Potencialet e rritjes ekonomike te vendit nuk janë më shumë se, 5% sipas një vlerësimi të Bankës së Shqipërisë, nga 6 për qind që ishin para krizës së vitit 2009. Sipas Bankës, ecuria e treguesve të ndryshëm ekonomikë gjatë periudhës 2009-2010 sinjalizoi ngadalësimin e rritjes ekonomike në një periudhë afatmesme, duke sugjeruar një rishqyrtim të burimeve produktive të rritjes potenciale. Rishikimi për poshtë i rritjes potenciale, e cila në fund të vitit 2009 ishte vlerësuar në rreth 6%, u bë i nevojshëm dhe u artikulua si nga institucione të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, ashtu edhe në rrethet e kërkuesve të ekonomisë. Metodat e filtrimit tregonin se rritja potenciale vlerësohej nën nivelin 5% pas vitit 2009. Banka e Shqipërisë argumentonte, ndikimi i krizës globale, vlerësohet të ketë shkaktuar humbje në nivel dhe në ritmet e rritjes së prodhimit potencial. Rritja ekonomike afatgjatë është rishikuar për poshtë, kryesisht për shkak të nevojës për të ristrukturuar ekonominë, që nënkupton zhvendosjen e burimeve financiare, njerëzore dhe administruese ndërmjet sektorëve dhe pajisjen me njohuri të reja. Për më tepër, rënia e flukseve hyrëse në formën e të ardhurave nga emigracioni, prirja rënëse e popullsisë së aftë për punë (16 – 64 vjeç), prirja rënëse e treguesit të produktivitetit të punës, shtrëngimi i kushteve të financimit, të imponuara nga ekonomia e huaj, janë disa nga tendencat domethënëse që kanë ndikuar prirjen afatgjatë të rritjes potenciale. Gjithashtu, thellimi i tendencës rënëse të kontributit të sektorit të ndërtimit në rritjen ekonomike në disproporcion me rritjen e tij të para vitit 2008, përbën një tjetër faktor strukturor ekonomik të rëndësishëm që ka prekur profilin e rritjes potenciale.
Treguesi Mesatare e periudhës të rritjes p-ara dhe pas 2009
Deri 2009 Pas 2009
Rritja vjetore reale e PBB-së 5.8% 1.7%
Rritja vjetore e PBB-së potenciale 6.0% 2.6% – 3.0%
Rritja vjetore e sektorit të ndërtimit 11.2% -8.3%
Ndryshime vjetore të remitancave 19% -9%
Produktiviteti i punës 1.01 0.94
Shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese 75% 72%
Rritja vjetore e agregatit monetar (M3) 12% 8%
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.