Çernobili, bum në turizmin “nuklear”, falë serialit televiziv

09/07/2019 5:44 PM 0 komente

Falë serialit të HBO, “Chernobyl” sot ka një bum rezervimesh në rrënojat e termocentralit dhe reaktorit që shpërtheu në vitin 1986, si dhe në qytetin fantazmë aty pranë, Pripjat. Ky miniserial risjell sot një tragjedi të harruar nga shumë…

 

Nisemi nga Kievi me autobus, në një udhëtim prej 120 kilometrash në zemër të territ të tragjedisë më të madhe nuklerare në histori: Çernobil. Për të parë me sytë tanë reaktorin numër 4 të termocentralit, i cili shpërtheu më 26 prill 1986, pas vetëm dy vitesh që ish vënë në punë. Sot ai është i mbyllur në një kupolë gjigante prej metali, më shumë se 100 metra e lartë. Turistët mund të futen në bunker, ku autoritetet morën vendimin e pafalshëm për të mos e evakuuar menjëherë zonën.

Më pas, vizitorët bëjnë disa hapa në rrugët e Pripjat, në atë kohë një qytet me thuajse 50 mijë banorë, të cilët u evakuuan 36 orë me vonesë pas tragjedisë (një veprim i pafalshëm).

Sot, Pripjat është i dënuar të jetë i pabanuar për qindra vite. Një qytet fantazmë, sot i përpirë nga bimësia, me gjithë blloqet katrore të apartamenteve në stilin sovjetik dhe parqet e argëtimit, ku ndodhet rrota e madhe panoramike që do të përurohej në mënyrë solemne më 1 maj 1986. Në të majtë, varreza e automjeteve të përdorura nga zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura, në këtë situatë emergjente, të braktisura për shkak të nivelit të lartë të radioaktivitetit dhe sot të ndryshkura. Kjo tablo kurorëzohet me një drekë në stilin sovjetik në restorantin më të afërt me ish-termocentralin, i braktisur tërësisht nga autoritetet ukrainase vetëm në vitin 2000.

Rrota panoramike e braktisur në Pripyat, rreth 3 kilometra nga Çernobil (foto: Akash Banerjee Photography, Getty Images)

Automjete të ndryshkura në Çernobil (foto: GENYA SAVILOV/AFP/Getty Images)

Mjaftoi një miniserial televiziv “Chernobyl”, bashkëpunim i HBO dhe Sky UK, i transmetuar në fillim të qershorit, për t’i ridhënë jetë mitit të centralit nuklear sovjetik, që shpërtheu për shkak gabimeve të njëpasnjëshme njerëzore, përveçse problemeve teknike të projektimit të këtij impianti. Turistët vijnë nga e gjithë bota, madje edhe nga India.

Çmimi i rezervimit për një tour në zonën ku ndodhi tragjedia shkon rreth 100 dollarë. Numri i turistëve rritet dita-ditës dhe sipas vlerësimeve të “Chornobyl-Tour” do të arrijnë në kuotën 150 mijë brenda vitit – dyfishi krahasuar me vitin 2018. Sergiy Ivanchuk, drejtues i agjencisë “SoloEast Travel” thotë se numri i prenotimeve do të rritet me 40% nga qershori në gusht, ndërsa Yaroslav Yemelianenko, drejtues i “Chernobyl Tour”, raporton një rritje me 30-40%.

Turistë në Çernobil (GENYA SAVILOV/AFP/Getty Images)

 

Një tragjedi sovjetike

Shpërthimi i reaktorit numër katër, në mbrëmjen e 26 prillit 1986 ndodhi gjatë një prove të zakonshme të funksionimit të centralit, së cilës gabimeve të personelit dhe shkeljeve të përsëritura të procedurave të sigurisë u shtohet edhe dobësia strukturore e një impianti të projektuar keq. Rezultati ishte pikërisht shpërthimi dhe më pas zjarri, vdekjeprurës, i cili zgjati për disa ditë, duke përhapur sasi të mëdha substancash radioaktive në atmosferë (vlerësohet 400 herë më të larta se ato të Hiroshimës). Autoritetet, të cilat nuk e vlerësuan me aspak seriozitet situatën, vendosën të mos i evakuonin menjëherë banorët qytetit Pripjat, aq sa operatorët, mëngjesin e 26 prillit, shkuan si zakonisht në punë në termocentral, kur reaktori ishte përfshirë nga flakët, pasi askush nuk i lajmëroi për rrezikun.

Në momentin e shpërthimit, humbën jetën 31 persona. Qindra të tjerë humbën jetën ditët e ardhshme, – operatorë të centralit, zjarrfikës, ushtarakë dhe civilë – të ekspozuar nga rrezatimi. Bilanci përfundimtar, ende i pasaktë, luhatet nga 9 mijë persona, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në 115 mijë sipas një studimi bjellorus. Fiksimi për fshehtësi i burokracisë sovjetike, si dhe kundërmasat e pamjaftueshme për t’i bërë ballë kësaj situate emergjente e përkeqësuan situatën dhe e bëjnë më të rëndë bilancin, sot ende i paqartë.

Centrali nuklear i Çernobilit sot, në një fotografi nga NASA NASA/IPA – SIPA USA

 

Rreziqet që u kanosen turistëve

Mbetet një dyshim: a është ende sot i rrezikshëm ky destinacion i “errët” për ata që zgjedhin ta vizitojnë? Një arsye duhet të ketë se pse ekziston një perimetër sigurie në rrezen prej 30 kilometrash nga reaktori, ku është i ndaluar ndërtimi i banesave për të jetuar. Organizatorët e tour-it natyrisht ofrojnë siguri maksimale. Sipas guidave, gjatë vizitës në bunker, përpara reaktorit numër katër dhe në qytetin fantazmë, mes një selfie apo një tjetre, vizitorët thithin dy microsievert* nga rrezatimi në një orë, e barabartë me ato të një udhëtimi ajror. Guidat këshillojnë të mos prekni asgjë, të mos uleni, as në tokë, të mos pini, të mos hani, të mos pini duhan në ajër të pastër dhe natyrisht të mos merrni me vete as edhe një objekt. Është e ndaluar madje të bëni vizita jashtë tour-it zyrtar.

Imazh nga trailer i serialit “Chernobyl”

 

Suksesi i serialit dhe acari i Moskës

HBO – i suksesshëm me serialin “Games of Thrones”, kësaj here ia ka dalë mbanë një misioni të pamundur dhe të ringjallë turizmin në një nga zonat më pak atraktive të planetit. Ai e ka shndërruar vendin e një tragjedie nukleare në një nga destinacionet më të vizituara në Ukrainë, mbi të gjitha në nivelin e selfie-ve që publikohen në rrjetet sociale (bëri xhiron e botës fotoja e një turisti nudo në mes të qytetit fantazmë). Megjithatë, miniseriali ka një meritë të padiskutueshme, që ka nxjerrë në dritë një pjesë të historisë së Bashkimit Sovjetik, sot i harruar nga shumë, edhe në Rusi dhe Ukrainë.

Por Moska nuk e ka mirëpritur serial. “Chernobyl” një bashkëpunim televiziv brikaniko-amerikan, i arrirë në realizim, duke u mbështetur mbi fakte historike, ka prekur thellë në plagë një tragjedi, e gjitha sovjetike për shkak të projektimit të keq të reaktorëve dhe një zinxhiri të pabesueshëm gabimesh nga teknikët më parë dhe autoritetet më pas. Miniseriali i HBO është cilësuar nga burimet e Kremlinit “një karikaturë e realitetit”. Madje thuhet, si për çudi, që pas tragjedisë qëndron një agjent sekret i CIA-s i dërguar nga Bashkimi Sovjetik për të sabotuar termocentralin. I gjori Çernobil!

*Sievert është një njësi që derivon nga sasitë e rrezatimeve jonizuese të Sistemit Ndërkombëtar të Njësive, dhe mat ndikimin në shëndet të niveleve të ulëta të rrezatimeve jonizuese në trupin e njeriut

*Enrico Marro
Burimi: Il Sole 24 Ore

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of