Studimet: Gjenerata e re, kush janë, si jetojnë, çfarë blejnë
Zyra amerikane e Censusit ka realizuar së fundmi një studim sipas të cilit, gjenerata e mijëvjeçarit të ri (ata që kanë arritur moshën madhore në vitet 2000) është më e madhe në numër. Janë rreth 75,4 milionë persona. Numri i të lindurve gjatë periudhës 1980 – 2000 ka tejkaluar shifrën 74,9 milionë, por tendenca është në rënie. Të rinjtë e Mijëvjeçarit të Ri po rriten gjithnjë e më shumë në numër kjo falë prurjeve të mëdha të emigracionit që kontribuojnë në këtë aspekt të demografisë.
Sipas projektimeve, “piku” i gjeneratës së Mijëvjeçarit të Ri, në SHBA pritet të arrihet në vitin 2036, kur në total do të arrijnë në shifrën 81 milionë persona.
Për momentin, në duart e tyre llogariten shpenzime që kapin shifrën rreth 600 miliardë dollarë, por deri në vitin 2020 kjo shifër do të arrijë në 1,4 trilionë dollarë, ose rreth 30% të shitjeve me pakicë.
Nga ana tjetër kanë ndikim të lartë në sjelljen e blerjeve që realizon gjenerata e mëparshme. Gjithashtu do të përbëjnë forcën më të madhe të punës (sipas të dhënave të Deloitte) dhe si rrjedhim do të mbajnë në duar frerët e bursave të kompanive. Si konsumatorë, gjenerata e Mijëvjeçarit të Ri është në kërkim të diçkaje që ka kuptim. Për shembull: Është e gatshme të paguajë një çmim më të lartë për një produkt ose shërbim, që mbështet një kauzë të mirë.
Për ta, vlerat janë mbi gjithçka. Në mënyrë analoge vlerësojnë se vlerat janë ato që duhet të udhëheqin një sipërmarrje, të tilla si: vlerësimi i punonjësve, etika, ndershmëria dhe përkujdesi ndaj klientit. Këto janë aspekte që vendosen në vend të parë, ndërsa për vetëm 5% të të anketuarve, përfitimi është çështja kryesore, sipas studimit që mban firmën e Deloitte.
Profesionalisht, individët e Mijëvjeçarit të Ri janë më pak besnikë ndaj një vendi pune. Gjithashtu kanë një idealizëm pragmatik dhe dëshirë për të përmirësuar gjëra, ndërsa janë më të qëndrueshëm ndaj një vendi pune që është inovativ.
Ata duan të udhëtojnë dhe të kërkojnë aventura edhe në jetën e përditshme. Kur bëjnë pazar, përvoja në pikën e shitjes për ta është po aq e rëndësishme sa edhe produktet që sjellin në shtëpi. Eksperimentojnë edhe nga pikëpamja e gastronomisë dhe e të ushqyerit. Janë ata, që kanë eksperimentuar me “fond truck” që njihen si restorantet në rrota dhe që janë të gatshëm të paguajnë një çmim më të lartë për produktet organike, por jo gjithmonë perspektivat e tyre ekonomike konkurrojnë me ato të brezave të mëparshëm.
Në Nju Jork, për shembull, ata fitojnë deri në 20% më pak se etërit e tyre dhe janë të “burgosur” në punë të paguara jo mirë. Një tjetër e dhënë është se ata janë të prirë të lënë në mes studimet. Në vitin 2000, kjo shifër u llogarit në 23%, ndërsa shkoi në 33% në vitin 2014.
Në Europë, ky është një trend që manifestohet tek ata të rinj që fitojnë rreth një mijë euro në muaj, në kushte të pasigurta të punës, që shpesh mbështeten te ndihma e prindërve me të cilët kanë tendencë të jetojnë më gjatë se gjeneratat e tjera.
Në këto kushte, ata janë të gatshëm të heqin dorë nga pasuria e patundshme, por janë mbështetës të mëdhenj të ekonomisë së ndarjes (sharing economy). Ata adoptojnë me lehtësi teknologjitë e reja, nga të cilat kërkojnë lehtësi në përdorim. Me pak fjalë: siç është e zakonshme përdorimi i rrjeteve sociale, ashtu edhe konsumi është social.
Individët e Mijëvjeçarit të Ri, më shumë se të tjerët, dëshirojnë të udhëtojnë, të ushqehen, të bëjnë blerje në grup, si dhe tentojnë të jenë më bashkëpunues. Kjo certifikohet nga kërkimet e Boston Consulting Group dhe synojnë që të ndihmojnë në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve tregtare.
Një pjesë e tyre u japin rëndësi produkteve elitare, që i diferencon nga të tjerët. Por, vetëm një e katërta e të anketuarve raporton se i qëndron besnik markës.
Duke qenë se janë gjenerata që ka studiuar më shumë janë më liberal se prindërit e tyre. Për shembull; rreth 65% e të rinjve britanikë mbështetin martesat mes personave të së njëjtës gjini, ndërsa në SHBA, rreth 80% shprehen në favor të legalizimit të marijuanës.
Por, mbi të gjitha, thekson një studim i fundit i quajtur “Carat”, brezi i Mijëvjeçarit të Ri nuk janë heterogjenë.
Rreth 42% e të anketuarve shprehen se janë shumë të ndërlidhur dhe optimistë, rreth 19% u deklaruan të orientuar nga stili i jetës, 16% shprehu një stil aventurier dhe të kujdesshëm ndaj tendencave, ndërsa 23% u shfaq më konservator dhe i rezervuar.