Sistemi bankar shqiptar tashmë ka 12 banka, nga 16 një vit më parë, pasi NBG u ble nga Banka Amerikane e Shqipërisë, Intesa Sanpaolo bank përthithi bankën Veneto, banka e Kreditit kërkoi likuidimin vullnetar dhe së fundmi u finalizua kalimi i Bankës Ndërkombëtare Tregtare (malazjane) te Union Bank.
Banka e Shqipërisë (BSH) njoftoi se në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës ka miratuar vendimin për “Miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Union sh.a. me Bankën Ndërkombëtare Tregtare sh.a”.
Në bazë të këtij vendimi, Banka e Shqipërisë jep miratimin paraprak për bashkimin me përthithje të Bankës Union sh.a. (shoqëria përthithëse) me Bankën Ndërkombëtare Tregtare sh.a. (shoqëria e përthithur). Kjo do të thotë se pas përthithjes, Banka Union do të jetë zotëruese edhe e veprimtarisë së Bankës Ndërkombëtare Tregtare, thuhet në njoftimin e Bankës.
Në 20 mars të këtij viti, Union bank njoftoi se Banka e Shqipërisë kishte dhënë zyrtarisht miratimin paraprak për zotërimin e 100% të aksioneve të kapitalit aksionar të Bankës Ndërkombëtare Tregtare sh.a (ICB). nga Union Bank sh.a.
Në fund të 2018-s, Union Bank zotëronte 3.5% të totalit të aseteve të sistemit bankar, ndërsa Banka Ndërkombëtare Tregtare kishte 0.7% të tregut. Në këtë mënyrë pesha e Union Bank shkon në 4.2%, sipas totalit të aseteve, duke e renditur atë në vend të nëntë, pas BKT (29.4%), Raiffeisen (15.5%), Credins (13.5%), Intesa SP + Veneto (11.8%), OTP Bank (5.8%), Alpha Bank (5.2%), ABI + NBG (5.17%), Tirana Bank (4.85%).
Shit-blerjet
Dy vitet e fundit, sistemi bankar ka qenë mjaft aktiv në drejtim të shitjeve e blerjeve. 2018-a u mbyll me 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të vitit, pasi banka greke NBG u ble nga Banka Amerikane e Shqipërisë dhe Intesa Sanpaolo bank përthithi bankën Veneto, në linjë me të njëjtin proces të bankave mëmë në Itali.
Në prill të këtij viti, Banka e Kreditit të Shqipërisë, një bankë me aktivitet minimal, kërkoi pranë institucionit monetar qendror likuidimin e aktivitetit të saj.
Transaksione të tjera ishin blerja e Societe Generale nga hungarezët e OTP-së, që u finalizua në mars të këtij viti. Tashmë banka është shndërruar në OTP bank Albania. Banka ka thënë se ka në plan zgjerim të mëtejshëm dhe nuk ka përjashtuar blerje të tjera.
Grupi shqiptar Balfin ka blerë Tirana Bank, nga grekët e Bankës së Pireut, të cilët hoqën dorë nga rajoni, pas krizës që mbërtheu sistemin bankar grek. Tirana bank do të vijojë të ruajë identitetin e saj (të mbajë të njëjtin emër) dhe pas ndryshimit të pronësisë.
Bankierët dhe Banka e Shqipërisë kanë pohuar se efektet e konsolidimit të sistemit do të jenë pozitive, pasi po largohen nga tregu bankat e painteresuara dhe aktorët e rinj do të shtojnë konkurrencën.
Burimi: BSH, bankat
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.