Kush tha që të udhëtosh me autobus është e bezdisshme?
Pavarësisht se nuk është një mjet dhe aq i rehatshëm, është ekonomik. Në disa raste mund të lindin edhe miqësi të reja dhe, në të tjera ju përshkoni rrugë që ia vlen t’i bëni të paktën një herë në jetë.
Disa vende madje kanë edhe autobusët e vet karakteristikë dhe të bësh një udhëtim të gjatë është një mënyrë e bukur për të njohur njerëzit e atij vendi.
Më poshtë janë pesë rrugë që ju këshillojmë për një udhëtim me autobus.
Nga Budapesti në Săpânța, Rumani
Udhëtimi me autobus nga Budapesti, kryeqyteti i Hungarisë drejt fshatit Săpânța, në rrethin Maramureș, në Rumani, zgjat rreth 10 orë. Kjo është një zonë e famshme për folklorin e pasur dhe natyrën e paprekur. Përgjatë rrugës ju mund të admironi pyjet, manastiret dhe shtëpitë karakteristike hungareze dhe rumune që ju çojnë pas në kohë, në një epokë të largët, me kënaqësi të thjeshta dhe të bukura.
Në Săpânța ndodhet varreza e famshme Allegro, Pasuri e UNESCO-s, ku varret janë të pikturuar me dorë në stilin unik dhe të papërsëritshëm folk-naif.
Nga Marrakeshi në Er Rachidia, Marok
300 milje rrugë i lënë pa frymë të gjithë udhëtarët e patrembur që vendosin të përshkojnë në autobus rrugën nga Marrakeshi në Er Rachidia në Marok. Rruga përshkon male të thepisura, peizazhe të shkreta dhe shkretëtirën, ku mund të shihni grupe berberësh dhe deve. Linjat e autobusëve që këshillohen për këtë rrugëtim rreth 11 orë janë CTM e Supratours.
Nga Kathmandu a Pokhara, Nepal
Kjo është një tjetër rrugë që ia vlen të bëni me autobus, nga Kathmandu kaotik drejt qytetit të qetë malor Pokhara. Udhëtimi është vetëm 200 kilometra, por do t’ju dhurojë emocione dhe adrenalinë, pasi ndërkohë që ju ngjisni malet do të shihni poshtë lumenjtë me një bukuri të papërshkrueshme. Gjatë ndalesave ju mund të shijoni dal bhat* në restorantet përgjatë rrugës.
(*Dal bhat është ushqimi tradicional në Nepal – receta e saj konsiston në një supë me thjerrëza (dal) dhe oriz i zier (bhat) shoqëruar dhe me përbërës të tjerë)
Nga Ouagadougou në Abijan, Burkina Faso-Bregu i Fildishtë
Udhëtimi nga kryeqyteti i Burkina Faso, Ouagadougou, drejt Abidjan, në Bregun e Fildishtë, nuk është i shkurtër dhe pa emocione. Duhen rreth 24 orë për ta përshkuar këtë rrugë, duke kaluar nëpër fshatrat e Burkinës, të papërsëritshëm drejt pyllit tropikal në jug, i cili është gjithnjë i dendur kur hyni në Bregun e Fildishtë, deri sa të mbërrini në kryeqytet, një metropol modern dhe kaotik. Udhëtimin me autobus mund ta rezervoni drejtpërdrejt në stacionin e Ouagadougou..
Nga Nju Jorku në San Francisko, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Udhëtimi nga Nju Jorku në San Francisko zgjat 3 ditë, duke ndjekur rrugën Greyhound dhe pjesë të Kerouac. Mbani sytë hapur për të parë Rocky Mountains, fushat me grurë dhe shkretëtirën në Nebraska, pjesë më pak të famshme, por mjaft interesante si Pittsburgh dhe Salt Lake City, mbretëri e mormonëve që ka një ndër tempujt më të famshëm.