Kempinski është sinonimi i luksit. Ky grup i hoteleve me pesë yje ka shkuar në një tjetër nivel me hotelin e ri në Bali.
Në hotelin e tyre që ndodhet në këtë parajsë indoneziane, ata kanë hapur një restorant elegant brenda një akuariumi. Restoranti Koral në Apurva Kempinski është një mundësi unike për të shijuar ushqimin gourmet, teksa jeni i rrethuar nga jeta detare.
I hapur në vitin 2019, Restoranti Koral është i pari restorant në Bali i ndërtuar nën ujë. Shefi Andrea Astone drejton kuzhinën, e cila përgatit “gatimet elegante të frymëzuara nga shijet bregdetare indoneziane dhe të krijuara nga përbërësit vendas”.
Teksa klientët shijojnë vaktin e tyre, ata bëhen pjesë e një atmosfere të jashtëzakonshme. Dizajni i brendshëm është frymëzuar nga historia indoneziane, veçanërisht nga perandoria Mahapajit, e cila sundoi nga shekulli i 13-të deri në shekullin e 16-të.
Muret janë ndërtuar me tulla balte të kuqe, të cilat përdoreshin edhe në perandorinë Mahapajit. Këto tulla, së bashku me tavanet e drurit, bëhen si kornizë në mënyrë të përsosur për akuariumin. Pllakat e stilit tegel që ndodhen në dysheme janë një reminishencë e atyre që janë përdorur në oborrin historik mbretëror.
Duke u frymëzuar nga historia, Kempinski ka mundur të ngrejë nivelin e këtij restoranti unik dhe t’i japë atij një shtresë tjetër elegance të rafinuar.
Për ta bërë më unike këtë përvojë, vizitorët do të përjetojnë edhe tingujt që “kapin magjinë dhe misterin e jetës nënujore”. Në këtë mënyrë, një vakt në restorantin Koral është një përvojë e plotë për të gjitha shqisat.
I hapur si për drekë, ashtu edhe për darkë, me rezervime që duhen bërë paraprakisht, ky është një vend që duhet vizituar patjetër nga kushdo që dëshiron të përjetojë një përvojë unike të shijimit të ushqimit nën ujë. / My Modern Met