Telenovela në lidhje me rinovimin e kontratës së Lionel Messi-t me Barcelonën po shkon drejt
fundit. Sipas Marca-s është arritur një akord mes argjentinasit dhe klubit katalanas – marrëveshja aktuale e të cilit përfundon në vitin 2018 – që do ta bëjë futbollistin më të paguar në Europë.
Nga kjo marrëveshje Messi do të fitojë 35 milionë euro në sezon – kjo do të bëhet e ditur sapo Barça të mbyllë bilancin financiar.
Duket se nuk ka më dyshime për Pleshtin, që ndihet mjaft mirë bashkë me familjen në qytetin katalan.
Thuhet se bashkëshortja, Antonella, ka pasur një rol deciziv në këtë marrëveshje – Messi do ta linte Barcelonën vetëm për t’u rikthyer në vendlindje dhe se për lojtarin, prioritet është familja – fëmija i parë frekuenton tashmë akademinë e blaugranave së bashku me fëmijët e Pique’ dhe Suarez.
Siç bëhet e ditur, prioriteti i klubit për momentin është të mbyllë bilancin në aspektin e pagave që në sezonin aktual (2016-2017) kanë prekur shifrën e 100 milionë euro neto, duke marrë në konsideratë vetëm dhjetë lojtarët më të paguar.
Megjithatë klubi nuk ka burime të pakufizuara të ardhurash dhe duhet të bëjë mirë llogaritë me rregullat e vendosura nga Fair Play Financiar.