Nga 1 korriku nisi faza e dytë e fiskalizimit mes bizneseve që kryejnë transaksione pa para në dorë.
Në dy ditët e para të procesit të ri bizneset ngrenë shqetësimin e mosfunksionimit të platformës shtetërore SelfCare. Aplikimi nëpërmjet këtij portali është i nevojshëm për të kryer procedurat e raportimit për Fiskalizimin dhe pranimin e faturave, si dhe bëhet ngarkimi i certifikatës elektornike në momentin e parë që biznesi fillon të zbatojë sistemin e faturimit elektronik.
Burime zyrtare nga tatimet pohuan për Monitor se mosfunksionimi i sistemit është për shkak të mbingarkesës dhe ndodh dhe për rastet kur vendosja e të dhënave në e-Albania që mundësojnë logimin në portalin SelfCare, nuk vendoset e saktë. Sipas administratës tatimore situata do të zgjidhet shumë shpejt dhe rekomandohet që subjektet të përsërisin logimin e të dhënave.
Bllokimi i sistemit (që nga orët e para të mëngjesit të djeshëm deri në orën 11 dhe ditën e sotme) pohohet edhe nga kontabilistët. Mosfunksionimi i sistemit ka detyruar shumë sipërmarrje që kanë detyrimin të lëshojnë fatura elektronike të punojnë me metodën e vjetër të faturimit. Sotiraq Dhamo thotë se problemi më i madh i këtij bllokimi është se është penguar aktiviteti i biznesit, pasi blerësit nuk kanë pranuar faturat e pafiskalizuara.
“Problemet e mosfiskalizmit për shkak të bllokimit të platformës kanë krijuar pengesa në pranimin e faturave të shitjes. Bllokimi i sistemit na nisur që mëngjesin e ditës së djeshme dhe ka vazhduar deri në orën 11:00. Pas këtij orari ka filluar funksionimin, ndërkohë edhe sot ka pasur një mosfunksionim të tij. Kjo ka detyruar bizneset të lëshojnë fatura nga blloku, të pafiskalizuara, që sipas ligjit duhet të fiskalizohen brenda 48 orësh. Problemi më i madh ka qenë që të gjitha faturat e lëshuara nga blloku prej shitësve, nuk janë pranuar nga klientët, pasi në këtë rast atyre nuk u njihet TVSH-ja, nuk zbriten shpenzimet.
Kontabilisti, Sotiraq Dhamo thotë se kjo situatë ishte parashikuar edhe nga administrata tatimore, duke qenë se u propozua miratimin i aktit normativ për mosvendosjen e gjobave deri më 31 dhjetor 2021. “Rekomandoj që në këtë situatë administratë tatimore, fillimisht duhet të bëjë të ditur bllokimin e platformës dhe më pas të njoftojë sistemin KAS dhe të orientojë se si do të veprojnë bizneset që po lëshojnë fatura nga blloku, dhe blerësit që nuk po i pranojnë ato”.
Armand Mala, kontabilist pohon se sistemi selfcare më shumë nuk punon sesa punon. “Vazhdojnë pritet fatura nga blloqet (me metoden e vjetër)”.
Faza e dytë e fiskalizimit përfshin në total 34,000 mijë biznese sipas administratës tatimore, nga të cilët deri në 30 qershor, vetëm 60% ishin gati të përdornin sistemin. Në janar 2021 kur nisi faza e parë e fiskalizimit tatimet njoftuan se për vazhdimin e procesit do të përfshiheshin 51 mijë biznese. Në shtator nis faza e tretë që do të jetë lëshimi i faturave të fiskalizuara për biznesin e vogël që transaksione me parë në dorë me konsumatorin, ku do të përfshihen gjihë subjektet, përjashtuar ambulantët.
Kontabilisti Mala ngre shprehin shqetësimin se nëse sistemi po shfaq probleme që tani, a do të jetë ai në gjendje që të mbajë gjithë ngarkesën në shtator, kur do të klikojnë me mijëra biznese që të shkëmbejnë faturat.
Kontabilistët dhe ekspertët kanë kërkuar që për shkak të moszbatueshmërisë të procesit të shtyhet, pasi edhe mosvendosja e gjobave (akti normativ) do të nxisë evazionin fiskal. LEXO: Hyn në fuqi akti normativ që pezullon gjobat për fiskalizimin deri në 31 dhjetor
Për subjektet që përdorin zgjidhje të certifikuara, mosfunksioni i portalit nuk e pengon aktivitetin, pasi faturat fiskalizohen automatikisht kur problemi zgjidhet.
Subjektet, që në bazë të ligjit, mund ta përdorin sistemin selfcare pa pagesë, ankohen se kjo situatë i detyron ata të përdorin aplikacionin me pagesë rreth 70 euro në vit, ose të presin deri sa te zgjidhet.
Sipas tatimeve, pas 30 qershorit, Platforma Self-Care do të vazhdojë të përdoret falas nga tatimpaguesit që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
➖ Tatimpaguesi duhet të jetë i regjistruar si person fizik i vetëpunësuar i vetëm
➖ Të ushtrojë aktivitetin vetëm në 1 adresë biznesi.
➖ Nuk duhet të jetë me përgjegjësinë tatimore TVSH.
➖ Duhet të jetë i regjistruar për tatim të thjeshtësuar mbi fitimin
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.