Angazhimi juaj për këtë Vit të Ri mund të mos kthehet kurrë në një “zakon” të vërtetë – por kjo nuk përbën problem, sipas Nir Eyal, autor bestseller dhe ekspert i sjelljeve.
Eyal punon me kompanitë për të ndërtuar produkte që formojnë zakone – qoftë nëse kjo lidhet me ndihmën e pacientëve që të marrin ilaçet e tyre sipas një orari të caktuar, ose inkurajimin e njerëzve që të përdorin rregullisht një produkt për të mësuar një gjuhë të re.
Ai është gjithashtu autor i “Indistractable: How to Control Your Attention and Choose Your Life”, libër i cili fokusohet te mënyra se si mund t’i evitojmë zakonet që lidhen me shpërqendrimin.
Sipas Eyal, të qenët në gjendje për të stërvitur vëmendjen është “aftësia më e rëndësishme e shekullit”, por nuk është diçka që ne e mësojmë zyrtarisht – dhe kjo është pikërisht gjëja që e bën këtë aftësi kaq të rëndësishme për t’u kuptuar më mirë.
Hapi i parë drejt të qenët më pak të shpërqendruar në ndjekjen e qëllimeve tona, është të kuptojmë se çfarë mund dhe nuk mund të kthehet në një zakon.
Dallimi midis zakonit dhe rutinës
Problemi, sipas Eyal, është i thjeshtë: ne duam ta kthejmë gjithçka në një zakon – pa kuptuar ndryshimin thelbësor midis një zakoni dhe një rutine.
“Përkufizimi i një zakoni është impulsi për të kryer një sjellje me pak ose aspak vetëdije,” thotë Eyal. “Shumica e gjërave që njerëzit duan t’i kthejnë në zakone, nuk do të bëhen kurrë të tilla.”
Nga ana tjetër, rutina është “një seri sjelljesh që përsëriten shpesh”, shton ai. “Gradualisht, disa rutina mund të kthehen në zakone, por jo çdo rutinë mund të bëhet zakon.”
Rreth 45% e sjelljeve tona të përditshme janë zakone, si për shembull vendi ku hamë vaktet çdo ditë ose mënyra si bëhemi gati për të fjetur. Kështu, nëse do të mund të gjenim një mënyrë për t’i kthyer angazhimet tona në zakone, do të ishim në rrugë të mbarë për t’i plotësuar ato pa i menduar fare.
Por zakonet janë pikërisht të tilla – instinktive, të kryera pa u menduar dhe kryesisht të pandërgjegjeshme. Përmbushja e një qëllimi të ri do të kërkojë gjithmonë njëfarë përpjekjeje, edhe nëse është diçka që e bëni rregullisht, si për shembull vajtja në palestër.
“Nëse një sjellje bëhet me mundim, ajo nuk mund të jetë një zakon për nga vetë përkufizimi,” thotë Eyal. “Ne nuk duhet t’u themi njerëzve se gjithçka mund të kthehet në një zakon. Është e pamundur.”
Megjithatë, kultura luan rol të rëndësishëm lidhur me lehtësinë dhe rëndësinë e krijimit të zakoneve në vend të rutinave, vëren Eyal, dhe problemi nuk është thjesht një çështje semantike.
Ndryshimet janë të vështira
Në vend që të synojnë krijimin e zakoneve, ai thotë se njerëzit duhet të fokusohen më shumë te ndërtimi i rutinave, pasi, sipas përkufizimit, rutinat e pranojnë vështirësinë e ndryshimit të sjelljeve.
“Nëse u themi njerëzve: ‘Shikoni, disa sjellje do të jenë të vështira – gjithmonë, nëse jeni duke i bërë ato siç duhet’”, thotë Eyal, kjo është më mirë sesa “t’u mësojmë njerëzve se gjërat mund të jenë disi të lehta”, që është ideja e zakoneve.
Eyal shton se shumë njerëz supozojnë që, nëse ndihen keq për një sjellje të re që po përpiqen të kultivojnë, atëherë kjo sjellje në vetvete është e keqe. “Nëse ndiheni keq, kjo do të thotë se po përmirësoheni”, shtoi ai. “Është e pritshme që do të jetë e vështirë.”
“Shumë nga këto sjellje kërkojnë që ne të bëjmë përpjekje,” vazhdon ai. Ne nuk duhet të mendojmë se ekziston një “formulë magjike” që mund të kthejë çdo gjë në një zakon automatik, në vetëm disa hapa, thotë Eyal. “Përkundrazi, do të ketë shqetësime të pashmangshme që do të vijnë nga përmirësimi i diçkaje të caktuar.” / CNBC