Kondicioneri u shpik në vitin 1902 nga Willis Carrier dhe ka ndryshuar thellësisht shoqërinë bashkëkohore
Çdo sekondë, në botë, shiten dhjetë kondicionerë. Sipas parashikimeve të International Energy Agency, përhapja e tyre do të vijojë me këtë ritëm edhe për 30 vitet e ardhshme. Nga viti 2000 e deri më sot, numri i tyre është dyfishuar dhe nga sot e deri në vitin 2050, kjo shifër do të trefishohet nga 1,6 miliardë në 5,6 miliardë njësi të instaluara në ndërtesa në mbarë botën.
Energjia që do të nevojitet për t’i ushqyer ata është e barabartë me prodhimin e përgjithshëm të energjisë elektrike të SHBA, Europës dhe Japonisë. Rritja më e madhe do të ndodhë në vendet në zhvillim, ku jetojnë 3 miliardë persona të ekspozuar ndaj temperaturave më të nxehta në glob, që në vitet e ardhshme janë të destinuara të rriten, dhe ku vetëm 8% e ndërtesave sot ka ajër të kondicionuar. Vendet ku është më i përhapur ajri i kondicionuar janë SHBA, Japonia dhe Koreja, ku 90% e ndërtesave ka ajër të kondicionuar, por edhe Kina, sot në 60%, po shkon në të njëjtën rrugë.
Energjia e nevojshme për ajër të kondicionuar në SHBA është e barabartë me konsumin e përgjithshëm të së gjithë Afrikës. Europa, për momentin, është larg SHBA, me 110 milionë njësi kundrejt 400 milionë njësi të SHBA.
Kondicioneri u shpik në vitin 1902 nga inxhinieri amerikan Willis Carrier. Ai ka ndryshuar thellësisht shoqërinë bashkëkohore, duke riorganizuar hapësirat gjeografike, urbanistikën, aktivitetet kulturore, modelet e konsumit, aktivitetet sociale, madje deri te zakonet seksuale. Para ajrit të kondicionuar, i nxehti i verës konsiderohej shpesh mbytës dhe për rrjedhojë kishte një rënie të fortë të numrit të lindjeve nëntë muaj më pas, në prill dhe në maj. Me mbërritjen e ajrit të kondicionuar, ndryshimet sezonale të normës së lindshmërisë u zhdukën. Kur u shfaq për herë të parë, në fillim të shekullit XX, ajri i kondicionuar nuk i shërbente mirëqenies së njerëzve, por të makinerive.
Për të zgjidhur problemin e të nxehtit që pengonte proceset e shtypshkrimit, për shkak të bymimit të letrës gjatë procesit të stampimit, tipografia Sackett & Wilhelms në Brooklyn ngarkoi Carrier për realizimin e një pajisjeje që të mund të kontrollonte lagështirën dhe temperaturën e ambientit. Makineria, ku ajri kalonte nëpërmjet tubave që përmbanin ftohës me bazë amoniaku, ishte gati në pak muaj dhe pati sukses të menjëhershëm. Në më pak se dhjetë vjet, në të gjitha industritë (p.sh. tekstile, duhani, makarona, mielli, çokollata), prodhimi i të cilave vuante nga luhatjet termike, u instalua ajri i kondicionuar, duke i dhënë mundësinë shpikësit gjenial të ndërtonte një perandori, që sot numëron 55 mijë punonjës.
Nga Hollywood te qendrat tregtare
Në pak kohë, ajri i kondicionuar hyri edhe në kinema, që në verë zbrazen dhe shoqëron epokën e artë të Hollywood. Kondicionerët përhapen më tej në zyra, ku siç tregohet, produktiviteti i të punësuarve rritet me 24% në muajt më të nxehtë, falë ajrit të kondicionuar. Më pas, fillon përhapja drejt Sun Belt, ku toka nuk kushton asgjë, me shumë aktivitete industriale dhe ekonomike, duke nxitur rilindjen e Jugut.
“Produktiviteti është në maksimum dhe punonjësit synojnë të punësohen në impiante me ajër të kondicionuar”, – shkruan Carrier Corporation në vitin 1931, që ka transferuar një pjesë të aktivitetit të saj në Meksikë. Prej këtu, nuk ka më limite – ajri i kondicionuar pushton trenat, restorantet, hotelet, dyqanet me një dinamikë gjithnjë të njëjtë. Bizneset e vogla të lagjeve e kanë të vështirë t’u rezistojnë një konkurrenti me ajër të kondicionuar, pra të gjithë adoptojnë kondicioner.
Ndikimi në zakonet e popullatës dhe në projektimin arkitekturor është i pafund. Lind tendenca për të jetuar më shumë brenda shtëpive, bumi i televizionit dhe kriza e stadiumeve të bejsbollit. Nga ajri i kondicionuar lindën qendrat e mëdha tregtare, qiellgërvishtësit me xham dhe beton, me dritare të mbyllura dhe zhvillimi i qyteteve si Las Vegas apo Majami, që pa ajër të kondicionuar nuk do të kishin mundur të zhvilloheshin. Në Azi, metropolet në zhvillim si Dubai dhe Singapori, nuk do të mund të ekzistonin pa shpikjen e Carrier.
Ndikimi politik në SHBA
Ajri i kondicionuar, sipas disave, ka pasur ndikim politik në SHBA, duke ndryshuar kompozimin politik në shtete kyçe të Sun Belt si në Arizona, Teksas dhe Florida, që deri në vitet ‘70 kishin qenë gjithmonë demokratike. Përhapja e ajrit të kondicionuar në banesa, filloi pikërisht në vitet ‘70 me pajisjet e para shtëpiake jo shumë të kushtueshme.
Kjo nxiti lëvizje demografike nga Veriu drejt këtyre Shteteve të një valë njerëzish të moshuar të pasur, duke i ndryshuar bindjet politike në republikanë, gjë që solli në Presidencë, Ronald Reagan (presidenti i 81-të), sipas teorisë së politologut Nelson Polsby. Nga ajo kohë, përhapja e ajrit të kondicionuar është rritur nga dita në ditë në shtëpitë e amerikanëve dhe numri i kondicionerëve është më i lartë se ai i lavatriçeve, aq sa kushtëzon klimën e qytetit. Në Phoenix, për shembull, është parë se ka ndikim me 1 – 2 gradë në temperaturën e qytetit gjatë natës, për shkak të kondicionerëve që punojnë me kohë të plotë, duke shkaktuar një rreth vicioz. Bën më nxehtë jashtë dhe duhet nxitur ftohja e mjediseve të brendshme. Me krizën e klimës, ndikimi i rrethit vicioz është edhe më i dukshëm: ne freskohemi duke konsumuar aq shumë energji sa që e nxehim planetin.
Burimi: Il Sole 24 Ore