Nga Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore
Sa më shumë të njohim të shkuarën, aq më mirë mund të përgatitemi për të ardhmen. Kriza financiare e vitit 2008 ofron mësime të rëndësishme për politikëbërësit që planifikojnë rimëkëmbjen pas COVID-19 në vitin 2021.
Mbi 10 vjet më parë, bota u përball me një krizë financiare që shndërroi vetë strukturën e shoqërive tona.
Një amalgamë rregullash të buta financiare dhe qëndrimesh të shkujdesura ndaj borxhit dhe financimit të tij sollën një turbullirë globale, së cilës vetëm pak vende në botë ia dolën t’i shpëtonin.
Pavarësisht një dekade rimëkëmbjeje, shenjat e asaj kohe janë ende mjaft të dukshme. Kështu ndodhi veçanërisht në shumë pjesë të Europës dhe, siç është shpesh rasti kur ndodhin katastrofa të mëdha, të shkaktuara nga natyra e njeriu, më të goditurit janë ata më të dobëtit.
Ngjashmëri befasuese
Sot, ndërkohë që vendet orvaten të përballen me pasojat ekonomike të Covid-19, politikëbërësit e vendeve në zhvillim duhet të mos harrojnë mësimet e forta nga viti 2008. Në aspektin financiar, ngjashmëritë midis së tashmes dhe asaj periudhe janë befasuese.
Asokohe, vendet e Europës Qendrore dhe Juglindore ishin nga më të prekurat. Në periudhën që i parapriu krizës, bankat e mëdha të Eurozonës blenë degët lokale. Të mbështetura nga këto banka mëmë, kreditimi nisi të zgjerohej me shpejtësi nisur nga një prag shumë i ulët. Ky lulëzim kreditimi u shoqërua me rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme dhe fryrjen e borxhit personal e të obligacioneve të shoqërive tregtare. Aspiratat për të riprodhuar standardet e jetesës së shteteve më të pasura anëtare të BE-së bënë që qytetarët dhe bizneset të merrnin përsipër më shumë nga ç‘mund të mbanin.
Papritur, kriza globale frenoi fluksin e kapitalit në rajon dhe e ktheu lulëzimin në dështim. Rritja e kreditimit u kthye në të kundërt, çmimet e pasurive të paluajtshme ranë pikiatë, rritja ekonomike u ndal dhe kreditë e këqija morën hov. Gjatë dekadës që vjen, pjesa më e madhe e rajonit do ta gjejë veten të mbërthyer midis rritjes së dobët ekonomike dhe një pune të dobët të sektorit financiar.
Procesi i njohur i pasojave
Covid-19-a qëndron në krye të garës si goditja më e rëndë ekonomike në jetën tonë Në periudhën që po vjen, duket se na pret në horizont procesi i pasojave: financimi i lartë i borxhit dhe rritja nën depresion do të amplifikojë dobësitë e sektorit financiar në muajt vijues.
Është e vërtetë, Covid-19 i gjeti bankat në vendet në zhvillim të Europës me likuiditet dhe rezerva më të forta kapitali sesa kishin përpara krizës financiare globale, po ato nuk janë aspak të imunizuara. Sa më shumë të zgjatë pandemia, aq më shumë ka gjasë të hasen me vështirësi bizneset dhe konsumatorët. Më pas vjen mosshlyerja e borxhit. Politikëbërësit duhet të veprojnë, përpara sesa të mbërrijë efekti domino i kredive të këqija dhe vendet të zhyten në një krizë financiare masive, politikëbërësit. Kjo nënkupton marrjen e katër masave kryesore.
Së pari, rritja e kredive të këqija kërkon një përgjigje proaktive dhe të bashkërenduar me politika. Nëse bankat i rezistojnë zhvlerësimit të huave nën standard dhe vazhdojnë t’u japin hua firmave zombi, trysnia e kreditimit që kjo sjell do të jetë më e gjatë dhe më e fortë.
Në vitin 2008, hartuesit e politikave e morën kthesën ngadalë. Kur e kuptuan që duhej një përgjigje e bashkërenduar, dëmi më i madh ishte bërë. Kur vjen fjala për zgjidhjen e kredive të këqija, thjesht koha që kalon e përkeqëson më shumë situatën dhe politikëbërësit e bankierët duhet të reagojnë në kohë për të mos lejuar që problemi të dalë jashtë kontrolli.
Së dyti, mbikëqyrësit duhet të merren me bankat që janë shumë të ekspozuara dhe të sigurohen që ato të provigjonojnë plotësisht humbjet e kredive. Një mësim i rëndësishëm që u nxor nga kriza globale ishte se ndërtimi i kapitalit bankar është kusht për një rimëkëmbje të qëndrueshme. Gjatë pandemisë, bankave u është kërkuar të luajnë një rol të pashembullt në asimilin e goditjes duke ofruar kreditim jetik për sektorin tregtar e familjar. Politikëbërësit nuk duhet t’i dorëzohen trysnisë për të zbutur rregullat ekzistuese.
Mbikëqyrja me dorë të butë nuk është zgjidhje për problemet që qëndrojnë në themel dhe vetëm sa i shtyn ato për më tutje. Që t’u qëndrohet rregullave në mënyrë të besueshme, rregullatorët duhet të kryejnë teste stresi për të identifikuar bankat e pakapitalizuara.
Vendosmëri, ndershmëri dhe transparencë
Së treti, duhet vendosur si përparësi hartimi i një strategjie të organizuar e në kohë të daljes nga moratoriumet e shlyerjes dhe lehtësimit të borxhit. Vendet në Europën Lindore e Juglindore i miratuan menjëherë të tilla plane me ardhjen e Covid-19 dhe patën rezultate të mira. Megjithatë, zgjatja e këtyre skemave shoqërohet me një kosto të fshehtë. Ato mund të dobësojnë disiplinën e shlyerjes të huamarrësit dhe t’u japin firmave që ishin edhe përpara pandemisë në vështirësi një perspektivë të re.
Pyetja se kur dhe si duhen planifikuar fazat për heqjen e masave nuk ka një përgjigje të thjeshtë. Sidoqoftë, parimi i përgjithshëm duhet të jetë heqja e tyre sa më shpejt ta lejojë situata. Kjo mund të bëhet gradualisht duke ngushtuar gamën e huamarrësve që kualifikohen për mbështetje, me qëllim që të përkrahen vetëm ndërmarrjet e shëndetshme.
Së katërti, firmat që janë në vështirësi, por potencialisht të shëndetshme, do të kenë nevojë për ristrukturim të
huasë. Për të rikthyer funksionimin tregtar të shoqërive në vështirësi, duhen ristrukturuar detyrimet e tyre, duke harmonizuar afatet e pagesave me flukset e pritshme të të ardhurave. Nga ana tjetër, ristrukturimi i huave për huamarrësit që nuk kanë vijimësi, vetëm sa do të çojë në shtyrjen e humbjeve të pashmangshme.
Nuk ka siguri se kush do të mund të mbijetojë a jo. Do të duhet një vlerësim për të veçuar rastet e humbura nga ato që janë rentabël dhe gjithçka tjetër. Kjo do të ndihmojë në çlirimin e kapitalit nga sektorët me rendiment të ulët dhe do t’u japë shtysë firmave dinamike që të drejtojnë ritmin e ri ekonomik.
Jetojmë në kohë të vështira që kërkojnë vendosmëri, ndershmëri e transparencë në hartimin e politikave, po nuk është e lehtë t’i ruash këto cilësi në momente pasigurish të mëdha, ankthesh në rritje dhe mungesës së qasjes në informacionin e duhur. Për fat të mirë, mund të kthejmë kokën nga e shkuara për të mbledhur mësimet për të ardhmen. Ka ardhur koha, tashmë, t’i vëmë në zbatim./ Botuar fillimisht në Emerging Europe
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.