Një ekspozitë unike e modës ka përfshirë të gjithë Parisin, teksa gjashtë nga muzetë më të mirë të qytetit po organizojnë evente në kujtim të stilistit francez Yves Saint Laurent, për të shënuar 60 vjetorin e koleksionit të tij debutues.
Në vitin 1962, Yves Saint Laurent, që atëherë ishte vetëm 26 vjeç, prezantoi koleksionin e parë me emrin e tij dhe ndryshoi rrjedhën e modës për vajzat dhe gratë. Duke u larguar nga fustanet e strukturuara dhe pamja ultra-femërore e viteve 1950, stilisti legjendar francez e bëri emrin e tij pjesë të modës androgjene, duke i veshur femrat me stile mashkullore që nuk ishin parë ndonjëherë në pasarelat e modës, duke përfshirë smoking, pardesy, kostume me pantallona dhe pallto.
Gjashtëdhjetë vjet më vonë, Parisi do të përkujtojë stilistin e famshëm nëpërmjet një ekspozite të madhe që përfshin gjashtë muzetë kryesore të qytetit: Luvrin, Musée d’Orsay, Qendrën Pompidou, Muzeun e Artit Modern, Muzeun e Pikasos dhe Muzeun Yves Saint Laurent.
Kjo ekspozitë, e cila do të zhvillohet nga 29 janari deri më 15 maj, do të shfaqë stilet më të famshme të YSL së bashku me artin që i frymëzoi ato, me vepra nga Picasso, Matisse, Mondarin e shumë të tjerë.
Duke folur për The Guardian, kuratorja e ekspozitës, Mouna Mekouar, tha se një ekspozitë e këtyre përmasave nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Paris. “Mendova se do të ishte e pamundur që kaq shumë muze do të binin dakord me idenë tonë, por ato shfaqën shumë interes dhe ishin jashtëzakonisht entuziastë që në fillim. Është hera e parë që këto gjashtë muze kanë punuar të gjitha së bashku në një projekt,” tha Mekouar.
Në Galerie d’Apollon në Luvër, vizitorët do të mund të shohin se si floriri, drita dhe bizhuteritë frymëzuan qëndisjet e Yves Saint Lauren. Në Musée d’Orsay, do të mund të eksplorohen lidhjet e tij me Marcel Proust dhe mënyra se si idetë e novelistit për gjininë dhe seksualitetin ndikuan në kodin e veshjes të YSL. Fustani i famshëm Mondrian i vitit 1965 do të shfaqet së bashku me pikturën që e frymëzoi atë në Qendrën Pompidou. Një vizitë në muzeun Yves Saint Laurent do të ofrojë detaje të proceseve krijuese të stilistit përmes materialeve arkivore të ruajtura me kujdes.
“Ky arkiv dhe ekspozitat në muzetë partnere do të na mundësojnë t’i rikthehemi udhëtimit unik e krijues të Yves Saint Laurent,” thanë organizatorët në një deklaratë për shtyp. “Kjo ekspozitë, e konceptuar si një lloj arkipelagu, do të ofrojë forma të reja dialogu dhe do të inkurajojë vizitorët që të krijojnë itineraret e tyre nga një muze në tjetrin.”
Ekspozitat do të zhvillohen në të njëjtën kohë në secilin nga gjashtë muzetë. Ky event quhet Yves Saint Laurent Aux Musées dhe, megjithëse zyrtarisht është planifikuar të zgjasë deri më 15 maj, disa ekspozita do të vazhdojnë të jenë të hapura edhe përtej kësaj date.