Tashmë që qeveria e re është formatuar, duke sjellë për herë të parë në historinë e pas viteve 1990, risinë e koalicionit të përbashkët mes të majtës dhe të djathtës, dilemat e emrave po zëvendësohen me atë të programeve dhe filozofisë politike për zhvillimin e ardhshëm të vendit. Fushatat elektorale (të ndara) të maj-qershorit u shoqëruan me premtime të shumta nga të gjitha palët në pika që herë bashkoheshin e herë ndaheshin.
Një kartë e fortë me të cilën LSI-ja luajti para zgjedhjeve ishte programi anti-krizë, që ajo në fakt asnjëherë nuk e bëri publik me detaje, në një kohë që partia demokratike ishte e bindur se vendi po i ndiente fare pak pasojat e krizës ekonomike botërore dhe masat e mëparshme që ajo kishte marrë si p.sh. ulja e taksave kishin vepruar si neutralizues në këtë situatë. Kur kriza botërore ende nuk ka kaluar pavarësisht sinjale pozitive për stopimin e rënies, këto dy forca politike duhet publikisht të rikonfirmojnë qëndrimin tashmë të njëhësuar brenda qeverisë.
Edhe qëndrimi ndaj privatizimeve të mëdha është një tjetër çështje ku dy palët nuk binin dakord për mënyrën se si duhej operuar, madje edhe nëse duheshin kryer apo jo. LSI tani ka portofolin e Ministrisë së Ekonomisë, që ka përgjegjësi direkte për privatizimet, ndaj qëndrimi i saj politik përpara zgjedhjeve rikërkon një tjetër përqasje me atë të partisë demokratike apo anasjelltas.
Cështje të tjera të aspektit social, punësimit, shëndetësisë dhe arsimit dallojnë fare pak, vetëm nga premtimet sasiore.
Edhe qëndrimi ndaj vazhdimësisë së Misionit të FMN-së në Shqipëri me status të plotë, ka qenë diametralisht i kundërt, çka edhe për këtë kërkohet konfirmim nga qeveria e re.
Kjo është një panoramë e shpejtë dhe e shkurtër e qëndrimeve politike të këtyre dy forcave, tani në bashkëqeverisje, por qëndrimet e tyre kundërshtuese deri përpara zgjedhjeve nuk kanë qenë kaq telegrafike, por të mbushura plot tension, sulme dhe kundërsulme nga më të fortat, si në aspektin politik dhe atë personal, ku natyrisht në fushën e ekonomisë intesiteti ishte me i lartë dhe mjaft i egër. Jo pak reforma të qeverisjes së fundit, LSI I ka kontestuar fort dhe jo pak herë ka premtuar zhbërjen e tyre. Po kaq herë dhe kaq fort ka kundërsulmuar qeveria e PD-së. Qeveria e re në këtë aspekt mbart në vetvehte pikëpyetje të mëdha jo vetëm se si do të funksionojë nga pikëpamja porgramore e saj por dhe në aspektin politik dhe atë personal mes anëtarëve të kabinetit. Dy qeveritë e dikurshme me përfaqësues nga i gjithë spektri politik shqiptar dështuan në kohë të shkurtër, ndonëse për shkaqe të ndryshme. Kjo qeveri e re ka në biografinë e saj edhe CV-të e përfaqësive politike, ndaj dyshimet dhe kurioziteti për jetëgjatësinë e qeverisë së re nuk janë hipotetike por racionale dhe të bazuara mbi të shkuarën jo kaq mbresëlënëse për konsensuset politike dhe ca më pak qeverisëse. Dyshime dhe kuriozitete mbart edhe sjellja politike në vijim e dy liderëve të konfirmuar të LSI dhe PD. Sali Berisha dhe Ilir Meta kane qenë të dy kryeministra, tani njëri në krye e tjetri zëvendës i tij, të dy me profil tepër të individualizuar në lidershipin qeverisës janë sërisht një model për t’u testuar.
Shpesh në deklarimet e fundit publike kryeministri aktual dhe i rimandatuar, Sali Berisha, i pyetur jo vetëm për pikat e përbashkëta programore të qeverisë, por edhe për mundësitë e përputhshmërisë së filozofisë politike, përqasjes ndaj shttesave të ndryshme të shoqërisë, qëndrimin ndaj institucioneve të tjera të pavarura të vendit apo përputhshmërisë në stilin qeverisës PD-LSI të tipizuara mes tij dhe Metës ka preferuar të gjejë si emërues të përbashkët integrimin dhe reformat në disa sektorë. Berisha dhe qeverisja e partisë demokratike hoqën dorë nga sektorët e shëndetësisë, dhe ekonomisë, aty ku priteshin nga qeverisja e re edhe reformat më të mëdha, që nga sigurimet shëndetësore, reforma spitalore, ajo e pensioneve, reformat për liberalizimin e mëtejshëm të tregut dhe rregullimin për shkak të deformimeve dhe konkurrencës së padrejtë. çuditërisht këta dy sektorë të dhuruara LSI-së për drejtim kanë qenë në mandatin e kaluar edhe fushat ku PD mbështeti fuqishëm proklamimin e rezultateve të saj. Heqja dorë duket si një shans për të majtët e përfaqësuar nga LSI, si konsensusi i madh programor saç edhe një largim i përgjegjësisë për reformat që mund të mbeten përgjysëm dhe një ndarje të shfajësimit në rast dështimi. Ndaj modeli i ri i qeverisës duhet testuar edhe nëse ai vërtet do të prodhojë rezultate të mëdha apo do të krijojë shfajësime të mëdha.
Ndoshta kjo qeveri do të arrijë të kapërcejë edhe këto dallime jo vetëm programore.
Dy raportet e fundit të Forumit Ekonomik dhe Bankës Botërore, vërenin tregues të përmirësuar të ekonomisë në aspektin e konkurrueshmërisë dhe klimës së të bërit biznes në Shqipëri, por në tregues të tillë si procedurat tatimore, korrupsioni, eficienca e qeverisjes, dhe stabiliteti politik e rendisnin vendin tonë shumë më poshtë se të gjithë vendet e Europës dhe Ballkanit, përveç Bosnjë – Hercegovinës. Këto tregues të ulët përkojnë dhe me kërkesat, reformat dhe sfidat më të forta të integrimit por për të cilat qeveria e re duhet të gjejë përqasje jashtë saj, në sallën e kuvendit. Qëndrimi i deritanishëm i opozitës së majtë për bojkot ndaj parlamentit e rrezikon ritmin dhe cilësinë e reformave duke vënë në dyshim edhe suksesin e kësaj qeverisje e cila edhe pse ka të gjitha ngjyrat e spektrit politik të përfaqësuar i nevojitet konsensues më i madh. Modeli i ri i qeverisë PD-LSI mundet të lehtësojë këtë konsensus por mbetet hipotezë.
Kushtet brenda vendit dhe përfshirja në proceset e mëdha integruese prej kohësh kanë diktuar një puqje të tillë politike e majtë – e djathtë në qeverisje. Modeli i qeverisë PD-LSI, ka shanse të funksionojë por është i pamjaftueshëm.