Kristalina Georgieva përmend John Maynard Keynes, teksa thotë se nxitja e një ekonomie më të drejtë, do të rriste nëntëfish standardet e jetesës.
Drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ka paralajmëruar se e vetmja mënyrë, për të nxitur rritjen ekonomike globale gjatë shekullit të ardhshëm, është duke trajtuar pabarazinë në rritje, për të arritur rritje nëntëfish të standardeve të jetesës.
Kristalina Georgieva, tha se drejtuesit botërorë mbanin përgjegjësi ndaj brezave të ardhshëm, për të ndërtuar një ekonomi, që do të merret me ngrohjen globale, do të përdorë teknologjinë dhe inteligjencën artificiale (IA) me përgjegjshmëri, si dhe do të ulë nivelet e larta të pabarazisë.
“Ne kemi detyrimin të korrigjojmë, atë që ka qenë e gabuar gjatë 100 viteve të fundit – vazhdimësia e pabarazisë së lartë ekonomike. Studimi i FMN-së tregon se, pabarazia më e ulët e të ardhurave, mund të shoqërohet me rritje më të lartë dhe më të qëndrueshme”, tha ajo.
“Ne thjesht nuk mund të arrijmë në ‘skenarin me ambicie të lartë’ për rritje, nëse nuk nxitim një ekonomi më të drejtë globale.”
Në një fjalim në King’s College, Kembrixh, ajo argumentoi se bota ishte në një pikë kthese, duke bërë një krahasim me Depresionin e Madh të viteve 1930, kur ekonomisti britanik John Maynard Keynes, shkroi esenë e tij të njohur “Mundësitë ekonomike për nipërit tanë”.
Ajo tha se Keynes, kishte të drejtë kur parashikoi se përfitimet e teknologjisë, mund të sjellin një rritje tetëfish të standardeve të jetesës në 100 vjet, por se themeluesi i ekonomisë moderne, kishte qenë shumë optimist për mënyrën se si do të ndaheshin përfitimet e rritjes.
Keynes, i cili ishte koleg dhe administrator akademik në King’s dhe luajti një rol integral në krijimin e FMN-së pas Luftës së Dytë Botërore, parashikoi se përfitimet e teknologjisë, duke rritur produktivitetin, do të lejonin më shumë kohë të lirë me një javë pune 15-orëshe.
Megjithatë, Georgieva tha se të ardhurat nga rritja ekonomike, ishin përqendruar shumë në grupe të veçanta dhe në vendet e pasura.
“Keynes ishte gjithashtu shumë optimist, se si do të ndaheshin përfitimet e rritjes. Pabarazia ekonomike mbetet shumë e lartë, brenda dhe ndërmjet vendeve”, tha ajo.
Duke parashtruar dy skenarë të mundshëm për 100 vitet e ardhshme, të parashikuara nga stafi i FMN-së, Georgieva tha se bota mund të presë një rrugë me “ambicie të ulët”, me produktin e brendshëm bruto global rreth tre herë më të madh dhe standarde jetese dy herë më të larta se sot.
Përndryshe, një skenar i “ambicieve të larta”, i bazuar në ndërtimin e një ekonomie globale më të qëndrueshme dhe të barabartë, mund ta bëjë GDP-në globale 13 herë më të madhe pas një shekulli, me standarde jetese rreth nëntë herë më të larta.
Duke u bërë thirrje qeverive në mbarë botën, që të përqendrojnë vëmendjen në tre fusha kryesore prioritare, ajo tha se ishte jetike për të trajtuar urgjencën klimatike, për të investuar në teknologji të reja si inteligjenca artificiale dhe për të investuar te njerëzit, duke trajtuar pabarazinë.
“Ne e njohim gjithashtu nevojën, për të vendosur një matës më të mirë të pasurisë, që shkon përtej GDP-së tradicionale, që vlerëson jo vetëm kapitalin e prodhuar, por edhe natyrën, njerëzit dhe strukturën e shoqërive,” tha Georgieva.
Duke përmendur fjalinë e Keynes se “në planin afatgjatë, ne të gjithë jemi të vdekur” në fjalimin e saj, ajo tha se ekonomisti e kishte menduar frazën si një thirrje për veprim.
“Ai donte të thoshte si vijon: në vend që të prisnin, që forcat e tregut t’i rregullonin gjërat në afat të gjatë, politikëbërësit duhet të përpiqen t’i zgjidhin problemet në afat të shkurtër,” tha ajo.
“Dhe kjo është një thirrje ndaj së cilës unë jam i vendosur t’i përgjigjem – të bëj pjesën time për të ardhmen më të mirë të nipërve të mi. Sepse, siç tha Keynes në 1942: “Në afat të gjatë, pothuajse çdo gjë është e mundur.” / The Guardian