Bonus-Malus, sa do të paguajmë për sigurimin e makinës

07/05/2019 12:47 PM 0 komente

Nga 1 prilli i këtij viti ka nisur të mbahet baza e të dhënave për aksidentet. Kjo do t’iu shërbejë kompanive të sigurimit që nga 1 prilli 2020 të përllogarisin në mënyrë “të personalizuar” primin e sigurimit për çdo drejtues mjeti.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi udhëzimin për zbatimin e sistemit Bonus-Malus, për të përcaktuar saktë koeficientët dhe klasat në të cilat lëvizin drejtuesit sipas dëmeve. Por sa do të paguajmë me sistemin e ri? Kompanitë e sigurimit, edhe pse shprehen pozitive për nismën, kanë rezerva për koeficientët dhe bazën e të dhënave. Sipas tyre, një vit historik për drejtuesit është i pamjaftueshëm

 

Nga Nertila Maho

 

Nga 1 prilli 2020, qytetarët do të blejnë primin e sigurimit të automjeteve sipas sjelljes që kanë treguar në timon gjatë një viti. Një udhëzim i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në fund të marsit të këtij viti sanksionon zbatimin e sistemit Bonus-Malus për sigurimin MTPL e brendshme (përgjegjësinë ndaj palëve të treta) duke i hapur rrugë një faze të re në tregun e sigurimeve. Bonus-Malus nuk është diçka krejtësisht e re për tregun.

Zbatimi i tij përflitet dhe kërkohet prej vitesh. Madje, në vitin 2015, u finalizua edhe një draft-udhëzim paraprak, por që më pas u tërhoq për rishikim. U deshën katër vite të tjera që AMF të rikthehej me një udhëzim tjetër që pas miratimit nga Bordi ka marrë fuqi të plotë. Kompanitë sigurimit, nga 1 prilli i këtij viti, sipas udhëzimit janë ngarkuar me përgjegjësinë e raportimit të çdo dëmi në sistem. Kjo do të krijojë mundësinë që pas një viti, çdo kompani të faturojë primin e çdo drejtuesi në bazë të dëmeve që ka shkaktuar ai gjatë një viti, sipas një historiku 1-vjeçar.

 

Sa do të paguajmë sipas sistemit të ri Bonus-Malus, koeficientët

Nëse nuk ke asnjë dëm në harkun kohor të një viti që do të shërbejë si bazë për nxjerrjen e primeve nga aktuarët, drejtuesit e mjeteve do të hyjnë automatikisht në klasën 13, që është klasa për vitin e parë të vënies në zbatim të sistemit.

Ekstremet, nëse je një shofer i mirë ose jo i mirë, janë që primi mund të të përgjysmohet nëse nuk ke asnjë dëm ose mund të të dyfishohet nëse arrin në klasën e fundit penalizuese.

Por le të mendojmë një situatë hipotetike me primin që kemi sot në treg. Nëse dikush ka një mjet, primi i të cilit është 19 mijë lekë dhe gjatë një viti nuk ka kryer asnjë dëm, ai hyn në sistemin Bonus-Malus në vitin 2020 me një reduktim të primit. Koeficienti i vendosur në klasën 12 është 0,94, çka do të thotë që drejtuesi do të paguajë një prim 17 860. Krejt e kundërta do të ndodhë nëse ai ka kryer një dëm, çka e kalon atë në rritje me dy klasa, nga klasa hyrëse duke e çuar në klasën 15. Primi përkues në rastin tonë do të ishte 24 700 lekë. Kur i njëjti drejtues ka një sjellje të mirë në timon dhe nuk shkakton asnjë dëm, tendenca ulëse vijon vit pas viti me nga një klasë.

Kjo do të thotë që, nëse marrim sërish primin hipotetik prej 19 mijë lekësh, pas 13 vitesh pa asnjë dëm, drejtuesi i mjetit do të paguajë vetëm 9500 lekë, kurse nëse ka shkaktuar dëme të vazhdueshme dhe përfundon në klasën 18, pra ekstremi i sipërm penalizues, primi i tij do të shkojë 38 000 lekë. Një qytetar mund të kalojë automatikisht në klasën 18, nëse rezulton se ka kryer dy dëme brenda vitit dhe ndërkohë, klasa e tij hyrëse ishte 13.

“Shoqëritë e sigurimit mund të përdorin edhe koeficiente të tyre të brendshme, por duhet t’u garantohet të siguruarve ekstremi i sipërm për çdo klasë. P.sh; një shoqëri sigurimi për të siguruarit në klasën 14 mund të përdorë koeficient më të ulët se 1.15, sipas strategjisë së saj të biznesit, por për të njëjtën klasë nuk mund të përdorë koeficientë më të lartë se 1.15”, thuhet në udhëzimin e AMF.

 

 

Udhëzimi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për rastet specifike

Udhëzimi i AMF ka përcaktuar qartë se kompanitë kanë detyrimin që të publikojnë në çdo pikë shitjeje, tabelën për mënyrën sesi lëvizet brenda klasave në bazë të dëmit. I njëjti përcakton edhe sesi do të veprohet për raste specifike, kur një automjet regjistrohet për herë të parë apo në rastin e shtetasve me nënshtetësi jo shqiptare. “Kontrata e sigurimit është e caktuar në klasën e meritës 18, nëse në rastin e regjistrimit të mjetit për herë të parë nuk paraqitet leja e qarkullimit të mjetit si dhe akti i pronësisë.

Për të siguruarit me nënshtetësi joshqiptare, që sigurohen për herë të parë në Shqipëri, është caktuar klasa e meritës 14, me përjashtim të rasteve kur i siguruari më nënshtetësi joshqiptare dorëzon një certifikatë të lëshuar nga shoqëria e huaj, me të cilën ka qenë i siguruar më parë, që lejon identifikimin e klasës universale sipas kritereve të paraqitura në tabelën e mësipërme”, vlerëson udhëzimi. Pavarësisht zëvendësimit të automjetit, një drejtuesi i njihet klasa e tij e meritës.

“E drejta për të mbajtur të njëjtën klasë Bonus-Malus i njihet të siguruarit jo vetëm në rastet e ndryshimit të Automjetit, por gjithashtu, edhe në rastin e shitjes, daljes jashtë përdorimi ose çregjistrimit nga Regjistri i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPShTRr), në rastin kur këto procese ndodhin pas përfundimit të periudhës së sigurimit”, përcaktohet në udhëzim.

 

 

Kompanitë e sigurimit kanë rezerva për koeficientët dhe historikun

Pavarësisht se e cilësojnë një hap pozitiv atë të futjes së sistemit Bonus-Malus, kompanitë e sigurimit kanë rezervat e tyre për koeficientët që janë përcaktuar në të. Avni Ponari, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë Sigal, shprehet se në vitin e parë të zbatimit, ky sistem do të sjellë tronditje të të ardhurave sidomos për kompanitë e vogla, pasi shumica e mjeteve do të marrin ulje primi, kurse vetëm 2% e tyre rritje. Po kështu, sipas tij, me praktikën e re, kur për bazë merret vetëm një vit historik amnistohen 400 mijë drejtues mjetesh që kanë kryer dëme për vite e vite të tëra.

“Së pari, unë kam qenë kundër koeficientëve që janë miratuar dhe isha për një formë tjetër. Së dyti, të gjithë ata që kanë kryer dëme gjatë këtyre 28 viteve, të konvertuar në numër, shkojnë 400 mijë persona, pra shkaktarë dëmesh. Të gjithë këta janë të përjashtuar nga ndëshkimi apo penalizimi, për shkak të kësaj. Sipas AMF, më 1 prill 2019, ka nisur dhe do të vijojë të bëhet regjistrimi i dëmeve gjatë gjithë vitit dhe në 2020, kur plotësohet viti, fillon zbatimi i dyanshëm edhe për ata që kanë dëme, edhe për ata që nuk kanë. Në kushtet e Shqipërisë, duhet të ishte ndryshe dhe ideja ime ka qenë historiku minimal që do të merrej për bazë në Bonus-Malus të ishte 5-vjeçar” shprehet Ponari.

Të njëjtat rezerva ka edhe Presidenti i kompanisë Eurosig Kadri Morina, i cili shprehet se për të zbatuar sistemin, nuk është i mjaftueshëm një vit historik, por minimalisht duhet të kishte një bazë trevjeçare. Nga ana tjetër, ai nënvizon se më i zbatueshëm do të ishte një sistem që kishte në bazë kubikazhin dhe vjetërsinë e lejes së drejtimit dhe më pas të kalohej tek Bonus-Malus, kur të ishte krijuar historiku i saktë.

 

Efektet që pritet të ketë zbatimi i sistemit Bonus-Malus

Sistemi që penalizon me çmime më të larta sigurimi ata që bëhen shkaktarë aksidentesh dhe shpërblen me prim më të lirë ata që kanë një sjellje të përgjegjshme në timon ka si objektiv primar uljen e numrit të aksidenteve. Kompanitë e sigurimit presin që ulja e aksidenteve, që do të thotë ulje të dëmeve që paguhen, të balancojë pjesën që kompanitë humbin nga ulja e primit për shumicën e automjeteve.

Po kështu, pritet që të gjithë ata që kanë në pronësi një mjet, të bëhen më të përgjegjshëm kur atë e huazojnë tek të tretë, pasi në rast aksidenti, penalizimin në prim e merr pikërisht ai që ka pronësinë e mjetit. “Është shumë e rëndësishme të kuptohet, që ky sistem nuk do të aplikohet për targën e automjetit që ka shkaktuar dëmin, por për individin që ka qenë në drejtim të tij.

Udhëzimi ka parashikuar qartë edhe rastet kur dëmin e ka shkaktuar një person, emri i të cilit nuk është në policën e sigurimit. Në këtë rast, ngarkohen me penalitet edhe shkaktari i dëmit, edhe pronari i automjetit. Gjithashtu, në rastin kur automjeti është në pronësi të subjekteve të ndryshme, dhe drejtimi i automjetit bëhet nga persona të autorizuar nga kompania, atëherë dhe penaliteti nga dëmi i shkaktuar i ngarkohet personit që ka qenë në drejtim të automjetit dhe jo ndaj subjektit”, sqaron Klaidi Çitozi, Drejtor i Përgjithshëm i kompanisë SIGMA.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of