Grupet e Big Tech, janë të parët, që përballen me hetime të plota, sipas Aktit të ri të Tregjeve Dixhitale të bllokut.
BE-ja ka nisur hetimet ndaj Apple, Alphabet dhe Meta, në përdorimin e parë të ligjti të ri historik të krijuar, për të frenuar fuqinë e tregut të Big Tech.
Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i bllokut, njoftoi hetimet zyrtare e nisura rreth çështjes, nëse pronari i Apple dhe Alphabet, po favorizonin në mënyrë të padrejtë ‘dyqanet’ e tyre të aplikacioneve (App Store dhe Play Store), si dhe përdorimin e të dhënave personale nga Meta për reklama.
Hetimet bien nën Aktin e Tregjeve Dixhitale (Digital Markets Act, DMA), i cili është krijuar për të trajtuar dominimin e të ashtuquajturve “portierë” dixhitalë (gatekeepers) – platformat më të mëdha në internet – dhe hyri në fuqi në fillim të këtij muaji.
Nëse shpallen fajtore për mospërputhje, kompanitë përballen me gjoba të mëdha, që mund të arrijnë deri në 10 % të xhiros globale.
Legjislacioni, kërkon që kompanitë të lejojnë zhvilluesit e aplikacioneve, të “drejtojnë” përdoruesit drejt produkteve përtej platformave të tyre, pa i tarifuar ata për ta bërë këtë. Ai gjithashtu thekson se, platformat që ofrojnë rezultate kërkimi, duhet të trajtojnë listën e shërbimeve të palëve të treta, në një mënyrë “të drejtë dhe jodiskriminuese”.
Komisioni tha, se ishte i shqetësuar, që Apple dhe Alphabet, kishin ndërmarrë veprime, që kufizonin zhvilluesit dhe programuesit, për të promovuar shërbime të tjera.
KE shtoi se po shikonte shërbimet, duke përfshirë Google Shopping dhe Google Flights, nëse kompania po u jepte përparësi këtyre në rezultatet e kërkimit.
Komisioni tha se po shqyrtonte nëse Apple, po përmbushte detyrimet për t’i lejuar përdoruesit “të çinstalojnë lehtësisht çdo aplikacion softuerësh” në sistemet e tij operative iOS, dhe të ndryshojnë cilësimet e paracaktuara dhe motorët e kërkimit.
Ai hapi gjithashtu procedime, kundër Metës, nëse modeli i ri i abonimit “pay or consent” i grupit, përputhej me kërkesën e DMA, për kompanitë teknologjike, për të marrë miratimin e përdoruesit, për të përdorur të dhënat e tyre personale, të tilla si për qëllime reklamimi.
Thierry Breton, komisioneri i BE-së për tregun e brendshëm, tha se pavarësisht masave të marra nga kompanitë e teknologjisë për t’iu përshtatur DMA, “nuk jemi të bindur, që zgjidhjet e Alphabet, Apple dhe Meta, respektojnë detyrimet e tyre, për një hapësirë dixhitale më të drejtë për qytetarët dhe bizneset europiane”.
DMA ka krijuar një kornizë rregullash, për të detyruar kompanitë e Big Tech, të bëjnë ndryshime në operacionet e tyre, në mënyra që lejojnë konkurrencë më të madhe në tregjet dixhitale.
Lëvizjet vijnë një muaj pasi BE-ja, njoftoi një gjobë prej 1.8 miliardë eurosh, për parandalimin e aplikacioneve të transmetimit të muzikës si Spotify, që të informojnë përdoruesit për ofertat më të lira. Departamenti Amerikan i Drejtësisë, njoftoi javën e kaluar, se po padit Apple për përdorimin e fuqisë së saj në sektorin e smartfonëve, për të mposhtur konkurrencën.
Alphabet dhe Meta, kanë qenë gjithashtu rregullisht në pikëpyetje të rregullatorëve në BE dhe më gjerë, vitet e fundit.
Brukseli, shpreson të përfundojë hetimet e tij brenda një viti. Afati kohor, është më i shpejtë se sa shumë vite, që i janë dashur historikisht për t’u marrë me hetimet antitrust. / FT