Eksportuesit e prodhimeve bujqësore nuk janë optimistë për rritjen e eksporteve në vitin 2024, teksa çmimet kanë qenë të qëndrueshme dhe në trend rritjeje, tha Laurat Mulliqi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve të Perimeve.
Sektori i eksporteve po përballet në përgjithësi me sfidat që po ndeshen edhe bizneset e tjera. Në veçanti, ky sektor haset me sfida shtesë, që lidhen kryesisht me cilësinë e produkteve të prodhuara nga fermerët shqiptarë, madhësinë e fermës që nuk krijon kushtet për siguri dhe cilësi të produkteve, por edhe me rritjen e kostove në të gjithë zinxhirin e furnizimit deri në mbërritjen e produkteve në tregjet e huaja.
Fermat janë jashtë kontrollit të agjencive shtetërore ligjzbatuese që produktet e prodhuara prej tyre përmbushin standardet e sigurisë ushqimore dhe cilësisë. Nga ana tjetër, madhësia e vogël e fermave nuk e mundëson që fermerët të planifikojnë e prodhojnë produkte cilësore.
Në zonat ku ndodhen fermat, ndeshet dhe fenomeni i shpopullimit, që e bën të vështirë gjetjen e fuqisë punëtore. Z. Mulliqi tha se, fermat shqiptare kanë sipërfaqe të vogla (rreth 80% e fermave kanë më pak se 2 hektarë tokë dhe të përbëra në disa blloqe të vogla).
Madhësia e fermave, struktura e tyre, mungesa e pajisjes me makineritë dhe shpesh dhe me njohuritë e nevojshme, është arsyeja që kanë produktivitetin më të ulët në rajon.
Produktiviteti ka ndikim të madh në përfitueshmërinë e fermave. Përpos këtij realiteti, i cili është bërë edhe më i egër për fermat tona, mekanizmat dhe mbështetja me subvencione apo grante direkte te fermerët është e ulët.
Sfida dhe objektivi i shumë eksportuesve në katër vitet e fundit ka qenë që të orientojmë eksportet e fruta-perimeve nga vendet ballkanike drejt tregjeve me vlerë të lartë si Austri, Gjermani, Holandë, Zvicër, Angli, Suedi e më gjerë.
Ruzhdi Koni, i cili zotëron një nga kompanitë më të mëdha të eksportit të perimeve “Agro-Koni” pret që në vitin 2024 të ketë rritje në disa kultura do të këtë ulje dhe në disa të tjera rritje.
P.sh., meqenëse eksporti i bostanit në vitin 2023 ka qenë pozitiv, do të rritet sipërfaqja, por në disa të tjera do të këtë ulje si në kastravec e kungull. Z. Koni tha se prodhimi bujqësor nuk udhëhiqet nga kërkesa aktuale, por nga rezultatet që bujqit kanë pasur një vit më parë.
P.sh., vitin e kaluar pati një çmim të lartë për bostanin shqiptar në eksport. Nisur nga kjo situatë në vitin 2024 do të ketë mbiprodhim, duke sjellë uljen e çmimeve. Ai tha se prodhimi dhe eksportet do të jenë në të njëjtat nivele si këtë vit dhe çmimet e grumbullimit do të jenë të qëndrueshme.
Kërkesa për bimë mjekësore do të stabilizohet nga muaji shtator i 2024
Rënia e kërkesës për bimë mjekësore mbi 50%, për shkak të mbingopjes së tregjeve të huaja nga pandemia e COVID-19, dhe reduktimit të çmimeve të shitjes në eksport deri në 20% nga zhvlerësimi i monedhës Euro dhe Dollarit, do të vijojnë si problematika edhe në vitin 2024 për këtë sektor.
Për këto arsye, drejtuesit e kompanive kryesore të sektorit të bimëve mjekësore dhe aromatike nuk presin ecuri pozitive të aktivitetit të eksporteve gjatë 2024.
“Nuk presim ecuri pozitive për sektorin në 2024, nëse do të vazhdojmë me të njëjtat probleme që kemi pasur gjatë vitit të kaluar”, pohon për “Monitor”, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromatike, z. Filip Gjoka.
Edhe drejtues i kompanisë Albanian Trading Company sh.p.k., Orges Liperi, nuk shprehet optimist për ecurinë e aktivitetit gjatë 2024. “Mendoj se ditë më të vështira na presin.
Duhet punë dhe durim. Të vazhdojmë të trajnojmë njerëzit, që do të vijojnë të ikin e të vijnë. Mbi të gjitha duhet të ngushëllojmë veten se gjithë bota po përballet me të tilla vështirësi”.
Kujtim Zere, nga “Albanian Herb”, parashikon se situata do të stabilizohet nga fillimi i shtatorit 2024. “Problemi i stoqeve të krijuara pas pandemisë në shumë tregje të vendeve europiane, të SHBA-se apo Turqisë, që është një ndër eksportuesit e mëdhenj të erëzave, ka hyrë në vitin e dytë.
Situata problematike do të përfundojë në fund të muajve korrik-gusht 2024. Përfundimi i krizës së tregjeve të huaja do t’i japë shumë frymëmarrje sektorit vendas”.
Në kahun tjetër, operatorët eksportues të bimëve mjekësore gjatë 2023 u përballën edhe me rënien e sasisë së bimëve të mbledhura, i ndikuar nga shpopullimi i zonave malore, mungesa e fuqisë punëtore për pikat e grumbullimit dhe përpunimit, si dhe humbja e konkurrueshmërisë nga mungesa e përthithjes së fondeve të BE-së, pas pezullimit për nisjen e programit IPARD III.
Vetëm me investimet e tyre gjatë këtyre 30 viteve, operatorët vijojnë të përpunojnë vetëm 25% të bimëve të grumbulluara, duke mbetur në disavantazh konkurrues me vendet e rajonit për nga shkalla përpunuese dhe e vlerës së shtuar të produktit.
Për të gjitha këto arsye, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, u shpreh se rreth 30% e kompanive të sektorit të eksporteve të bimëve mjekësore rrezikuan falimentimin.
“Viti 2023 rrezikon të mbyllet me rënie të lehtë të eksporteve krahasuar me trendin e viteve të fundit, ku kanë qenë gjithmonë në rritje. Shkaku kryesor është zhvlerësimi deri në 20% i valutave të huaja, pasi të gjitha kostot për industrinë janë në Lek dhe shitjet në monedhat Euro apo Dollar.
Arsye të tjera janë kërkesat e larta të tregjeve të vendeve të BE-së për rritjen e cilësisë, mungesa e laboratorëve të akredituar për cilësinë, mungesa e fuqisë punëtore, granteve dhe subvencioneve. Për këto arsye, një pjesë e aktorëve të industrisë të bimëve mjekësore dhe aromatike rrezikojnë falimentimin”.
Z. Gjoka kërkoi ndërhyrjen e institucioneve shqiptare për marrje masash të menjëhershme, pasi më vonë do të jetë e vështirë që situata të rikuperohet.
Shqetësimin për rënien e kultivimeve të bimëve, për shkak të braktisjes së tokës nga fermerët, e ngriti edhe Shoqata e Kultivuesve, Përpunuesve të Bimëve Aromatike Mjekësore Shqiptare.
Kryetari i Shoqatës, Xhavit Hysenaj, u kërkoi institucioneve mbështetje për fermerët njëlloj si vendet e rajonit, me qëllim frenimin e emigracionit. Ai propozoi që fermerët e formalizuar të mbështeten me subvencione direkte në llogarinë e tyre, pas marrjes së faturës së fiskalizuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Une mendoj se KRIZA qe egziston ne eksportet e bujqesise shqiptare ne teresine e tyre eshte se eksportuesit i kane shfrytezuar fermeret vendas pa u dale ne krah ketyre te fundit kur ka qene momenti per ti mbeshtetur ata ne politikat shteterore te subvencionimeve ….??????!!!!!!!! Kesisoj ata kane krijuar marredhenie thjesht interesash te momentit gjate gjithe vitit bujqesor , me te njejten filozofi me te cilen punojne prej vitesh vete fermeret vendas shqiptare …..????!!!!! Nuk ka diskutim se ketu mungojne edhe politikat afat – mesme dhe afat – gjate te qeverise e ministrise se bujqesise ne sektorin eksportues te fruta… Read more »