Cilët janë faktorët e dukshëm dhe të padukshëm që në vite kanë ndikuar në ecurinë e kursit të këmbimit në Shqipëri. Si po ndikohen negativisht eksportuesit nga rënia e euros. Cilët janë ata që po dalin të fituar nga euro e dobët dhe ata që po humbin nga dollari i fortë
Nga Ornela Liperi
Blerina Hoxha
Eksportuesve shqiptarë u ka shkuar laku në frymën e fundit prej kostove në rritje nga taksat e larta, shtrenjtimi i energjisë, formalizimi dhe tani së fundmi nga forcimi i lekut. Për shumë kënd lajmi për forcimin e monedhës vendase ngjan si një zhvillim pozitiv, por në fakt zemra e ekonomisë, eksportuesit shqiptare që i sjellin në ekonominë vendase 1.8 miliardë euro në vit, humbën vetëm nga lëvizjet e kursit te këmbimit rreth 30 milionë euro vitin e kaluar, teksa kursi mesatar i euros në 2016-n zbriti në 137.4 lekë, nga 139.7 në 2015-n.
Albaco Shoes një nga kompanitë më të mëdha të eksportit në sektorin fason, konkretisht ne prodhimin e këpucës po sheh një rënie të dukshme të fitimeve prej zhvlerësimit të monedhës së përbashkët euro. Nënçmimi me rreth 4 pikë që nga fillimi i vitit të kaluar e ka vënë në vështirësi kompaninë, e cila i ka të gjitha të ardhurat në euro dhe shpenzimet në lekë.
Ekonomistja e Albaco pohoi se nëse kursi i këmbimit vijon nënçmimin për euron siç ka ndodhur së fundmi, rënia e të ardhurave do të krijojë vështirësi. Volumi i këmbimeve të kompanisë në një ditë arrin mesatarisht 50-60 mijë euro. Në një muaj sipërmarrja e fasonit këmben rreth 1 milionë euro. Duke qenë se euro është zhvlerësuar me 3.5 për qind humbjet e kompanisë nga kursi i këmbimit llogariten 35 mijë euro në muaj. Kjo shumë e konvertuar në 12 muaj i çon humbjet nga kursi i këmbimit në një vit në rreth 450 mijë euro.
Kjo shumë për kompanitë e fasonit të cilat punojnë me një marzh të ulët fitimi është jashtëzakonisht e madhe. Vlera e munguar mund të investohej në makineri ose në shtimin e forcës së punës, por me e keqja është se nuk ka zgjidhje në sfond, pasi Shqipëria aplikon një regjim të lirë të kursit të këmbimit ku çmimi i vlerave monetare përcaktohet nga kërkesa dhe oferta.
Një situatë të ngjashme pohoi edhe fabrika tjetër e prodhimit të këpucës Famiko Shoes në Shkodër. Administratori i saj, Alfred Kokaj, tha se të ardhurat ranë ndjeshëm nga zhvlerësimi i euros. “Ne i kemi të gjitha kontratat në këtë monedhë dhe kur i këmbejmë ato në lekë për të paguar rrogat dhe taksat kemi shumë humbje. Bëjini llogaritë vetë. Një euro kushton gati pesë lekë më pak se vjet. Të gjithë këto janë humbje” , tha Alfredi. Për të, mbrojtur të ardhurat që po humbasin nga kursi, Famiko Shoes është duke marrë në konsiderate një eksperiment të rrezikshëm, rritjen e çmimeve për kontraktorët italianë.
Alfredi tha se po bën përpjekje për të negociuar rritje çmimesh, por ky vendim rrezikon të çojë në humbjen e kontraktorëve. Konkurrenca është rritur ndjeshëm dhe Shqipëria ka avantazh kryesor koston e ulët. Por zhvlerësimi i euros dhe rritja e pagës minimale do të krijojë pasoja fatale për fasonerinë shqiptare duke rrezikuar përfundimisht avantazhin e kostove të lira.
Por teksa çmimet e shitjes janë bërë më të lira duke i krijuar humbje fasonit, sektori nuk po përfiton nga kostot më të lira të lëndëve të parave si rezultat i nënçmimit të euros. Ekonomistja e Albaco Shoes tha kompania nuk e blen lëndën e parë. Ajo sillet nga porositësit italianë. Në Shqipëri vetëm sa realizohet qepja.
Euro prish planet për investime të eksportuesve
Sektori i agropërpunimit, i orientuar për eksport, po pëson humbje të dyanshme nga rënia e lirë e euros. Alban Zusi Presidenti i Shoqatës së Eksportuesve, me aktivitet në sektorin përpunimit të peshkut, tha se ka parë rënie të fitimeve me 20 për qind, vetëm nga ndryshimi i kursit të këmbimit. Duke qenë se të gjitha të ardhurat i realizon në euro dhe nga ana tjetër e gjithë kolona e shpenzimeve është në lekë, Zusi tha se kursi i këmbimit i ka shkaktuar humbje vjetore rreth 60 mijë euro. Kjo është shumë për një eksportues, tha ai. “Kisha planifikuar të investoja në teknologji. Mund të punësoja dy menaxherë të mirë”, por nuk mundem. Zusi tha se industria e përpunimit është bërë gjithnjë e më pak konkurruese për shkak të kostove në rritje. Në tre vitet e fundit, rritja e çmimit të energjisë me mbi 30%, rritja e tatimfitimit dhe dividendit me 50%, formalizimi etj., i kanë rritur kostot e aktivitetit me 15-20%. Bizneset e sektorit gjithnjë e më shumë po punojnë për mbijetese.
Nga situata e krijuar Zusi tha se për herë të parë që nga fillimi i aktivitetit u ka kërkuar rritje çmimi konktraktoreve. Akumulimi i kostove e bën të pamundur zhvillimit e aktivitetin nëse nuk gjenden zgjidhje. Njëra nga ato është ndryshimi i çmimit, por kjo do të rrezikojë humbjet e partnerëve. “Kërkesën për rritje çmimi e kemi bërë, por ende nuk e dimë reagimin e tyre” – tha Zusi.
Më tej ai sqaroi se nënçmimi i euros për disa kompani të vogla mund të prodhojë faliment. Gjithashtu disa produkte të agropërpunimit që dalin në tregun shqiptar nga prodhuesit vendas po bëhen gjithnjë e më pak konkurruese, pasi euro në rënie i ka bërë çmimet e mallrave të importit më të lira. Disa lloje salcash që prodhohen në vend dhe konserva me produkte të mishit janë vënë në mbijetesë për tregun shqiptar. Artikuj të ngjashëm që vijnë nga importi me 10-20 lekë më lirë, teksa ambienti i biznesit nuk ka qenë favorizues për kostot e prodhimeve vendase.
Në të njëjtën luftë për mbijetesë janë vënë edhe markat vendase të prodhimit të qumështit. Ulja me gati 5% e çmimeve të markave të importit nga nënçmimi i euros i kanë bërë prodhimet shqiptarë gjithnjë e më pak konkurruese.
Zusi pohoi se kursi i këmbimit ashtu si në të gjithë botën edhe në Shqipëri ka një lidhje të fortë me ecurinë e eksporteve. Ai tha se disa industri eksportuese, kanë lulëzuar pikërisht në momentin që euro u forcua në 140 lekë, që prej vitit 2010. Ai tha se institucionet shqiptare duhet të gjejnë një mënyrë që të ndalojnë zhvlerësimin e euros nga faktorë të brendshëm si një nga mjetet thelbësore të mbrojtjes së eksporteve. Një ekonomi ka zhvillim të qëndrueshëm dhe produktivitet të lartë kur nxit prodhimin dhe eksportet. Për të arritur këtë synim plot vende kanë bërë zhvlerësim të kontrolluar të monedhave kombëtare dhe këtë praktikë duhet të ndjekë edhe Shqipëria, këshilloi Zusi.
Si ekonomia e zezë po dëmton konkurrencën
Eksportuesit janë të shqetësuar se mbifurnizmi i tregut me euro po vjen nga ekonomia e paligjshme dhe pikërisht nga tregtimi i hashashit. Zusi nga Shoqata e Eksportuesve, beson se eurot nga shitja e hashashit e kanë zhvlerësuar monedhën vendase dhe për me tepër po konkurrojnë në mënyre të pandershme disa linja specifike të industrisë.
Ai pohoi se ka sinjale nga prodhues dhe përpunues të lëkurëve, se disa kultivues të hashashit janë u futur në këtë biznes. Për shkak të erës që ka lëkura çorienton nuhatjen, ndaj eksporti i këtij produkti përdoret si mbulesë e transportit të hashashit nga Shqipëria drejt vendeve të tjera. Duke mos pasur qëllim kryesor fitimet nga eksporti i lëkurës, bandat e hashashit të futura në këtë biznes nuk e kanë problem ta shesin produktin e lëkurës me çmim shumë të lirë, duke ndikuar në falimentimin e bizneseve serioze.
Zusi tha se valuta që po vjen nga hashashi e ka vënë me shpatulla për muri ekonominë serioze. Më së shumti paratë e krimit po investohen kryesisht në hoteleri turizëm, ku përveç ndërtimeve pa kriter këto lloj investimesh nuk janë një model i mirë për sektorin. Duke qenë se fitimet e tyre, hotelet i kanë vetëm fasadë, bizneset serioze të hotelerisë rrezikojnë të përfshihen në konkurrencë të pandershme. Ekonomia shqiptare vuan nga një nivel i lartë informaliteti, por së fundmi kultivimi masiv i lëndëve narkotike pritet të vështirësojë klimën për bizneset e ligjshme.
Zusi tha se me përjashtim të lëkurës (për qëllim trafikimi të produktit të fshehur), paratë e pista nuk preferohen të investohen në biznese të mundimshme ai përpunimi, që nuk kanë kthime të shpejta e të larta.
Lorenc Molishti, sipërmarrës i Sidney, një biznesmen me përvojë në sektorin e agropërpunimit, me prodhim vaji, salcash dhe konservime të ndryshme në qarkun e Beratit tha se humbjet që vijnë nga kursi i këmbimit janë një luks krahasuar me kostot që ka pësuar sektori kohët e fundit. Ai tha se llogaritë tregojnë se në shumë raste kostot që krijon prodhimi në vend kalojnë çmimin fundor.
Ngastrat e vogla më të cilat prodhojnë fermerët, mungesa e teknologjisë, tregu jo i sigurt dhe çmimet e larta të plehrave bëjnë që prodhimet nga fushat e fermerëve shpesh të mos justifikojnë shpenzimet që janë bërë për kultivimin e tyre. Përpunimit të këtyre produkteve në fabrikat vendase i shtohen edhe disa kosto të tjera, që lidhen me taksat e rritura nga qeveria qendrore dhe ajo lokale.
Molishti tha se zinxhiri që realizon prodhimin nga fusha deri të fabrikat e përpunimit nuk funksionon. Gjithashtu përjashtimi nga TVSH i bizneseve të vogla e bën shumë të vështirë operimin në formalitet. Ai tha se aktualisht industria e agropërpunimit është në mbijetese, jo se nuk punon, por nuk është më fitim. Ai tha se ekonomia shqiptare në këtë stad nuk prodhon biznese fitimprurëse në agropërpunim. Kursi i këmbimit që goditja finale, porse tani Molishti tha se ka vendosur të diresifikohet në sektorin e turizmit.
Kostot rriten edhe për fermerët
Eksportuesit shqiptare të prodhimeve bujqësore janë gjithashtu viktima të rënies së euros. Administratori i Gogo Eksport pohoi se prej një viti ka pësuar rënie të ndjeshme të fitimeve për shkak të rënies së euros. Të ardhurat janë ulur të paktën me 6 për qind tha eksportuesi i fruta dhe perimeve teksa lajmëroi se, kjo përveçse dëmton biznesin e tij i shtrin efektet negative edhe në fitimet e fermerëve. “Ne jemi të detyruar që këtë sezon të japim çmime më të ulëta për grumbullimet, që do të kemi nga fermerët, në mënyrë që të ruajnë marzhet tona nga lëvizja e euros. Kjo që po ndodh me kursin e këmbimit është një gjë shumë e keqe për të gjithë sektorin e bujqësisë dhe biznesin e lidhur me të, tha Gogo në një prononcim për Monitor.
Këstet e kredive më të lira në euro, më të shtrenjta në dollarë
Deri disa vite më parë, huatë në euro ishin mjaft të preferuara, si nga bizneset ashtu dhe individët. Normat shumë më të lira të interesit, në raport me lekun, si dhe fakti që euro është mjaft e përdorur tek ne, e bënin monedhën e përbashkët shumë të kërkuar.
Kredimarrja në valutë arriti kulmin në vitin 2011 dhe më pas, bankat filluan ta frenonin atë, teksa zhvlerësimi i lekut (një euro arriti edhe në mbi 140 lekë) e bëri evidente rrezikun e kursit të këmbimit, për të gjithë ata që i kishin të ardhurat në lekë. P.sh.,, një individ që kishte një këst mujor 300 euro, në vitin 2006 i duheshin 36900 lekë, në 2013-n i duheshin 42100 lekë, pra rreth 14% më shumë.
Sot është e vështirë të marrësh një hua në valutë, pasi bankat i rekomandojnë klientët të marrin hua në monedhën që ata i kanë të ardhurat.
Megjithatë, stoku i huasë në valutë vijon të mbetet i lartë, duke përbërë 53% të totalit të kredisë.
Sot janë rreth 1.8 miliardë euro (253 mld lekë), që bizneset dhe individët duhet t’u kthejnë bankave përmes kësteve mujore. Kredimarrësit që kanë të ardhura në lekë po përfitojnë nga zhvlerësimi i euros, që i ka bërë këstet rreth 5% më të lira se dy apo tre vite më parë.
Në të kundërt, të gjithë ata që kanë marrë kredi në dollarë u rezultojnë këstet më të shtrenjta. Megjithatë, ata janë shumë më të pakët në numër. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, stoku i kredisë në dollarë në nëntor 2016 ishte rreth 260 milionë euro.
Amortizohet rritja e çmimeve të apartamenteve
Historikisht besimi i shqiptarëve te monedha vendase për blerjen e aseteve të mëdha ka qenë i ulët. Një sjellje psikologjike kjo e lidhur që me kohën e Zogut, kur zhvlerësimi i monedhës kombëtare i bëri njerëzit të lidheshin me floririn. Edhe në kohën e komunizmit, ata që kishin flori i ruanin me kujdes. Në fillim të viteve ’90, kur leku u zhvlerësua me shpejtësi, referencë për shqiptarët u bë dollari.
Që prej vitit 2003, kur kaloi për herë të parë dollarin në bursat ndërkombëtare, euro është monedha e preferuar për blerjen e aseteve të qëndrueshme, sidomos apartamentet dhe makinat. Çmimet e shtëpive sot kuotohen në euro, por edhe makinat shiten në këtë monedhë.
Teksa çmimet e apartamenteve po njohin rritje të shpejtë muajt e fundit, shtrenjtimi i tyre po amortizohet disi nga nënçmimi i euros. P.sh., për një apartament 90 metra katrorë në një zonë të mirë të Tiranës, që në 2014-n kushtonte 1000 euro për metër katror, duheshin 12.6 milionë lekë (një euro kushtonte 140 lekë).
Sot, në të njëjtën zonë, për të njëjtën sipërfaqe, kur çmimi ka arritur në 1100 euro për metër katror, apartamenti kushton 99 mijë euro. Nëse kursi do të ishte i njëjtë si në vitin 2014, atëherë kosto e shtëpisë në monedhën vendase do të ishte 13.9 milionë lekë, apo 10% më i shtrenjtë. Por, sot, kur euro këmbehet me rreth 135 lekë, kosto reale e shtëpisë është 13.5 milionë lekë, apo rreth 7% më e shtrenjtë, duke bërë që kursimi nga kursi i këmbimit të jetë gati 3 mijë euro.
Muajt e fundit, tregu i shitblerjes së apartamenteve, pas një periudhe në stanjacion, ka njohur gjallërim. Në raportin e fundit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2016, lexohej se indeksi i çmimeve u rrit me 4.6% në terma mesatarë vjetorë, teksa shihet se indeksi i qirasë së banesave ka regjistruar gjithashtu rritje me 3.3% në tremujorin e katërt.
Rritja e çmimeve ka ardhur për dy faktorë. Së pari, është rritur taksa e ndërtimit në infrastrukturë, nga 4% e kostos në 8% të çmimit të shitjes. P.sh., një ndërtues, që shet apartamente me 900 euro/m² dhe ka kosto ndërtimi prej 500 euro/m², më parë paguante taksë infrastrukture 20 euro/m² (500 euro/m2*0.04), ndërsa tani do të duhet të paguajë 72 euro/m² (900 euro/m2*0.08), apo 3.6 herë më shumë. Nga periferia në qendër, reflektimi në çmime pritet të rriten me 50 deri në 120 euro për metër katror.
Së dyti ka pasur një kërkesë të shtuar për blerje apartamentesh në kryeqytet, me para në dorë në zonën e qendrës, por edhe në periferi, përmes kredisë.
Kjo rritje e kërkesës është reflektuar dhe në çmimin e shitjes, ku në zona të caktuara, rritja e çmimit ka qenë 200-300 euro për m², rritje e cila ka tejkaluar dhe taksën e infrastrukturës.
Në periferinë e Tiranës, mund të gjesh apartamente me 400-500 euro për metër katror dhe më pas rriten sa më shumë i afrohesh qendrës. Zona përreth Unazës është me 900-1000 euro për metër katror. Brenda qendrës është 1200-1800 euro për metër katror, përreth bllokut me 2000-2700 euro për metër katror. Çmimi për m² në zonat elitare, si ajo e TVSH-së, ka kapur nivelin e 3 mijë eurove.
“Ulen” pagat në euro, rriten në dollarë
Shumë institucione ndërkombëtare, apo dhe biznese private i paguajnë punonjësit në euro. Ndërsa ata iu gëzuan një rritjeje të euros në vitet 2010-2015, tashmë po u ndodh e kundërta. Ndonëse paga mund të mos ketë ndryshuar, të ardhurat reale në lekë janë 4-5% më të ulëta se dy vjet më parë, kur euro këmbehej me 140 lekë.
Një pagë vjetore prej 1200 eurosh, e konvertuar me kursin e sotëm është 163 mijë lekë, nga 168 mijë lekë që ishte më parë, pra rreth 5 mijë lekë më pak.
E kundërta ndodh për të gjithë ata që paguhen në dollarë, që në periudhën 2015-2016 kanë parë një rritje të ndjeshme të të ardhurave në lekë. Një pagë prej 1200 dollarësh sot vlen rreth 153 mijë lekë (kursi 128 lekë), nga 127 mijë lekë në vitin 2014, pra rreth 27 mijë lekë më shumë.
Pushimet jashtë më të lira, por të shkosh në SHBA është më shtrenjtë
Gjithnjë e më shumë shqiptarët po preferojnë që pushimet t’i kalojnë jashtë vendit, jo vetëm në muajt e verës, por janë shtuar edhe udhëtimet kulturore përgjatë vitit, kryesisht në Europë. Në modë kanë dalë edhe pushimet në vendet ekzotike në vende të largëta si Maldive, Tajlandë, Santa Domingo etj., që kushtojnë minimumi 1500 euro për një person.
Ofertat e pushimeve janë të gjitha në euro, duke i bërë ato më të lira për të gjithë ata që vendosin të udhëtojnë jashtë vendit.
P.sh., një paketë pushimesh prej 600 eurosh për një person, aktualisht, kur euro këmbehet me 135 lekë, e merr 4200 lekë më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur monedha e përbashkët këmbehej me rreth 139 lekë.
Më shtrenjtë u rezulton atyre që duan të ikin në Shtetet e Bashkuara, që duhet të shpenzojnë mesatarisht 25% më shumë për të këmbyer lekët në dollarë, në krahasim me dy-tre vjet më parë.
Ulen produktet e importit
Me Shqipërinë që importon një pjesë të madhe të produkteve, sidomos ato ushqimore, kjo nënkupton se ato janë më të lira. Alban Zusi pohon se ai ka futur së fundmi në treg një salcë italiane dhe pas rënies së euros ka bërë llogaritë dhe ka vendosur të ulë çmimin e tyre. Më pas, ai ka vënë re se dhe tregu e ka ndjekur, teksa konkurrentët kanë tregtuar më lirë në tregun e pakicës të njëjtin produkt.
Për industrinë përpunuese, kjo është një thikë me dy presa. Ata mund të marrin më lirë lëndët e para të importit, por nga ana tjetër përballen me konkurrencë me produktet e gatshme të importuara. Për industrinë vendase, çmimi më i lirë ka qenë një nga avantazhet kryesore konkurruese.
E kundërta ka ndodhur me dollarin. Luigji Aliaj i Kastratit tha se forcimi i dollarit tre vitet e fundit ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka ndikuar në rritjen e kostos së lëndës së parë të importuar dhe që është transferuar në çmim.
Zhvlerësimi i euros ndaj lekut i ka shkuar më së shumti për shtat qeverisë. Përgjatë këtij viti qeveria ka paguar 3.5 për qind më pak kur ka këmbyer lekë me euro për të shlyer këstet e borxhit të jashtëm. Aktualisht borxhi i jashtëm e i vendit është 504 miliardë lekë, ose 3,68 milionë euro.
Borxhi në euro i Shqipërisë ishte 2.1 miliardë euro në fund të 2016, duke zotëruar 70 për qind e totalit të borxhit. Vitin e kaluar qeveria uli ndjeshëm shpenzimet e shërbimit të borxhit e ndihmuar edhe nga normat e ulëta të interesit në tregjet ndërkombëtare. Vitin e kaluar pagesat për shërbimin e borxhit të jashtëm u ulën me 4.5%. Në total u paguan 10.7 miliardë lekë nga 11.2 miliardë që ishin paguar në vitin 2016.
Stoku i borxhit shtetëror i dominuar në monedhë të huaj është rritur nga 43.1% e totalit në vitin 2014 në 48.6% në vitin 2016, duke sjellë një rritje të moderuar të ekspozimit ndaj rrezikut të kursit të këmbimit.
Rritja e nivelit të borxhit në monedhë të huaj ka ardhur kryesisht nga mbështetja buxhetore e akorduar në kuadër të likuidimit të detyrimeve të prapambetura, garancia pjesore e bankës botërore dhe Eurobondi.
Ministria e Financave ka pohuar se financoi borxhin me hua në valutë në 3.6% mbi objektivin për shkak të kostove të favorshme që kanë rezultuar në tregun e jashtëm gjatë emetimit të Eurobond-it. Kjo rritje sipas Financave erdhi në kuadër të lehtësimit të mëtejshëm të presionit të huamarrjes në tregun e brendshëm dhe në kuadër të uljes së ekspozimit ndaj rrezikut të rifinancimit dhe rrezikut të normave të interesit.
Rreth 70.0% e portofolit në monedhë të huaj përbëhet nga monedha Euro, duke e bërë këtë portofol jo shumë të diversifikuar. Ministria e Financave ka analizuar se, ekspozimi i lartë ndaj kësaj monedhe nuk ka përbërë shqetësim pasi gjatë viteve të fundit monedha euro ka pasur këmbim të qëndrueshëm me lekun dhe së fundi ka pësuar ulje. Ndërkohë, monedha vendase ka pasur luhatje që arrijnë deri në 6.0% kundrejt monedhës USD, që është dhe monedha e dytë më e rëndësishme për sa i përket peshës në portofolin e borxhit.
Gjatë viteve të fundit kostot nga ndryshimet në kursin e këmbimit kanë qenë të moderuara. Kontribut në këtë aspekt ka lëvizja në kah të kundërt e monedhës EUR dhe USD, si edhe fakti që shumica e ripagesave të instrumenteve të borxhit të huaj janë të shpërndara gjatë në kohë dhe ripaguhen në disa këste.
Pavarësisht ekspozimit jo të lartë të portofolit në monedhë të huaj, në të ardhmen është shumë e rëndësishme që të bëhet kujdes me rritjen e mëtejshme të ekspozimit, pasi mund të ketë ndikim në uljen qëndrueshmërisë së borxhit dhe në aftësinë ripaguese të Shtetit për detyrimet në valutë, analizon Ministria e Financave. Raporti i borxhit në monedhë të huaj kundrejt eksporteve dhe rezervës valutore janë indikatorë shumë të rëndësishëm, të cilët vlerësojnë aspektin e mësipërm. Gjatë viteve të fundit këto dy raporte janë rritur duke treguar një rënie në aftësinë ripaguese në valutë.
Duke filluar prej vitit 2013 ritmet e rritjes së borxhit në monedhë të huaj kanë qenë më të larta se ritmet e rritjes së eksporteve dhe rezervës valutore. Megjithëse efektet e kursit të këmbimit kanë qenë të moderuara, në të ardhmen ekspertet rekomandojnë që është e rëndësishme që borxhi i jashtëm të rritet me ritme proporcionale me eksportet dhe rezervën valutore.
Ndikohen negativisht të ardhurat doganore
Dogana shqiptare aplikoi një kurs mesatar të këmbimit euro- lek në nivelin 137,68 lekë për vitin 2016. Për vitin 2015 këmbimi mesatar euro -lek ishte 140.02. Për efekt të zhdoganimeve, doganat aplikojnë një kurs mesatar mujor këmbimi që i referohet të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë. Por duke qenë se euro është zhvlerësuar me të paktën 3.5 për qind në harkun e një viti, doganat kanë marrë më pak të ardhura nga këmbimi i euros me lekun kur janë paguar taksat. Të njëjtit biznese për të njëjtat mallra këtë vit kanë paguar më pak lekë me të njëjtat euro se sa një vit më parë.
Aktualisht 63 për qind e importeve që vijnë në Shqipëri janë nga vendet e euros, por duke qenë se nafta importohet në dollarë, rreth 40 për qind e këtyre importeve vijnë në monedhën euro. Më 2016 importet ishin gjithsej 579 miliardë lekë nga të cilat mbi 365 miliardë lekë ishin nga vendet e euros. Por importet në euro llogariten të jenë rreth 40 ose rreth 250 miliardë lekë. Vlera e importeve të 2016 ka qenë rreth 8.7 miliardë lekë më të lira se ato të 2015, për shkak të rënies së euros në raport me lekun.
—————–
Kursi, faktorët që ndikojnë
Në vite, ecuria e kursit të këmbimit ka pasur një sjellje që vështirë se shpjegohet me faktorë direkt makro dhe të ekonomisë së ligjshme, si bilanci i pagesa, ai tregtar, tendenca e prurjeve të emigrantëve, apo dhe ecuria mes euros dhe dollarit në tregjet ndërkombëtare.
Të dhënat historike tregojnë se ka vite kur deficiti tregtar është rritur, çka nënkupton se importet kanë qenë në rritje, duke nxjerrë më shumë valutë nga vendi dhe eksportet në tkurrje, pra ka hyrë më pak valutë në vend dhe sërish, monedha vendase është forcuar.
Një sjellje e tillë është konstatuar në periudhat 2005-2008 dhe 2013-2016.
Sidomos në periudhën 2005-2008, euro ka qenë e fortë dhe në bursat ndërkombëtare, duke mos justifikuar nënçmimin e saj në tregun vendas.
Kërcimi më i madh i euros është konstatuar në periudhën 2009-2011, kur nga 123 lekë në 2009, monedha përbashkët arriti në 140 lekë në 2011-n. Më shumë se faktorët e jashtëm, ndikimin kryesor, sipas edhe vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë të asaj kohe, e dha transferimi i fitimeve nga kompanitë celulare, Vodafone dhe AMC (sot Telecom Albania). Në vitin 2008, këto dy kompani arritën fitime rekord prej rreth 190 milionë eurosh së bashku, një pjesë e të cilave u transferuan te mëmat në vitin e mëparshëm. Për një treg që në atë kohë vlerësohej se kishte këmbime valutore 2-5 milionë euro në ditë, këto ishin shuma të konsiderueshme, që e “shkundën” tregun. Dy kompanitë kanë vijuar me fitime të larta deri në 2012, më pas ato kanë rënë ndjeshëm.
Pas forcimit të 2009-2010, tregu i këmbimeve valutore për disa vite arriti një lloj ekuilibri ku euro tregtohej mesatarisht me 140 lekë. Ai qëndroi rreth niveleve të tilla të larta edhe në 2015-n, kur në bursa euro zbriti në 1.11 USD, nga 1.33 vitin e mëparshëm. Atë vit, kursi i kryqëzuar (ruajtja e raportit Euro/USD në bursa) u mbajt përmes mbiçmimit të dollarit, me monedhën e gjelbër që arriti në 133 lekë.
Monedha vendase filloi të forcohej me shpejtësi në gjysmën e dytë të vitit 2016, duke e mbyllur vitin në kuotën e 135 lekëve, niveli më i ulët ky që nga 2009-a, teksa e kishte nisur në kuotën e 139.3 lekëve.
Për gjithë vitin 2016, kursi mesatar i këmbimit euro-lek ishte 137.4 lekë, nga 139.7 lekë në vitin e mëparshëm, duke rënë me 1.6%. Kjo është mesatarja më e ulët që nga viti 2009, kur monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 132.1 lekë. Prej gati 5 vitesh, euro në tregun e brendshëm ishte luhatur në kuotat e 139-140 lekëve.
Kanë qenë disa arsyet kryesore të kësaj sjelljeje të brendshme dhe të jashtme.
Si faktor i jashtëm, në tregjet ndërkombëtare ka qenë e dobët. Euro e mbylli vitin 2016 duke u këmbyer me 1.04 lekë, me një rënie vjetore prej 4.3%. Në fillim të 2016-s, euro këmbehet me 1.26 USD. Por rënia e euros në bursa nuk është e mjaftueshme për të shpjeguar nënçmimin e saj në tregun e brendshëm. Në dhjetor të një viti më parë, kur euro zbriti në nivele të ngjashme në bursa, ajo këmbehej me rreth 139 lekë tek ne, ndërsa ishte dollari ai që reflektoi ndryshimin, duke u ngjitur në rreth 132 lekë.
Faktorët e brendshëm që kanë mbajtur euron të dobët janë disa:
-së pari, në 2016-n ka qenë i ndjeshëm zhvlerësimi i euros nga datat 14-20 të këtij muaji, kur paguhen TVSH dhe sigurimet. Aktorët e tregut pohonin se bizneset nxitonin të këmbenin valutën për të pasur likuiditete për të paguar taksat, edhe si rrjedhojë e presionit më të lartë nga autoritetet fiskale për të paguar taksat. Edhe gazsjellësi TAP, që filloi punën, ka ndikuar në kërkesën për monedhën vendase në ditët e pagimit të taksave.
-së dyti, oferta e euros ka qenë shumë e lartë në 2016-n, sidomos në gjysmën e dytë të vitit. Në kushtet kur eksportet kanë qenë gjatë gjithë vitit në rënie (për 11-mujorin tkurrja ishte 1.6%), deficiti tregtar (Diferenca mes eksporteve dhe importeve) është zgjeruar me 13% për të arritur në -2.2 miliardë euro dhe remitancat për 9-mujorin ishin në të njëjtin nivel si një vit më parë, mbetet e paqartë se nga ka hyrë kjo valutë.
-Së treti, ka pasur rritje të numrit të turistëve, që kanë sjellë më shumë valutë në vend. Vitet e fundit, bilanci i udhëtimeve është kthyer në pozitiv, ndonëse në nivele të vogla dhe për 9 mujorin 2016 arriti në nivele rekord.
Edhe Banka e Shqipërisë ka arsyetuar se ky forcim i lekut po vjen nga një ofertë e lartë e monedhës euro në treg, së cilës i është përgjigjur një kërkesë e dobët për euro. Aktorët e tregut pohojnë se oferta e lartë në valutë ka lidhje me paratë informale që po hyjnë nga shitja e hashashit, që pas tetorit, kur nisi dhe shitja e tij. Në dhjetor 2016, euro zbriti në 134.39 lekë, niveli më i ulët nga tetori i vitit 2009.
Përgjatë vitit 2016, dollari është luhatur mes 122 dhe 129 lekëve, për ta mbyllur vitin në kuotën e 129 lekëve, në nivele më të ulëta se viti i kaluar, kur arriti në 132 lekë.
Janari 2017 nisi me një forcim të shpejtë të euros, që arriti deri në 137.3 në 19 janar dhe më pas ra me shpejtësi për të arritur në rreth 135 lekë, ku këmbehet aktualisht, i ndikuar si nga faktorët e jashtëm (euro këmbehet me rreth 1.05 USD) ashtu dhe në ata të brendshëm (të njëjtët që ndikuan në gjysmën e dytë të 2016-s).
——————–
A e dini sa janë 2 miliardë euro?
104 mijë bizneset në Shqipëri fitojnë vetëm gjysmën e kësaj shifre
Si ekonomia e parave të pista po shtrembëron ekuilibrat e brishtë makroekonomikë, po shkatërron eksportuesit, po rrit çmimet e apartamenteve, po thellon pabarazinë…
Ambasadori i ri i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt, ka bërë mbrëmë një deklaratë të fortë në “Ora News”, kur ka pohuar në “Tonight Iva Tare” se “qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para të pista”.
Por sa e rëndësishme është kjo shumë për ekonominë shqiptare. “Monitor” po sjell disa krahasime:
-2 miliardë euro janë sa 18% e asaj që prodhon gjithë ekonomia shqiptare në një vit. Sipas Ministrisë së Financave, Prodhimi i Brendshëm Bruto për vitin 2016 është 1.5 trilion lekë, apo rreth 11 miliardë euro.
-Sipas anketës strukturore të ndërmarrjeve të vitit 2015, të sapopublikuar nga INSTAT, bizneset kanë raportuar në total fitime neto prej 156 miliardë lekësh në viti, apo rreth 1.1 miliardë euro. Pra 104 mijë bizneset, që me mund përpiqen të mbijetojnë në një treg ku konsumi është i dobët dhe konkurrenca po shtohet, arrijnë të fitojnë vetëm gjysmën e sasisë së parave të pista që qarkullon në ekonomi.
-Për vitin 2016, eksportet në Shqipëri në total ishin 243 miliardë lekë, apo rreth 1.8 miliardë euro. Këtë vit, eksportuesit po gjenden në vështirësi për shkak të rënies së ndjeshme të euros, në rreth 135 lekë, nga 140 lekë një vit më parë, që duket si shkak kryesor i sasisë së lartë të valutës së pistë që po hyn në Shqipëri. Ky është një shembull i qartë se si ekonomia kriminale po konkurron ndjeshëm bizneset e ndershme.
-Të ardhurat totale në buxhet për 2016-n ishin 3 miliardë euro. Kjo është shuma që institucionet shtetërore arrijnë të mbledhin nga taksat në ekonomi.
-Të ardhurat nga remitancat, pra paratë që emigrantët që punojnë jashtë vendit, dërgojnë tek të afërmit e tyre në Shqipëri, ishin 752 milionë në 2015.
-Rezervat valutore të Bankës së Shqipërisë, që institucioni monetar qendror i mban të llogaritura në muaj importe për çdo rast emergjence, janë 2.8 miliardë euro.
Ekonomia shtrembëruese e parave të pista dhe shtimi i pabarazisë
Ekonomia e parave të pista tashmë ka filluar të shtrembërojë ekuilibrat e brishtë makroekonomikë. Në mënyrë të pazakontë, euro ka zbritur aktualisht në 135 lekë, nga 139 lekë në janar të një viti më parë, duke pasur një sjellje të kundërt nga vitet e kaluara, kur pavarësisht rënies së monedhës së përbashkët në tregjet ndërkombëtare, ajo qëndronte në nivelin e 140 lekëve në tregun vendas. Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja lidhet me ofertën e lartë në euro.
Konsumi rezulton në rritje, por është e vështirë të dallohet se sa ka ardhur nga përmirësimi i ekonomisë dhe sa nga paraja e aktiviteteve kriminale. Në mënyrë paradoksale, papunësia po ulet nga rritja e të punësuarve në bujqësi, kur vetë sektori zyrtarisht, sipas të dhënave të INSTAT, rezulton me rënie.
E dhëna më e fundit, vjen indirekt nga tregu i pasurive të paluajtshme. Ka një rritje të ndjeshme të shitjes së apartamenteve në zona të preferuara dhe mjaft të shtrenjta të Tiranës, me para në dorë muajt e fundit, që po paguhen me të ardhura të padeklaruara që vijnë nga ekonomia e zezë .
Një tregues i qartë ky i rritjes së pabarazisë, teksa disa individë po arrijnë të pasurohen me shpejtësi brenda një periudhe të shkurtër kohore dhe po tërheqin rritjen e shpejtë të çmimeve të apartamenteve, në kurriz të atyre që do t’u duhen tashmë më shumë vite punë e më shumë kursime të mundimshme për të blerë shtëpinë që mund ta kenë ëndërruar gjithë jetën, por që po bëhet “mollë e ndalueme” për ta. Çmimet e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet, po rriten për shkak të blerjeve me para në dorë, me të ardhurat informale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.