Edukimi parauniversitar dhe vlerësimi i dijes si strategji kombëtare
Nga Azmi Stringa*
Objektivi për financimin publik në arsim, në masën 5% të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB), nuk u arrit, përkundrazi në vitet 2019-2020 kur ndodhi tërmeti dhe pandemia, financimi shkoi poshtë 3%. Mosarritja konfirmohet edhe nga raporti i UNICEF dhe shifrat e Ministrisë së Arsimit. Me këtë nivel, Shqipëria ka një hendek të madh me vendet e Europës, si shteti me financimin publik më të ulët për këtë fushë jetike për brezat e ardhshëm dhe gjithë shoqërinë.
Qeveria shqiptare, në programin e saj për vitet 2013-2017, e konsideroi arsimin si një ndër politikat më të mira ekonomike dhe si një sistem thelbësor që garanton zhvillimin tërësor të vendit. Kjo do garantonte dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të kapitalit njerëzor të vendit. Për këtë arsye, në programin e Qeverisë, u vendos synimi që financimi publik për arsimin të arrijë në nivelin e 5% të PBB, me qëllim që të sigurohet arsim cilësor për çdo fëmijë, pavarësisht origjinës, rrethanave familjare, apo gjendjes ekonomike.
Rritja e financimit publik për arsimin u kërkua me ngulm edhe nga studentët gjatë protestave të vitit 2018, që sollën dhe “Paktin për Universitetin” me Qeverinë. Studentët kërkuan rritje të Buxhetit të Arsimit në 5% të GDP, me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).”
UNICEF, në një raport të vitit 2019, që synonte vlerësimin e Strategjisë aktuale të Arsimit Parauniversitar 2014-2020, shprehej se Shqipëria “është larg objektivit 2020 për shpenzimet publike prej 3% për arsimin parauniversitar dhe 5% për arsimin në tërësi… Niveli i buxhetit të disponueshëm krahasuar me PBB-në mbetet më i ulët sesa ai i synuar, dhe Shqipëria është vazhdimisht një nga vendet me investimet më të ulëta kushtuar arsimit në rajon.”
Bazuar në të dhënat e publikuara nga Ministria e Arsimit, më poshtë jepen shpenzimet publike për arsimin ndër vite, krahasuar dhe me objektivin e vendosur nga Qeveria.
Gjithashtu UNICEF shprehet: “Gjatë viteve të fundit, shpenzimet për arsimin kanë mbetur në nivelin 3% të PBB-së, ndërsa mesatarja e OECD-së është rreth 5%”. Duhet theksuar që shifrat më lart janë ato të Ministrisë së Arsimit dhe nuk përfshinë fonde për edukimin që administrohen nga ministri të tjera, si Ministria e Ekonomisë dhe Financave (edukimi profesional), Ministria e Brendshme (institucionet e edukimit për ruajtjen e rendit), apo Ministria e Mbrojtjes (institucionet e edukimit ushtarak). Treguesit e konsoliduar në këtë fushë mbeten kontradiktorë. Pavarësisht kësaj, mund të thuhet se fondet publike për arsimin kanë mbetur rreth 3% të PBB-së gjatë këtyre viteve dhe larg objektivit.
Për të kuptuar sa shpenzon Shqipëria për arsimin në krahasim me vendet e tjera të Europës, më poshtë paraqiten të dhënat e Eurostat-it për vendet e BE-së krahasuar me Shqipërinë.
Siç shihet, Shqipëria shpenzon fonde publike për arsimin më pak se të gjitha vendet e BE-së. Mesatarja e vendeve të BE-së në vitin 2019 ishte 4.7% e PBB-së krahasuar me Shqipërinë që shpenzon fonde publike sa 2.56% të PBB-së për arsimin. Edhe me një nivel të shpenzimeve publike prej rreth 3% të PBB-së, siç deklarohet në disa publikime, përsëri pozicioni i vendit tonë është në vendet e fundit.
Me ngjyra më lart janë paraqitur vende të BE-së që gjenden afër ose në të njëjtin rajon si Shqipëria, për të parë konkurrueshmërinë tonë në rajon. Për vende si Rumania, Bullgaria, Greqia, Kroacia dhe Italia, në grafikun më poshtë, jepet ecuria e shpenzimeve të tyre për arsimin ndër vite krahasuar me Shqipërinë.
Të investojmë në arsim, duke mirëmenaxhuar financat publike, është shumë e rëndësishme, sepse kështu i ofrojmë më shumë mundësi brezit të ri, bëjmë vendin dhe ekonominë tonë më konkurruese, duke ngushtuar hendekun me vendet e Europës, si dhe kontribuojmë për një demokraci funksionale dhe qëndrueshmërinë, cilësinë e financave dhe shërbimeve publike (borxhi, arsimi, pensionet, shëndetësia etj.).
Një brez i ri i edukuar nxit mirëqeverisjen, kërkesën për llogaridhënien publike dhe luftën ndaj korrupsionit. Kjo temë është shumë e rëndësishme edhe në kushtet e krizës ekonomike nga pandemia. Brezi i ri, jo vetëm që është më i ekspozuar ndaj goditjeve të krizës, por po përballet me pengesa në arsimim, nga kufizimet e pandemisë, më pak investime në këtë sektor sot dhe nesër, si rezultat i goditjes së financave publike dhe ndërkohë, nesër do të jetë përgjegjës edhe për barrën e një borxhi më të lartë publik.
Kjo është shumë primare edhe në dritën e të dhënave për uljen e lindshmërisë dhe rritjen e moshës mesatare, ku sipas INSTAT “në 1 janar 2021, mosha mediane e popullsisë rezulton 37,6 vjeç nga 37,2 vjeç që ishte më 1 janar 2020. Më 1 janar 2021, raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) u zvogëlua, krahasuar me 1 janar 2020, nga 24,6% në 24,2%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) u rrit, nga 21,6% në 22,3% gjatë së njëjtës periudhë”.
Si rrjedhojë, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë për të zvogëluar hendekun me vendet e zhvilluara dhe të BE-së. Kjo është e rëndësishme për konkurrueshmërinë dhe mirëqenien, jo vetëm të brezit të ri, por edhe së gjithë shoqërisë.
Investimet në arsim
Tema e investimeve në arsim është shumë e rëndësishme në dritën e krizës nga pandemia. Gjatë kësaj krize, ne pamë që patëm çrregullime në funksionimin e sistemit të arsimit dhe që vende me kapacitete më të larta infrastrukturore (dhe këtu nuk përfshihen vetëm ato materiale si godina) mundësuan akses më të gjerë dhe më cilësor në arsim edhe gjatë pandemisë. Në SHBA, Federal Reserve, nga një studim i veti ka ngritur alarmin, duke theksuar se ndër më të goditurit nga kriza kanë qenë më pak të edukuarit.
Nën parimin e OKB “Bulding Back Better from Covid 19” dhe atë të Bankës Botërore “Building a Resilient and Inclusive Recovery”, Shqipëria duhet të fokusohet në një analizë se kë ka goditur më shumë kjo krizë dhe ndikimin e saj në pabarazinë ekonomike dhe aksesin në edukim. Gjithashtu duhet të bëhet një analizë dhe strategji se çfarë mësimesh nxorëm nga kriza në fushën e edukimit dhe si do t’i adresojmë këto probleme në rrënjë nga sot e tutje.
Ndërkohë, rindërtimi i objekteve arsimore të dëmtuara nga tërmeti, edhe me ndihmën e donatorëve, është kthyer në një mundësi për modernizimin e infrastrukturës arsimore në zonat e prekura. Shfrytëzimi i potencialit dhe mirëmbajtja e kësaj infrastrukture do të varet nga kapacitetet tona, veçanërisht njerëzore.
Shqipëria mund dhe duhet të bëjë shumë për nxitjen e edukimit cilësor edhe në kushtet aktuale të nënfinancimit publik. Për këtë duhet të fokusohemi në tre drejtime: 1. Krijimin e një tregu dhe shoqërie që e vlerëson dijen; 2. Prioritizimin si të rëndësisë kombëtare të arsimit parauniversitar; dhe 3. Shfrytëzimin me efikasitet të teknologjisë dhe burimeve tona njerëzore.
Strategjikisht, nëse ne nuk formojmë mirë brezin e ri, duke filluar nga parashkollori e deri në shkollë të mesme, çdo ndërhyrje në arsimin e lartë nuk është efikase, ndonëse mund të jetë politikisht avantazhuese në afatshkurtër. Duke u sjellë universiteteve nxënës të mirëformuar, si dhe duke krijuar një treg të lirë, që vlerëson dijen dhe jo “rent seeking”, rrjedhimisht kemi krijuar incentivat dhe kushtet e domosdoshme për një arsim të lartë cilësor në vendin tonë.
1. Krijimi i një tregu dhe shoqërie që e vlerëson dijen
Kryeministri i Izraelit, gjatë fjalimit në World Economic Forum 2021, i pyetur se çfarë mund të mësojnë vendet e tjera nga Izraeli për të përdorur teknologjinë, me qëllim adresimin e sfidave dhe problemeve, u përgjigj: “Mendoj se janë dy gjëra.
Shumë njerëz mendojnë se është edukimi dhe është niveli edukimit, veçanërisht arsimi i lartë. Po ky është një kusht i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm për zhvillimin e një ekonomie high-tech dhe inovative. Më e rëndësishmja, dhe unë do ta vija edhe përpara edukimit, është tregu i lirë. Ju nuk mund të inovoni në tregje të mbyllura”. Ai vijoi më pas të tregonte se si shumë profesionistë e fillojnë karrierën në sektorë publikë si mbrojtja, për të hapur pastaj bizneset në fushën e teknologjisë.
E përkthyer për Shqipërinë, kjo do të thotë se ne duhet të ndërtojmë një sistem ekonomik që vlerëson dijen. Nëse në tregun tonë nuk vlerësohet edukimi, kundrejt karakteristikave të tjera, investimet cilësore në këtë sektor, jo vetëm nuk do të rriten, por edhe as nuk do jenë efikase për t’u përkthyer në ekonomi. Në kushtet e pasigurive të larta në vendin tonë dhe kërkesës në rritje për kapital njerëzor të edukuar nga vendet e zhvilluara, Shqipëria do ta ketë të vështirë të mbajë brenda vendit njerëzit e mirarsimuar, nëse i konkurron padrejtësisht dhe nuk u krijon atyre mundësi për rritje.
Duke qenë se po flitet shumë së fundmi për largimin e të arsimuarve nga vendi, kjo gjë duhet të na bëjë të mendojmë se çfarë duhet të ndryshojmë në sistemin e vlerave që promovohen dhe sjelljet ekonomike që shpërblehen si të suksesshme.
Vlerësimi i edukimit dhe dijes në tregun shqiptar, kërkon që shteti dhe shoqëritë aksionere me kapital shtetëror, si aktorët kryesorë rregullatorë, ekonomikë dhe të punësimit në vend, me sjelljet dhe veprimet e tyre, të nxisin tregun e lirë dhe konkurrencën në përdorimin e fondeve publike, të shpërblejnë dijen në punësim (përfshi ato në sektorin e edukimit), dhe të ulin pasiguritë e larta dhe arbitraritetin që lind nga funksionimi i institucioneve publike.
Shteti nuk duhet të fokusohet vetëm në reformat në kahun e ofertës për kapital njerëzor (pra investime më të shumta dhe të mençura në arsim), por më e rëndësishme edhe se kjo, shteti duhet të fokusohet në kahun e kërkesës për kapital njerëzor cilësor (si garantues i rregullave të lojës për treg të lirë dhe si shpenzuesi/konsumatori/punëdhënësi më i madh në vend).
Duke rekrutuar vërtet njerëz të mirarsimuar dhe jo thjesht të pajisur me kartonin e diplomës, shteti fillon e ndikon pozitivisht edhe në rritjen e kërkesës në arsim, duke ushtruar trysni konstruktive në të gjithë zinxhirin arsimor. Në mënyrë që të jenë konkurruese, sipërmarrjet e një tregu të lirë kthehen në partnere të Universiteteve, duke kërkuar dhe duke vlerësuar financiarisht burime njerëzore cilësore. Fenomeni i të rinjve të pajisur me diplomë, por që mbetën jashtë tregut të punës, është studiuar gjatë në vende si India dhe Kina.
Ky fenomen është i dëmshëm jo vetëm për ekonominë, por edhe si ekspozim ndaj politikave populiste. Kjo dukuri gjithashtu dëmton rëndë vetë të diplomuarit, të cilët gjenden psikologjikisht të paralizuar për të hyrë në tregun e punës. Nga njëra anë, nuk gjejnë punë “zyre” për diplomën që kanë marrë (diçka që nuk i do) dhe nga ana tjetër ndihen “superiorë” për të filluar në punë që nuk kërkojnë diplomën që i është dhënë (diçka që ata nuk e duan).
Shumë nga deformimet që shohim sot në sistemin arsimor janë ndikuar drejtpërsëdrejti nga sjellja e shtetit si aktori kryesor në ekonominë e vendit. Së pari, shteti si punëdhënësi më i madh, në paralelizëm me Izraelin, ku sektori i mbrojtjes dhe kërkimit nxisin investime në teknologji dhe shkencë, duhet të rishikojë menjëherë kriteret e kahershme që mbizotërojnë në vendin tonë, ku kërkohet të jesh i diplomuar në juridik dhe/ose ekonomik për të fituar vendin e punës. Kjo ka sjellë dhe “bumin” e të diplomimeve në këtë fushë apo institucioneve të arsimit të lartë me vetëm këto fakultete. Punësimi në administratë duhet hapur menjëherë, dhe shkencave ekzakte dhe atyre të aplikuara, si fillim.
Për sa kohë që një matematicien, fizikan, statisticien, inxhinier, ekonomist informatik dhe programues mund të punojnë sot në Wall-Street nuk ka asnjë arsye që nuk bëjnë dot një punë në administratë, tatime apo dogana. Në këtë mënyrë, nxisim edukimin në këta sektorë me anë të kërkesës së brendshme. Nëse kjo nuk shihet si “policy” praktike, mund të vendoset që shteti merr në punë vetëm nga shkollat publike, e kështu nuk prishim tregun privat, duke stimuluar çdokënd me shpresë për një punë në administratë.
Shteti vendos qartazi ose të jetë aktor për mirë, ose të paktën të mos prishë punë, duke mbajtur përgjegjësi për ciklin edukativ të administratës publike. Në këtë mënyrë, të paktën, nuk çojmë disa nga sinjalet e gabuara në treg e duke mos mbajtur të tjerët varur, përtej atyre me tenderë për operatorët ekonomikë privatë.
Gjithashtu shteti, duhet me anë të kërkesave të veta për punësim, të mos nxisë më inflacionin e diplomave, që shërbejnë pastaj për vendosjen e kritereve përzgjedhëse ose të paarsyeshme për punësime në administratë si p.sh. masteri shkencor si në ekonomik, ashtu dhe në juridik. Në Shqipëri, vihen re me shqetësim persona me dy diploma bachelor, dy mastera shkencorë, apo dhe dy doktoratura. Fenomeni ndikohet në anën e kërkesës, pikërisht nga shteti dhe jo nga aktorët privatë të tregut. Kudo në vendet e zhvilluara, fenomene të tilla do të shiheshin me dyshim, ose në më të paktën do të konsideroheshin si “mbikualifikim”.
2. Prioritizimi, si të rëndësisë kombëtare, i arsimit parauniversitar
Shqipëria, ndryshe nga Izraeli, duhet të ketë një përqasje strategjike ndaj arsimit parauniversitar (përfshi arsimin profesional), si një pakt i madh kombëtar. OECD, në një raport të vitit 2020, shprehet se një pjesë e madhe e nxënësve në Shqipëri dalin nga arsimi i detyruar pa fituar aftësitë bazë të nevojshme për punën dhe jetën. Mbi gjysma e 15-vjeçarëve në Shqipëri nuk kanë aftësitë bazë në lexim (52.2%). 2 në 5 nga këta nuk kanë aftësitë bazë me numrat (rreth 40%).
Për vendet e OECD, këta tregues janë 22.6% dhe 24% përkatësisht. Për më tepër, thuhet në raport, 29.7% e nxënësve nuk kanë aftësi bazë në asnjërën nga tre fushat (lexim, matematikë, shkencë). Më poshtë paraqitet në mënyrë grafike vlerësimi mesatar i PISA-s në këto tre fusha për Shqipërinë, Izraelin dhe vendet e rajonit.
Pakti kombëtar për arsimin parauniversitar, i mbështetur financiarisht dhe me incentiva nga Buxheti i Shtetit, duhet të fokusohet në modernizimin e kurrikulave, ngritjen e infrastrukturës dhe kapaciteteve fizike, dhe mbi të gjitha, zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në fushën e edukimit. Shqipëria mund dhe duhet të angazhohet që brenda harkut kohor të 20 viteve të ketë sistemin e edukimit parauniversitar më të mirë në rajon.
Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që angazhimet dhe rezultatet e një përqasje të tillë për arsimin parauniversitar shkojnë përtej një mandati politik dhe prandaj kërkohet rënie dakord bipartizane, që procesi do të mbështetet në vazhdimësi dhe nuk do të përdoret apo ndryshohet për përfitime afatshkurtra politike.
Për shembull, vetëm në qershor të vitit 2020, Qeveria miratoi vendimin që të rinjtë të cilët do të aplikojnë për mësuesi në vitin 2021-2022 duhet të jenë me mesatare mbi 8. Ky standard duhet mbajtur nga çdo Qeveri nesër, jo vetëm duke e vendosur si kriter ligjor, por edhe duke e bërë më atraktive profesionalisht dhe financiarisht një karrierë në mësimdhënie. Punësimi në mësimdhënie duhet të qëndrojë larg politikës.
Sipas disa studimeve, kthimi në ekonomi nga investimi i një leku në arsim, është më i lartë në vitet e hershme të fëmijëve. Një lek i investuar në parashkollor jep një kthim nga 4 deri në 9 lekë sipas lëtyre studimeve.
Sa më lart mbështetet edhe në një studim të UNICEF për Shqipërinë, ku theksohet se “investimet duhet të jenë të mençura dhe eficiente. Ato duhet të fokusohen në nivelet e para të edukimit, veçanërisht në parashkollor, për të thyer ciklin e përjashtimit dhe për të sjellë një kthim më të lartë për ekonominë.”
3. Shfrytëzimi me efikasitet i teknologjisë dhe burimeve tona njerëzore
Qeveria shqiptare është angazhuar së fundmi për të përfshirë në kurrikulat e arsimit fillor programimin dhe gjuhën angleze. Kjo politikë është për t’u përgëzuar dhe duhet të mbështetet me kapacitetet e përshtatshme infrastrukturore dhe njerëzore.
Ndërkohë që shumë nga politikat në arsimin parauniversitar kërkojnë vite të japin rezultate, Shqipëria mund të përfitojë ndërkohë nga disa politika të mençura, falë edhe teknologjisë. Vendi ynë do të përfitonte jo vetëm duke shtuar investimet publike në arsim, por edhe duke përdorur burimet aktuale në mënyrë më eficiente dhe të mençur. Kjo bëhet duke menduar strategjikisht ku duhen investuar fondet publike, duke ulur shpërdorimin e tyre, duke marrë maksimumin dhe më të mirën e asaj që teknologjia ofron falas, dhe duke përdorur maksimalisht të gjitha burimet tona njerëzore.
Së pari, Shqipëria duhet të maksimizojë përfitueshmërinë nga modulet e huaja dhe pa pagesë të edukimit të fëmijëve. Pajisja me një tablet apo smartphone të familjeve, sidomos atyre me më pak mundësi ekonomike, është një hap i domosdoshëm, por i pamjaftueshëm.
Ajo që ti merr nga potenciali i një smartphone varion nga individi në individ dhe nga familja në familje. Shpeshherë, prindërit nuk e dinë ku dhe çfarë të kërkojnë për fëmijët e tyre. Për këtë arsye, duhet të krijohen menjëherë materiale të lehta informuese dhe edukuese për prindërit mbi modulet që mund t’i vendosin fëmijëve të tyre për të ndjekur në tableta dhe smartphone sipas moshës.
Gjithashtu është e rëndësishme të përdorim me efikasitet vlerat dhe potencialin më të mirë të profesionistëve tanë sonë sot. Shqipëria ka sot të rinj të mirarsimuar dhe të suksesshëm, të cilët duhet të shërbejnë si shembull suksesi për t’u ndjekur. Shembujt e mirë të suksesit, sidomos në zona të varfra të Shqipërisë, të cilët mund të mos kenë akses në shembuj apo përvoja të ndryshme jetese se çfarë ka pasur komuniteti i tyre, çlirojnë te fëmijët një potencial të jashtëzakonshëm në përmbushjen e ëndrrave të tyre.
Nxitja e ndërveprimit të kapitalit njerëzor dhe në zonat më të izoluara është e frytshme si për banorët e këtyre zonave, por ofron edhe një përvojë përmbushëse për të rinjtë dhe profesionistët që mund të angazhohen në këto nisma, duke qenë më të ndërgjegjshëm për kontekstin dhe duke ofruar mundësinë e të dhënit sa do pak nga vetja e tyre.
Një nga shembujt e shumtë të suksesshëm në botë sot është dhe Teach for Amerika. Nën këta shembuj, qeveria, biznesi dhe sipërmarrës të angazhuar mund të mbështesin financiarisht dhe me incentiva të rinjtë e shkëlqyer nga të gjitha fushat për të dhënë mësim deri një semestër për fëmijët e zonave më të varfra të vendit. Këta të rinj lehtësisht mund të japin një klasë apo modul pedagogjik, ndërkohë do të hapnin dhe një dritare të re drite me shembullin e tyre si profesionistë.
Kjo praktikë, e cila do të zgjidhte mungesën me staf pedagogjik në disa zona që nuk janë atraktive dhe për tema që vështirë gjen staf për të pasuruar kurrikulën si arti dhe kultura, mund të ofrohet aktualisht në format virtual, duke e bërë më lehtësisht të zbatueshme, dhe gradualisht të kthehet edhe klasë.
Një semestër në një shkollë fillore në një zonë të varfër nuk është dënim, por një mundësi për të rinjtë që të lidhur me vendin dhe fëmijët, krijojnë përvojë emocionale dhe profesionale. Kjo praktikë mund të zgjerohet me anë të teknologjisë edhe te pedagogë a mësues të qyteteve tona të dalë në pension, të cilët kanë ende shumë për të ofruar për brezin e ri kudo në Shqipëri.
*Pedagog në Universitetin e Nju Jorkut, opinionet janë personale të autorit