Pas njoftimit më 11 korrik të përfundimit të marrëveshjes mes LaLiga e Banco Santander, si sponsor kryesor, duke nisur nga sezoni 2023/2024, presidenti i LaLiga-s, Javier Tebas, konfirmoi ekskluzivisht për Marca se EA Sports do të jetë kompania që do t’i japë emrin e saj kampionatit spanjoll, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, për pesë vjet.
Kompania lider e videolojërave për PC, konsolë dhe celularë do të derdhë në arkat e LaLiga, 30 milionë euro në vit, të cilat u shtohet edhe 30 milionë eurove nga marrëveshja aktuale e sponsorizimit, si dhe 17 milionë eurove të Santander, duke i dhënë LaLiga një impuls të rëndësishëm rritje, si në Spanjë edhe jashtë saj.
EA Sports është krijuesi i videolojërave sportive më të famshme në histori, FIFA, që duke nisur nga ky sezon do të quhet EA Sports FC.
Marrëveshja 5-vjeçare, unike në llojin e saj, do t’u japë palëve mundësi të ofrojnë përvoja revolucionare për ndjekësit e futbollit në të gjithë botën. Duke nisur nga sezoni 2023/2024, marrëveshja mes EA SPORTS FC dhe LaLiga do të përfshijë të drejtat e emrit për të gjitha kompeticionet e La Liga, një ‘rebranding’ të plotë të LaLiga me EA SPORTS, duke përfshirë logot, grafikën, fontet dhe elementet e tjerë vizualë, si dhe ofrimin e ndërveprimit të ri në lojë.
“EA SPORTS FC do të përkushtohet për të ofruar përvojat më autentike dhe më tërheqëse të futbollit në nivel global. Marrëveshja jonë e re inovative me LaLiga-n e thekson më tej këtë ambicie dhe forcon pozicionin e të dy organizatave në zemër të kulturës së futbollit”, tha David Jackson, VP Brand, EA SPORTS FC.
“Shkalla e dukshme e kësaj marrëveshje është shumë emocionuese, ashtu si mundësitë për t’u ofruar përvoja të jashtëzakonshme tifozëve nëpërmjet inovacionit të lojës, argëtimit ndërveprues dhe nismave bazë.”
“EA SPORTS përfaqëson majën e përvojave ndërvepruese të futbollit, ndërsa LaLiga është në avangardë të kompeticioneve të vërteta të futbollit, me eksperienca të pashembullta, si ato transmetuese, ashtu edhe ato dixhitale, për tifozët”, – tha Javier Tebas, president i LaLiga.
“Prej vitesh ne kemi qenë partnerë strategjikë të EA SPORTS dhe kjo marrëveshje më e gjerë përfaqëson angazhimin për të ofruar një nivel të ri inovacioni për të gjithë tifozët e futbollit, një shkrirje të botës virtuale me atë reale të futbollit”.
“Marrëveshja me EA SPORTS synon të ndryshojë mënyrën se si përjetohet futbolli në botë – tha Óscar Mayo, drejtues ekzekutiv i LaLiga. – Aleanca, për më tepër, tregon se LaLiga është një markë globale, duke reflektuar suksesin e kampionatit në lidhjen me tifozët në nivel ndërkombëtar”.
“Jemi entuziastë të bashkëpunojmë me një lider botëror të tifozëve të futbollit, për t’i lidhur më mirë tifozët tanë me klubet, lojtarët dhe kompeticionet e ndjekura në LaLiga”, – deklaroi Nick Wlodyka, SVP & GM, EA SPORTS FC.
“Kontributi i LaLiga-s në portofolin tonë të EA SPORTS FC do të jetë i jashtëzakonshëm, jo vetëm vizualisht, por edhe në lidhje me përmirësimet teknologjike dhe të zhvillimit të lojës, duke mjegulluar kufijtë midis botës reale dhe asaj virtuale të futbollit”.