Tregu i hoteleve dhe akomodimit në tërësi në Shqipëri gëlon në informalitet, por shërbimet e hotelerisë nga interneti japin një panoramë për kapacitetet akomoduese në vend.
Ministria e Ekonomisë dhe Turizmit analizon se në të gjithë vendin në Booking.com dolën në shitje vitin e kaluar 1356 struktura akomoduese nga të cilat 1.192 hotele dhe 164 njësi akomodimi të tjera.
Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i shtretërve për vitin 2016 arriti në mbi 65 mijë duke siguruar strehim për 1.1 milionë vizitorë në një natë.
Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se numri i shtretërve për vitin 2015 ka qenë 41.885 shtretër, dhe i net-qëndrimeve 791.000 net. Duke krahasuar vitet 2015 dhe 2014, që ka një rritje të konsiderueshme me 27% për numrin e shtretërve dhe 72% për numrin e net-qëndrimeve.
Teksa gjatë këtij viti numri i shtretërve do të pësojë një rritje edhe më të madhe pasi hotelet më të mëdha në vend po zgjerohen dhe të tjera të reja janë në proces ndërtimi. Ndërtimet e reja në sektorin e hotelerisë po i përgjigjen kërkesës në rritje te të huajve për të pushuar në Shqipëri.
Sektori i turizmit ka pasur një performancë shumë të mirë edhe nga pikëpamja financiare, këto vitet e fundit. Nga viti 2013 në vitin 2016, të ardhurat nga turizmi janë rritur me 38%.
Referuar bilancit të pagesave publikuar nga Banka e Shqipërisë, të dhënat ekonomike janë si më poshtë: 1- Të ardhurat nga turizmi nga viti 2013 në vitin 2014 janë rritur me 16%, ndërsa nga viti 2014 në vitin 2015 janë rritur me 5%.
Për sa i përket vitit 2016, të ardhurat kanë qenë 1 miliardë e 528 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 13% krahasuar me vitin 2015, kur këto të ardhura kanë qenë 1 miliardë e 353 milionë euro. Shpenzimet për udhëtim / turizmin nga viti 2013 në vitin 2014 janë rritur me 7%, ndërsa nga viti 2014 në vitin 2015 kanë rënë me 7%. Për sa i përket vitit 2016, shpenzimet kanë qenë 1 miliard euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.