Kanë investuar në teknologji moderne në përpunimin e qumështit, por po vuajnë problemet në zinxhirin e furnizimit me lëndë të parë. Ulja e konkurrueshmërisë dëmton prodhimin vendas, në favor të importit. Pse sipërmarrësit vendas po arrijnë të gjejnë me vështirësi terren në një treg që ka hapësira të shumta
Nga Ledina Loga
Prej muajsh, e gjithë vëmendja dhe energjitë e Nikolin Jakës janë përqendruar në sipërmarrjen e tij të re, atë të fabrikës së përpunimit të qumështit, Ambla, të cilën e bleu pak kohë më parë. Problemet janë shumë më të mëdha sesa e mendoi në fillim, kur vendosi t’i hyjë këtij investimi. “Industria e qumështit, të paktën për këtë vit që unë jam brenda këtij sektori, është ndër më informalet që ekziston në Shqipëri. Pothuajse e barasvlershme me të gjithë industritë në sektorin e bujqësisë (fruta-perime etj.)”, thotë ai.
Që nga tregtimi i racës së bagëtive e gjedhëve, rendimenti e cilësia e tyre e deri te fermat e vogla të copëzuara, që nuk mundësojnë krijimin e ekonomisë së shkallës, janë shumë hallka që nuk funksionojnë në zinxhirin e përpunimit të qumështit, duke e bërë këtë industri, që ka tërhequr investime të shumta vitet e fundit, jokonkurruese.
Edhe operatorë që veprojnë prej kohësh në industrinë e qumështit e vlerësojnë një treg të vështirë. “Të bësh biznes në fushën e grumbullimit, përpunimit dhe tregtimit të qumështit nuk është aspak e lehtë, pasi janë një sërë faktorësh që ndikojnë në produktin final”, thotë Saimir Begaj, administrator i kompanisë Erzeni.
Shifrat janë dhe ato pesimiste. Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë flasin për një rënie të prodhimit vendas të qumështit të përpunuar në 2015-n, që është zëvendësuar me më shumë importe.
Fermat e copëzuara rrisin kostot dhe e bëjnë industrinë jokonkurruese
A-ja e problematikave të këtij sektori mbetet grumbullimi i qumështit dhe copëzimi i fermave, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 5 krerë bagëti. Kompanitë pohojnë se operojnë ende duke grumbulluar qumështin nga shumë fermerë, që kryesisht janë trajnuar nga vetë ata për t’jua sjellë lëndën e parë në kushtet që e duan. Firmat përpunuese të qumështit vuajnë kufizimet e furnizimit dhe siguria e cilësisë së lëndës së parë është thembra e Akilit në këtë proces.
“Çmimi i lëndës së parë në vendin tonë është më i shtrenjtë sesa gjithë vendet e tjera të rajonit. Te ne, çmimi i qumështit në ferma varion nga 44 lekë deri në 58 lekë për litër, ndërsa në Hungari, çmimi i qumështit shkon edhe 28 cent për litër”, – tha Luis Ndreka.
Nikolin Jaka thotë se që një fermë të jetë eficiente, minimumi i kapacitetit është jo më pak se 600 (lopë) dhe rentabiliteti më i mirë arrin në 1200 të tilla. Një fermë e përmasave të tilla mundëson investimin në teknologjinë e mjeljes dhe atë të tregtimit.
“Sot nuk ka asnjë në Shqipëri, as me 600 dhe as me 1200. Por nga të gjithë analizat del se nuk kemi parë një projekt që qeveria të orientojë iniciativa të fermerëve, në këto përmasa, por vazhdojnë që të suportohen projekte të vogla, qoftë edhe me 2 apo 5 lopë, gjoja duke i shërbyer punësimit dhe mirëqenies familjare, ndërkohë që nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse fusin një produkt të kontaminuar në tregun e industrisë së qumështit”, thotë Jaka.
Lënda e parë e shtrenjtë e bën industrinë pak konkurruese dhe ajo nuk ka diferencë në raft me produktet e importit. P.sh., Gjermania ose Hungaria sot e çon lëndën e parë për përpunim në Itali me 0.18 euro (rreth 25 lekë) për litër. Si rrjedhojë, çmimi përfundimtar pas përpunimit, del më i shtrenjtë për përpunuesit vendas. “Çmimi që ne blejmë lëndën e parë është i barabartë me atë që gjermanët kanë në raftet e marketit për t’u shitur”, thotë Jaka. E gjitha kjo, sipas tij, vjen si rrjedhojë e mungesës së zinxhirit të lëndës së parë dhe mungesa e politikave të duhura të qeverisë, për të strukturuar dhe për të garantuar këtë sektor.
Vetë Jaka thotë se ai po studion një variant për të marrë qumështin (lëndën e parë për përpunim) nga Çekia me 45 lekë për litër dhe me cilësi shumë të mirë.
I vetmi investitor i huaj që hyri pak vjet më parë në industrinë e përpunimit të qumështit, kompania gjermane Meggle, duke blerë markën Fast në 2010-n, u tërhoq në mars të vitit 2015. Gjatë 2014-s, kompania rezultoi me humbje sistematike. Arsyeja kryesore duket se ishte konkurrenca e pandershme. Meggle blinte qumësht cilësor te furnitorët me 50 lekë për litër, ndërsa kompanitë e tjera e grumbullonin jo më shumë se 30 lekë për litër, duke mos respektuar standardin. Në këtë mënyrë, Meggle e ka pasur të pamundur të përballojë kostot, duke ofruar çmime konkurruese. Për ironi, Meggle vijon të jetë e pranishme në supermarketet shqiptare, por tashmë me qumësht të importuar të markës së saj.
A është zgjidhje subvencionimi
Luis Ndreka, drejtor i “Lufra”, thotë se një zgjidhje për të rritur konkurrueshmërinë është subvencionimi. “Në vendet e rajonit dhe ato të zhvilluara, shteti subvencionon zhvillimin e bujqësisë dhe kjo e ul koston e prodhimit të lëndës së parë. Ndryshe ndodh në Shqipëri, ku realisht këtë ‘subvencion’ po e bëjnë kompanitë e bulmetit, duke e blerë qumështin me një çmim të shtrenjtë”.
Saimir Begaj, drejtor i kompanisë “Erzeni”, sjell shembullin e rajonit. Kosova, edhe pse me problematikat e pas luftës, në drejtim të bujqësisë ka bërë një progres të konsiderueshëm, kryesisht duke e nxitur fermerin me anë të subvencioneve mbi bazën e cilësisë. Kjo gjë përkthehet me përmirësimin e racave të bagëtive dhe përmirësim të kushteve higjieno-sanitare të pasmjeljes.
“TVSH-ja në Kosovë për produktet e bulmetit është diku te 7-8% si në blerje ashtu edhe në shitje. Çmimi i shitjes së qumështit me sa di unë është diku te 25-27 cent/litër përfshirë TVSH-në ndërsa këtu te ne shkon mbi 40 cent/litër përfshirë TVSH-në. Kurse çmimet e shitjes së produkteve të gatshme në Kosovë janë sa te ne, vetëm se janë në euro, nëse atje 1 kg kos shitet 1.1 euro këtu te ne shitet 110 lekë/kg”. E njëjta situatë, por edhe më lirë, është në Maqedoni, Slloveni, Bullgari etj.,- ka shtuar zoti Begaj.
Fermat e vogla vështirësojnë kontrollin e cilësisë
Krahas kostos së lartë, fermat e copëzuara kanë edhe një tjetër problem madhor, kontrollin e cilësisë. Rreziku qëndron se edhe një sasi tepër e vogël e qumështit të kontaminuar mund të prekë të gjithë prodhimin.
Procesi i integrimit në Bashkimin Europian pritet të jetë një tjetër sfidë për industrinë e qumështit. Nëse nuk zgjidhen problemet e kontrollit të cilësisë në gjithë zinxhirin e saj (duke filluar nga matrikullimi i plotë i bagëtive), shumë kompani mund të rrezikojnë mbylljen.
Alban Zusi, ish zëvendës ministër i bujqësisë dhe sipërmarrës thotë se “Sektori i përpunimit të qumështit, industria që përpunon fruta- perime (p.sh., fërgesa, specat apo kastravecët turshi), industria e prodhimit të mishit të pulës dhe ajo e ëmbëlsirave, që përdor qumësht e vezë pritet të jenë më të goditurat, pasi do të vihen para detyrimit të investimeve të mëdha dhe të menjëhershme në momentin e imponimit të masave të sigurisë ushqimore nga BE”.
Raport progresi i Bashkimit Europian për vitin 2015 e vë theksin në domosdoshmërinë e kontrollit të lëndës së parë. “Frekuenca e monitorimit mikrobiologjik e qumështit të papërpunuar duhet të rritet në linjë me rregulloret në fuqi dhe duhen përshpejtuar masat që i detyrojnë prodhuesit të përshtasin praktikat e mira të higjienës në lidhje me prodhimin e qumështit më të sigurt”, thuhet në raport.
Ndryshojnë preferencat e konsumatorëve
Nga të dhënat e publikuara nga INSTAT në vitin 2013 numëroheshin në Shqipëri 305,839 ferma, të cilat merren me blegtori dhe kultivim bimësh. Ndonëse INSTAT nuk bën ndarje sipas madhësisë, pjesa më e madhe e tyre janë me 3-5 krerë bagëtie dhe shumë më pak fermat të cilat janë të specializuara.
Nga të dhënat për numrin e krerëve rezulton se ka rënie të numrit të lopëve dhe deleve nga 2014 në 2015, ndërsa numri i dhive ka ardhur duke u rritur. Ky fenomen mund të jetë shkaktuar si pasojë e një ndryshimi në preferencat e konsumatorëve për të konsumuar produkte që vijnë nga qumështi i dhive. Qumështi i dhive njihet për përmbajtjen e paktë të yndyrave.
“Ajo çfarë unë shoh në këtë industri është se të lë për të dëshiruar aktualiteti ku ne ndodhemi, sepse kemi një sistem fermash blegtorale të ngritura në mënyrë të paorganizuar dhe të copëzuar. Nëse për krerë bagëtish jemi në nivele që barazojmë Bashkimin Europian, jemi aq të paorganizuar në administrimin e tyre sa cilësia e produktit të ardhur nga këto ferma, është në nivele jashtëzakonisht të ulëta”, thotë Jaka.
Ai shton se është i sigurt se nëse do të ketë vullnet politik, nëse do ketë edhe projekte, pasi BE është e gatshme që të japë grante për standardizimin e kësaj industrie, rezultatet do të jenë të prekshme dhe pozitive për këtë industri.
“Është e rëndësishme që të ketë një reformë rrënjësore në këtë sektor, ashtu sikurse është i rëndësishëm inventarizimi i tokës bujqësore, në mënyrë që të dimë saktësisht se sa kapacitete reale që kemi ne, për t’i vendosur në funksion të kësaj industrie”.
Ulja e konkurrueshmërisë, rritet importi, tkurret prodhimi
Nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë, prodhimi total i qumështit nga 2014 në 2015 ka pësuar një rënie, për dy arsye. Së pari ka një rënie të gjedhëve dhe deleve. Së dyti, Meggle doli nga tregu në muajt e parë të 2015-s.
Ndërsa prodhimi total shënon rënie, importi i qumështit për vitin 2015 ka treguar rritje. Vjet importohej nga Shqipëria 8,905 tonë qumësht, kurse gjatë 2015 janë importuar 10,093 tonë, duke shënuar një rritje me 13%.
Pra, biznesmenët shqiptarë nuk shikojnë përfitime nga investimet në këtë industri, duke qenë se mund të fusin qumësht nga importi me kosto më të ulët.
Sipërmarrësit po tentojnë të mbyllin vetë ciklin
Problemet me sigurimin e lëndës së parë po i shtyjnë bizneset të investojnë vetë në mbylljen e ciklit, duke ndërtuar ferma të mëdha. Nikolin Jaka e ka në plan një gjë të tillë, por problem mbetet mungesa e financimeve nga bankat.
Ndreka i “Lufra”-s thotë se është në planet e kompanisë që të investojnë për të krijuar fermat e veta. “Ne vazhdimisht kemi investuar në hallkën e parë të këtij zinxhiri. Kemi investuar duke krijuar disa pika grumbullimi. Investimi më i rëndësishëm janë trajnimet për fermerët e vegjël e të mëdhenj. Gjithashtu kemi punësuar veterinerë, të cilët japin vazhdimisht njohuritë e tyre mbi mirëmbajtjen e kafshëve, kushtet e mjeljes e deri te përzgjedhja e ushqimit të kafshëve”.
Një shembull pozitiv vjen nga sipërmarrësi Petrit Ago. Ai po tenton të krijojë ciklin e mbyllur në bujqësi në industrinë e qumështit. Pranë Fushë-Krujës, në fund të rrugës përbri malit të Krujës, ai ka ngritur fermën më të madhe në vend me mbi 400 lopë, 1500 dele dhe 400 dhi alpine që janë të sistemuara në mbi 13 stalla në një ambient të ngritur krejtësisht për to, ndërsa çdo gjë është e automatizuar, nga mjelja te depozitimi frigoriferik, sterilizimi, kontrolli i cilësisë. Ferma që prodhon 7 tonë qumësht në ditë do të furnizojë fabrikën që është në përfundim e sipër afër saj (me kapacitet përpunimin e 48 tonë qumësht, djathë dhe kos), teksa rrjeti i shpërndarjes me pakicë është i ngritur. Ago e shikon të ardhmen në eksportin e djathit me feta në tregjet e Bashkimit Europian, ku kërkesa është e madhe.
Ushqimi i kafshëve është një tjetër problem për industrinë. Copëzimi i tokës bujqësore në ferma jo më shumë se 1.3 hektarë është një problem madhor edhe për funksionimin e fermave të mëdha blegtorale. Ago e importon rreth 70% të bazës ushqimore që nga Spanja, Greqia, Maqedonia etj. Tregu vendas nuk mund t’i sigurojë atij furnizime të mjaftueshme. Edhe pse ka bërë mjaft takime me fermerë në zona të ndryshme, ata nuk kanë rënë dakord të bashkojnë tokat për të siguruar jonxhën e bagëtive.
E ardhmja është aty, po të shfrytëzohet
Pavarësisht problemeve që ka industria e përpunimit të qumështit, operatorët janë optimistë për të ardhmen. Sot, pjesën më të madhe të konsumit e zë qumështi i rrugës dhe nëse tregu do të standardizohet, hapësirat për investitorët seriozë, që plotësojnë standardet e imponuara nga BE do të jenë të mëdha.
“Sot Shqipëria ka shifra të frikshme të konsumimit të qumështit”, thotë Jaka. “Nëse vendet e BE-së konsumojnë 96% qumësht UHT dhe 4% konsumojnë qumësht të freskët nga ferma; Kosova e ka raportin 84% me 16%; kurse Shqipëria është në shifra alarmante në këtë sektor: ne jemi 9% UHT dhe 91% është konsum qumështi ferme, që ne nuk i dimë origjinën”.
Konkurrenca e dy të mëdhenjve
Në prill të 2016-s, Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e përpunimit dhe tregtimit të qumështit të ambalazhuar dhe nënprodukteve të tij, ndaj ndërmarrjeve “Lufra” sh.p.k. dhe “Erzeni” sh.p.k. me objekt ekzistencën ose jo të një marrëveshje të ndaluar ose abuzimin ose jo me pozitën e përbashkët dominuese në tregun përkatës.
Sipas analizës së Autoritetit të Konkurrencës, të dyja kompanitë zotërojnë 75-80% të tregut sipas sasisë dhe vlerës së shitur të produkteve në tregun përkatës, për periudhën janar 2014 – 31 janar 2016, ekzistojnë shenjat e një kufizimi të mundshëm të konkurrencës.
Nga analiza e trendit të çmimit mesatar mujor të shitjes së qumështit të ambalazhuar me shishe plastike 1.4 litra, kosit të ambalazhuar 350/380 gr, kos i ambalazhuar me shishe 0.95 / 1 litër, për periudhën 2014 – janar 2016, vërehet se ndërmarrjet “Lufra” dhe “Erzeni” aplikojnë çmime të shitjes me shumicë të këtij produkti me ndryshime shumë të vogla nga njëri-tjetri, çmimet e tyre janë më të larta se të konkurrentëve të tjerë më të vegjël të tregut, si dhe çmimet e shitjes me pakicë janë të caktuara dhe pa luhatshmëri sezonale.
Fakti i marrëveshjes se fshehtë midis dy kompanive apo përfitimi nga pozita dominuese, u mohua nga zoti Saimir Begaj.
“Nuk kemi kontakte fare me njëri-tjetrin dhe grihemi çdo ditë me oferta në dyqane se cili do t’i ketë më të larta duke ulur çmimin edhe më shumë”,-ka thënë ai për revistën.
Të pyetur për konkurrencën brenda tregut vendas, drejtuesit e dy kompanive që ndajnë pjesën më të madhe të tregut mbajnë qëndrime të ndryshme.
Luis Ndreka thotë se konkurrenca nxit zhvillimin. Ndërsa zoti Begaj na ka treguar pak më shumë për ashpërsinë që ka ky treg, ku për të qenë sa më konkurrues kanë ulur çmimet, edhe pse operojnë nën kosto të larta.
Të dy drejtuesit, “Erzeni” dhe “Lufra”, janë shprehur se e kanë mbyllur vitin 2015 me rritje.
“Erzeni” dhe “Lufra” raportojnë përkatësisht 15 dhe 25% rritje dhe thonë se kjo ka ardhur nga diversifikimi i llojshmërisë së produkteve që ofrojnë.
Por, pika ku dështojnë të gjithë, është furnizimi. Pavarësisht se kompanitë kanë investuar në hallkën e parë të zinxhirit, si një mënyrë për t’u integruar vertikalisht, e kanë të pamundur të plotësojnë të gjitha nevojat e tyre për lëndë të parë. Konkretisht, kompania “Lufra”, thotë se po punon me 70% të kapacitetit dhe aktualisht janë në kulmin e sezonit. Kjo shifër tregon për investimet e mëdha që janë bërë në fabrikat e përpunimit.
Edhe zoti Begaj ka treguar për investimet që janë bërë në fabrikën e tyre në Berat. “Kompania jonë, në vitin 2014, kreu një investim në fabrikën e Beratit me teknologjinë më të fundit në përpunimin e qumështit dhe arrin një kapacitet prodhues deri në 10,000 litra në orë, sigurisht nuk mund të merrnim një pajisje për sasinë e qumështit që kishim në atë moment, pasi perspektiva na thotë që mbas disa viteve do të dyfishojmë sasinë e prodhimit”,- ka thënë zoti Begaj.
Investimet në vlera shumë të larta, janë bërë gjithnjë duke menduar për të ardhmen.
Përveç kostos së lartë për sigurimin e lëndës së parë, zoti Saimir Begaj, një nga administratorët e kompanisë “Erzeni”, tregon për kostot e larta të operimit, ku shteti njeh vetëm 2% të shpenzimeve për lëndë djegëse që t’i kreditohet TVSh-ja. Lëndën djegëse këto kompani e përdorin drejtpërdrejt për prodhim dhe shpërndarje.
“Rrugët në të cilat përshkojnë mjetet tona, sidomos ato të fshatrave, janë në gjendje tejet të amortizuara, vetëm për këtë vit kemi nxjerrë jashtë përdorimit tre mjete”.
Logjistika, rrjeti i shpërndarjes, sot ka tjetër rëndësi për biznesin. Infrastruktura është faktor kyç në rritjen e bizneseve dhe në zgjerimin e tregut.
Tjetër problem lidhet me grumbulluesit, të cilët gjatë grumbullimit të qumështit janë të detyruar të përdorin autofaturën, pasi një pjesë e fermerëve janë të paregjistruar. Për kompanitë kjo është një kosto e shtuar, pasi duhet një person shtesë në çdo makinë që të presë faturat. Përse të mos bëhet një faturë me totalin e litrave të sjella në fund të 15 ditëve sipas listës së grumbullimit të qumështit, – ka ngritur si çështje zoti Begaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.