Gjithnjë e më shumë njerëz, të rinj dhe më pak të rinj, zgjedhin të bëjnë pushime vetëm, me një çantë në shpinë, në kërkim të kursimit dhe të shpirtit të aventurës.
Nuk është e nevojshme të përshkoni pyllin në Amazonë apo destinacionet e ftohta në Veri, thjesht zbuloni vende të reja.
Të udhëtosh me çantë në shpinë është një ndër mënyrat më të mira (ndër të tjera dhe ekonomike) për të udhëtuar nëpër botë.
Të udhëtosh lehtë (duke marrë me vete vetëm gjërat më të rëndësishme) është ideale për të lëvizur me shpejtësi nga një qytet në tjetrin, për të zbuluar shpirtin e një vendi.
Ndër të tjera, fjetja në hostele është një përvojë që do t’ju japë mundësinë të njihni shumë njerëz, të cilët do t’i mbani mend përgjithnjë, pa pasur nevojë të shpenzoni shumë.
Më poshtë janë disa nga qytetet europiane më popullore që këshillohen për këta tipa turistësh apo ndryshe backpackers.
Krakovi – Çanta në shpinë është një stil. Fjalët kyçe janë liria, pra organizimi i udhëtimit në mënyrë autonome me hartë në dorë dhe me buxhet të limituar – pra udhëtimi me mjete publike, trena apo autobusë dhe fjetja në hostele. Destinacioni i parë që ju propozojmë është i mrekullueshëm dhe pak i vizituar. Krakovi, në Jug të Polonisë, është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Buxheti ditor shkon rreth 30 euro.
Montpellier – Në Francë ndodhet një qytet i vogël që ju pret ta zbuloni. Montpellier. Qendra historike është një muze në qiell të hapur, me rrugë arti, grafite dhe trompe-l’oeil (është një teknikë arti që përdor shëmbëlltyrat reale për të krijuar një iluzion optik që shpesh i shfaq objektet në tre dimensione). Madje edhe linjat e tramit janë të pikturuara, çdo linjë i është besuar një artisti të ndryshëm. Është një kampus universitar, pra ofron larmishmëri eventesh. Në verë, zhvillohet Festivali i Radio France, 150 evente që gjallërojnë qendrën historike – muzikë pop, klasike, xhaz.
Budapesti – Kryeqyteti i Hungarisë ju rezervon surpriza të mëdha dhe është një ndërthurje e jetës së natës me larmishmërinë kulturore. Përgjatë Danubit, ka pallate të mrekullueshme që tregojnë një të kaluar të shenjtë, si për shembull Parlamenti, Budavári Palota (kështjella historike e përdorur nga mbretërit në Budapest) dhe Halászbástya apo Fortesa e Peshkatarëve. Edhe për ata që janë në kërkim të kënaqësisë, Budapesti është destinacioni ideal. Një karakteristikë e këtij qyteti janë Ruin pub, ndërtesa të rrënuara, njëherë e një kohë të braktisura, që rikthehen në jetë në mbrëmje ku mund të dëgjoni muzikë dhe të pini birra. Më e famshmja është Szimplakert.
Dublini – Është një destinacion që nuk duhet ta humbisni kurrsesi nëse vizitoni Irlandën. Ndoshta për shkak të atmosferës së qetë dhe mikpritëse apo për pub-et e viteve ‘800, zonës më të nxehtë të jetës së natës në Irlandë, ku të gjithë njihen dhe bëhen miq pas një birre – në mënyrë rigoroze Guinness, natyrisht.
Stambolli – Turqia është një ndër vendet më ekonomike për ata që udhëtojnë me vetëm një çantë shpine. Ky destinacion, në mes të Europës dhe Azisë, ka një histori unike që bën bashkë Lindjen me Perëndimin. Nga Stambolli, Kostandinopoja antike, e pasur me xhami, pallate të mrekullueshme dhe pazare gjigante, tek bregdeti i Egjeut dhe peizazhet unike të Pamukkake – zgjedhja ju mbetet ju.
Kievi – Në vitin 2013, ishte destinacioni europian më ekonomik – në një ditë, mes mjeteve publike, ngrënies së mëngjesit, drekës dhe darkës në restorantet ekonomike dhe një natë në hostel shpenzoheshin vetëm 25 dollarë. Sot, në Kiev, çmimet janë rritur disi, por gjithsesi mbetet një nga destinacionet më ekonomike. Kryeqyteti i Ukrainës ofron peizazhe të mrekullueshme si për shembull sheshin e Katedrales së Shën Sofisë.
Firence – Për të gjitha ata që pëlqejnë të udhëtojnë me çantë në shpinë, në këtë listë është edhe Firence. Një ndër itineraret që ju këshillojmë është padyshim Via degli Dei, një rrugë 140 kilometra e gjatë nga Bolonja në Firence, në gjurmët e rrugës së vjetër romake, Via Flamine. Për të mos u humbur në kryeqytetin e Rilindjes Galleria degli Uffizi, Palazzo Pitti, Piazza della Signoria etj.