Udhëtim në kanionet e Osumit, që po kthehen në një atraksion të rëndësishëm turistik për të huajt dhe vendasit. Si shpëtoi kjo bukuri e natyrës nga dora shkatërruese e njeriut, që donte ta shfrytëzonte për ndërtimin e një hidrocentrali të vogël, por që do të kishte një dëm të pariparueshëm për turizmin dhe mjedisin
Zamo Spathara, president i Albania Rafting Group, është serioz, i prerë dhe i qartë, kur shpjegon rregullat që duhet të ndjekë grupi i gazetarëve, që pasi është pajisur me veshjet e posaçme dhe kokoren mbrojtëse, po përgatitet të bëjë rafting në Kanionet e Osumit. I kujdesshëm deri në detaj, ai paralajmëron se duhen ndjekur me përpikëri udhëzimet e shoqëruesit të çdo gomoneje, që janë disa djem të fuqishëm e të mirëtrajnuar. “Mbani të gjithë ritmin, ky është një udhëtim në grup”, pohon ai.
Disa prova në tokë dhe nisja e grupit të ndarë në disa gomone nuk vonon. Frikës së fillimit ia zë vendin adrenalina që sa vjen e rritet, teksa rrjedha e ujit hera-herës bëhet më e fortë. Vozitja në rrjedhën e rrëmbyeshme përmes grykave që herë zgjerohen e herë ngushtohen, sado që kërkon përqendrim, nuk arrin të të shmangë vëmendjen nga bukuritë që shtrihen në të dy anët e kanionit. Ndërthurja e skarpateve të kanionit me bimësinë dhe qiellin, të bëjnë të zhytesh në një botë tjetër surreale, larg zhurmës dhe stresit të përditshëm.
Kanioni është krijuar prej forcave gërryese dhe tretëse të lumit Osum, të ushtruara në masën shkëmbore gëlqerore të strukturës antiklinale të Çorovodës, dhe është rreth 13 km i gjatë, nga 4 deri në 35 metra i gjerë, i thellë deri në 70-80 metra, me shpate vertikale. Koha e formësimit të tij mendohet të jetë 2 deri në 3 milionë vite më parë.
Ujëvarat janë një tjetër surprizë që i shtojnë më shumë adrenalinën udhëtimit, teksa shoqëruesi i grupit e fut gomonen poshtë saj dhe uji bie me furi mbi kokat tona. Ashtu si në përrallë, ato kanë nga një emër, që përputhen me magjinë dhe formën e tyre dhe i ngjajnë një historie romantike dashurie. “Ujëvara e Dashurisë”, quhet e para. Më pas vjen “Vello e nuses”. Pak më tutje, një tjetër që ata e kanë pagëzuar me emrin “Ujëvara e Shampanjës”. Ëmbëlsia vazhdon me “Ujëvarën e Sheqerit”, por më pas, ashtu si në përrallë nuk mungojnë elementet e papritura, me “Kokën e Krokodilit” dhe “Portën e Djallit” Një tjetër ka mbetur ende pa emër dhe është në pritje të propozimeve nga turistët. Në total janë tetë ujëvara, ku secila është unike në magjinë dhe misteret e veta.
Në një moment të udhëtimit, Blerina, që prej vitesh ka promovuar kanionet e Osumit tregon një ujëvarë, atë të Bigazit, që bie me furi nga lart. “Pikërisht këtu ishin planifikuar që të ndërtoheshin dy hidrocentrale dhe një tjetër do të ishte pak më poshtë”, thotë e pezmatuar ajo. Uji do të futej në tub dhe presioni i tij do të përdorej për të krijuar energji elektrike.
Anëtarët e Albanian Rafting Group as nuk duan ta mendojnë se çfarë do të ndodhte nëse ato do të ishin lejuar. “HEC-et që ishin planifikuar të ndërtoheshin pranë ujëvarës së Bigazit kërcënonin ekosistemin miliona vjeçar të kanioneve”, thotë Zamo. Ai shton se qëllimi i këtij udhëtimi është për të na treguar se çfarë do të humbisnim nëse ndërtoheshin ato HEC-e dhe sa bukur është kur lumi lihet të rrjedhë i lirë.
“Bota nuk i ka të tillë kanione dhe lumenj dhe i krijon artificialisht duke investuar miliona euro. Ne, këtë thesar na e ka falur Zoti dhe natyra, e duam ta shkatërrojmë. Ky kanion është pasuria jonë e përbashkët. Secili prej nesh ka një pjesë aty dhe të gjithë duhet ta mbrojmë, pasi përvojat e shteteve më të zhvilluara dhe vitet e kanë treguar se të ardhurat që sjell turizmi i përgjegjshëm janë shumë më të mëdha dhe shpërndahen në gjithë komunitetin, duke krijuar vende pune krahasuar me ndikimin që ka një HEC, i cili e fokuson fitimin në vetëm pak persona. Jam besimplotë se ekoturizmi dhe turizmi i aventurës, nëse zhvillohen me zgjuarsi duke ruajtur me fanatizëm natyrën, do të jenë e ardhmja e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë”, thotë Zamo Spathara, president i Albanian Rafting Group.
“Njoftimi për ndërtimin e 3 HEC-eve në kanionet magjike të Skraparit ishte si një rrufe në qiell të hapur”, thotë Doina Huso, zv/presidente, Albania Rafting Group. Ishte e pabesueshme. Ajo shton se u siguruan që qeveria shqiptare të informohej në lidhje me atë katastrofë natyrore që do t’i ndodhte një prej bukurive më të mëdha jo vetëm të Shqipërisë, por edhe Europës.
“Kishim bindje që do të kishte një reagim të shpejtë të institucioneve qendrore. Ishte i pari ministri Blendi Klosi, i cili erdhi dhe inspektoi situatën në terren dhe më pas një reagim i vetë Kryeministrit Edi Rama për anulimin e HEC-eve. Në kanionet e Osumit nuk do të ndërtohet asnjë HEC!”.
Çështja tani ka kaluar në gjykatë. “Besojmë se gjykimi më i madh për këtë kauzë ishte ai i mbarë qytetarëve brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë”, thotë Doina.
Kanioni i Osumit ka qenë thuajse i pashfrytëzuar për qëllime turistike deri në fillimin e viteve ’90. Pas viteve ’90 filluan ta vizitojnë turistë të huaj, kryesisht italianë dhe francezë, të cilit e kanë kthyer në një rit të përvitshëm.
Sporti i rafting kaloi në nivel profesional një dekadë më parë, kur u themelua dhe Albania Rafting Group. Doina Huso, zv/presidente, Albania Rafting Group, thotë se në fillim, turistët nuk i kalonin 40-50 persona në vit, ndërsa vitin e kaluar, numri i tyre arriti në 6,000 në lumenjtë e Osumit dhe Vjosës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.