionë kokrrash vezë në vitin 2005, në vitin 2011 u arrit në 1 miliard, aq sa kompanitë e mëdha filluan të eksportonin vezën gjysmë të gatshme për industrinë e brumërave (albuminën). Për të shkuar më tej me planin e prodhimit të energjisë për nevojat e kompanisë apo një grupi fabrikash në atë zonë, përmes impiantit të djegieve të mbetjeve që krijoheshin në pulari. Në pak vite, Shqipëria ndryshoi tërësisht raportet tregtare të prodhimit të vezëve. Nga një vend importues i këtij produkti, u kthye në eksportues serioz i vezëve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në sajë të 15 impianteve të përqendruar, që prodhojnë rreth një të tretën e prodhimit total të vezëve, është siguruar prodhim në rritje deri në vitin 2012. Kjo ka bërë që eksporti i vezëve nga viti 2005 deri në 2012-n të rritet me rreth 30 herë, ndërsa importi, për të njëjtën periudhë, ka njohur ulje me rreth 17 herë.
Fermat me shpendë, e veçanërisht ato me pula, zënë peshën më të madhe të fermave blegtorale në tërësi. Vetëm për vitin 2011 kishim rreth 274 mijë ferma me pula, me rritje prej 1.5% krahasuar me vitin 2010. Numri i krerëve ishte rreth 6.6 milionë në vitin 2011 nga 5.2 milionë në 2010, si dhe me një rritje prej 60% krahasuar me vitin 2000. Kemi një prodhim prej 858 milionë kokrra në vitin 2011, me një rritje prej 1.5% krahasuar me vitin 2010. Për vitin 2012, prodhimi total i vezëve nga pularitë dhe fermat e shpendëve vlerësohet t’i ketë kaluar 1 miliard kokrra. Por, pas kësaj periudhe, sektori po tkurret me nxitim, çka mund të vërtetojë edhe paralajmërimin e prodhuesve për rritje të mëtejshme të çmimit të vezëve. Sipas, kostot mund të rrisin çmimin e vezës deri në 20 lekë/kokërr.
Çfarë po ndodh në botë
Proteina e lirë po rritet në vendet në zhvillim
Si një burim i përkryer i proteinash, e lehtë për t’u gatuar dhe me çmim të arsyeshëm, veza konsumohet në shumë vende të botës. Ajo shihet si një zëvendësues i mirë i proteinave të shtrenjta si p.sh., mishi i kuq. Ndaj, konsumi dhe prodhimi i vezëve po rritet me ritme të shpejta në vendet në zhvillim. Në tregjet kryesore konsumatore, çmimi për të njëjtën sasi proteinash të marra përmes mishit është deri në 15 herë më i lartë, sipas të dhënave të tregut.
Sipas një studimi të realizuar nga Departamenti i Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara, numri i pulave prodhuese të vezëve një vit më parë është vlerësuar në 6.5 miliardë krerë, duke prodhuar diçka më shumë se 70 milionë tonë vezë në vit. Azia është rajoni me produktivitetin më të lartë të këtij produkti, sipas të dhënave të tregut. Në të gjithë rajonin e Azisë vlerësohet të jenë prodhuar mbi 44 milionë ton vezë. Por, Kina këto vitet e fundit ka pësuar peshën më të madhe të rritjes, duke u bërë prodhuesi dhe konsumatori më i madh në botë i “proteinës së lirë”. Sipas të dhënave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqimin edhe në Kinë janë prodhuar gati 35 milionë tonë vezë (rreth 50% të prodhimit botëror të vezëve). Sipas të dhënave të bujqësisë (FAO), në Europë janë prodhuar rreth 11 milionë tonë ndërsa në Amerikën e Veriut gati 8.2 milionë tonë.
Dhjetëvjeçari mes 1990-2000 shënoi rritjen më të madhe të këtij tregu në botë, me 50%. Kjo rritje është kryesisht pasojë e zhvillimit të sektorit të pularisë dhe rritjes së prodhimit në vendet në zhvillim.
Dhjetë vendet kryesore prodhuese të vezëve në botë e kanë rritur sasinë e prodhimit të vezëve me rreth 65% gjatë kësaj periudhe. Norma më e lartë e produktivitetit për fermë, sipas organizatave jofitimprurëse të ushqimit është në Danimarkë, Francë, Suedi, Republikën Çeke dhe Meksikë. Në periudhën 2007-2012, konsumi dhe prodhimi botëror i vezëve u rrit me 17%, duke arritur në një mesatare të konsumit për frymë në 140 vezë/vit. Megjithatë niveli i konsumit për frymë ndryshon dukshëm nga një vend në tjetrin. Në vendet e zhvilluara, niveli i konsumit rezulton të jetë mbi 200 kokrra vezë për frymë në vit (duke llogaritur edhe sasinë e konsumit përmes produkteve me bazë vezën). Në të njëjtën kohë, në vendet e Afrikës, çdo banor konsumon më pak se 40 kokrra vezë.
Sipas të dhënave të FAO-s, konsumi i vezëve është rritur mesatarisht me rreth 7.5% në vit në vendet në zhvillim. Në vendet e zhvilluara, norma e rritjes së konsumit është 0.16%, sipas të dhënave të FAO-s.
Kina, prodhuesi kryesor
Vezët janë ndër produktet kryesore të dietës së kinezëve. Ato konsumohen në të gjithë vendin dhe gjenden në çdo cep të pjesët e tregut: supermarkete, dyqane me produkte të përziera ushqimore dhe te shitësit e rrugës.
Rritja e prodhimit ka ardhur pas një forme efektive të organizimit të fermerëve kinezë. Pas liberalizimit të bujqësisë, fermerët kanë filluar të krijojnë një sërë fermash të kombinuara bujqësore e shtazore, që kanë rritur prodhimin e vezës së pulës në Kinë, duke bërë që sasia e prodhimit të arrijë në gati 50% të totalit të prodhimit botëror të tyre.
Europa, aktori kryesor në tregti
Europa, pavarësisht rënies së nivelit të prodhimit vazhdon të jetë aktori kryesor në tregtinë ndërkombëtare të këtij produkti. Deri para pak vitesh më parë, Europa realizonte rreth 70% të totalit të eksportit të vezës dhe dy të tretat e importit.
Vendet europiane realizojnë gjithashtu rreth 80% të tregtisë ndërkombëtare të vezëve në gjendje të lëngshme dhe 70% të tregtisë ndërkombëtare të vezëve në gjendje pluhuri. Në tregun e Bashkimit Europian (15 vende) prodhimi i vezëve është rritur vetëm me rreth 3%. Pesha e vezëve të prodhuara në këtë treg ndaj totalit pësoi një rënie prej rreth 15% në vitin 1990 e po kaq në vitet 2010.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.