Edhe politikat financiare përparuan shumë. Si rezultat i një pune të madhe atdhetare, ministrat e Financave të atyre viteve si Ndoc Çoba, Kol Thaçi, Luigj Gurakuqi, Mufit Libohova, Sulejman Starova, Milto Tutulani, Aqif Dibra krijuan Drejtorinë e parë të Doganave Shqiptare me Ahmet Boriçin nga Shkodra, Drejtor të Përgjithshëm. Në vitet 1920-1921 u shtuan taksat e importit dhe u pakësuan dhe u anuluan taksat e eksportimit me qëllim që të mbrohej prodhimi vendas, por edhe për qëllime fiskale. Në këtë periudhë dolën ligje dhe urdhëresa për ndalimin e eksportit të arit, argjendit, tunxhit dhe drithit. Doli ligji i parë doganor në vitin 1922 dhe po në këtë vit u krijua edhe tarifa e parë doganore shqiptare. Po ashtu u nxorën ligjet e para për rregullimin e të ardhurave të shtetit.
Në fund të vitit 1922 u mbajt Kongresi Kombëtar i Tregtarëve, në të cilin u shtrua nevoja për të shtuar kapitale, veçanërisht në industri. U krijuan fabrikat e para në qytetet e rëndësishme. Në Durrës, ku u ngrit një fabrikë cigaresh dhe një fabrikë mielli; në Shkodër, ku u ngrit një fabrikë alkooli dhe cigaresh; në Vlorë u ngrit fabrika e alkoolit dhe një shoqëri aksionere anonime që merrej me ngarkim-shkarkime në portin detar të qytetit, gjithashtu u ngrit edhe një fabrikë që merrej me letrën e shkrepëseve.
Në vitin 1922, numri i ndërmarrjeve industriale arriti në 85, nga 34 që ishin në vitin 1912. Këtu përfshiheshin: 35 mullinj bloje me motor, 11 fabrika vaji, fabrika sapuni, lëkurësh, pëlhurash, 8 shtypshkronja etj. Por këto fabrika ishin njësi të vogla dhe me rendiment të ulët. Shumica e tyre kishte mesatarisht 2-5 punëtorë secila dhe vetëm miniera e serës në Selenicë të Vlorës, që ishte qendra më e madhe industriale e vendit, kishte rreth 500 punëtorë.
Por këto rezultate nuk përfaqësonin mundësitë reale të borgjezisë së vogël shqiptare, e cila – si pasojë e trazirave politike që kalonte vendi, mungesës së përvojës për veprimtari industriale, por dhe frikës nga konkurrenca e kapitalit të huaj, kishte akumuluar dhe mbante të thesarizuara një sasi të madhe monedhash ari e argjendi, stoli e objekte të tjera të çmueshme. Në këtë periudhë konstatohet dhe një rritje e interesit të kapitalit të huaj për ekonominë dhe burimet natyrore shqiptare, sidomos për naftën, bitumin, hekurin, bakrin, pyjet etj. Në Shqipëri, në këtë kohë kishte 50-100 milionë franga ari të monetizuara.
Kjo ishte edhe periudha kur për shqiptarët nisi emigracioni. Mbi 50,000 shqiptarë emigruan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë periudhës ‘20-‘24, Shqipëria njohu rritje në vëllimin e eksportit.
Sipas të dhënave, shuma e pasiveve të tregtisë së jashtme ishte e barabartë me 64,574 franga ari. Eksporti në pesë vite (shifra total) zinte rreth 30% të importeve.
Importet ishin të zbuluara në më shumë se dy të tretat. Në këtë periudhë importi për frymë llogaritej në 22.1 franga ari, ndërsa eksporti në 6.5 franga ari.
Sa i përket infrastrukturës, titullarë të Ministrisë së Punëve Botore iniciuan investimet e para kapitale. Karakteristikë e kësaj periudhe është se investimet në punët publike u rritën vetëm me investimet e kapitaleve private pa asnjë kontribut nga ana e shtetit. U investua në këtë fushë nga borgjezia vendase mesatarisht 1 milion franga ari në vit. Gjatë kësaj periudhe filloi meremetimi i rrugëve të mëparshme, rregullimi i urave të prishura etj. Në ndërtimin dhe ristrukturimin e tyre u përdor puna angari e vendosur me ligj të posaçëm, në të cilin u ngarkuan të gjithë qytetarët meshkuj të Shqipërisë nga mosha 18 deri në 58 vjeç. Puna angari u caktua 10 ditë në vit, por të pasurve iu dha mundësia që ta shlyenin me të holla. Vlen të theksohet se në vitin shkollor 1921-1922 u çel shkolla teknike në Tiranë, e cila nxori teknikët e parë shqiptarë të ndërtimit.
Për herë të parë gjatë këtyre viteve u duk edhe transporti ajror në vendin tonë. Shqipëria ishte i vetmi vend në Europë që futi shërbimin e transportit ajror më parë se sa transportin hekurudhor. Shërbimi i transportit të parë ajror u vendos në nëntor të vitit 1924, në kohën e qeverisë së Fan S. Nolit. Qeveria shqiptare ia dha koncesionin e transportit ajror shoqërisë gjermane “Adria Aero Lloyd”. Më vonë atë e mori shoqëria italiane “Ala-Littoria”, që e mbajti deri më 1943. Me shërbimin e transportit ajror u lidh kryeqyteti me një varg qytetesh brenda dhe jashtë vendit.
Një moment i rëndësishëm i kësaj periudhe është edhe Revolucioni i Qershorit, fitorja e të cilit solli në pushtet Fan Nolin. Qeveria e re u vlerësua si një nga më përparimtaret në Ballkan. Ajo shpalli një program revolucionar e demokratik, por nuk arriti ta realizojë. Revolucioni Demokratik në Shqipëri u gjend menjëherë i rrethuar nga qëndrimi aspak miqësor i Fuqive të Mëdha, monarkive dhe qeverive europiane të shteteve ballkanike. Nolit iu desh të bënte një përpjekje të jashtëzakonshme që qeveria shqiptare të njihej.
Edhe pse qeveria e drejtuar prej tij pati vetëm 6 muaj jetë, ajo kishte një program ekonomik, në bazë të të cilit ishte reforma agrare.
Në Parlamentin e asaj kohe, Luigj Gurakuqi do të deklaronte: “Toka i përket atij që e punon”.
Hapi i parë i këtij programi do të ishte reforma agrare, e cila do të prekte vetëm çifligjet e shtetit dhe jo të privatit. Në tetor 1924 u parashikua shpronësimi i pronarëve shtetërorë (kullota, livadhe etj.). Kjo reformë kishte karakter përparimtar, pasi nuk e prekte pronën private.
Në kohën e qeverisjes së Nolit nuk u dha asnjë koncesion.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.