Ekonomia e Kinës u rrit me 4.9% në tremujorin e tretë, nga korriku deri në shtator, në krahasim me një vit më parë.
Një ritëm më i ngadaltë se sa kishin parashikuar analistët, dhe një rritje shumë më e ngadaltë se tremujori i mëparshëm, me pothuajse 8%, duke treguar se rimëkëmbja po dobësohet.
Mungesat e energjisë, përhapja e Covid-19 dhe presioni nga Pekini mbi disa industri, po shkaktojnë dëmet e tyre.
Këto ndikime mund të zbehin rritjen për pjesën tjetër të vitit dhe nuk duhet të nënvlerësohen, tha një ekspert.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë është përballur me një numër sfidash muajt e fundit.
Së pari, çmimet e larta globale të mallrave kanë ndikuar në koston e lëndëve të para.
Kjo ka ardhur në të njëjtën kohë kur Pekini ka rritur presionin mbi qeveritë rajonale për të zvogëluar emetimet e tyre të karbonit në përputhje me objektivin e vendit për të eliminuar gjurmët e karbonit deri në vitin 2060.
Ndërkohë, shirat e dendur kanë bërë që çmimi i qymyrit të arrijë nivelet më të larta dhe qeveria të braktisë kufijtë e prodhimit.
Kjo ka ardhur në të njëjtën kohë kur sektori i pronave në Kinë është përballur me presion në rritje për të frenuar borxhin.
Kompania China Evergrande Group, ka borxh më shumë se 300 miliardë dollarë dhe ndodhet në prag të falimentimit.
Ndërkohë, kompania Fantasia dështoi ndërsa Sinic Holdings ka paralajmëruar se është në rrezik të shkojë në të njëjtën rrugë.
“Ngadalësimi në sektorin e pronave do të ndikojë në aktivitetet e firmave në fusha si kontratat e ndërtimit, materialet e ndërtimit dhe mobilimi i shtëpive,” tha Yue Su nga Njësia e Inteligjencës Economist.
Woei Chen Ho, një ekonomist në United Overseas Bank në Singapor, thotë se kriza e energjisë dhe goditja e sektorit të pronave nënkupton se banka qendrore ka të ngjarë të ulë parashikimin e rritjes për Kinën.
“Numrat në fakt janë shumë më të dobët se sa menduam. Unë mendoj se në tremujorin e katërt rritja do të jetë edhe më e ngadaltë sepse do të ketë më shumë ndikim nga kriza e energjisë.”
Një sërë kompanish kineze po përballen me frenime politike që synojnë transformimin shoqëror.
Qeveria kineze ka zbuluar një plan pesë-vjeçar duke indikuar se kjo goditje do të vazhdojë për disa vjet.
Ndërsa këto reforma synojnë rritjen afatgjatë, ato aktualisht po rëndojnë mbi konsumin dhe investimet e brendshme, sipas Chaoping Zhu nga JP Morgan Asset Management.
“Goditjet afatshkurtra duken të pashmangshme kur një sërë masash politike janë imponuar brenda një kohe të shkurtër që nga korriku,” tha ai./BBC