Që ekonomia po i ngjan një rulete, kjo tanimë nuk ka asnjë dyshim. Qeveria i vuri pikat mbi “i” këtij konkluzioni kur, mes “thërrimeve” që mendon të shpërndajë si lehtësi fiskale për disa sektorë, gjatë vitit tjetër, ndër u përpoq të ndajedhe një copë të madhe për biznesin e lojërave të fatit.
Ministri i Financave, nga fundi i draftit, propozon që për vitin tjetër për lojërat e fatit, tatimi mbi xhiron të llogaritet pasi janë zbritur shpenzimet operative dhe fitimi i ditës nga klientët që luajnë. Teknikisht, ky propozim nuk ka sens te një biznes që nuk paguan TVSh (lexo monitor.al), dhe djeg mundësinë që humbësi të marrë paratë mbrapsht, si investim publik nga qeveria që i mbledh përmes taksës (favor i pastër!). Por “djalli” i fshehur në detaje tenton ta ndërtojë ferrin e tij në të gjithë ekonominë.
Biznesi i lojërave të fatit, sipas të dhënave zyrtare dhe atyre që “Monitor” ka publikuar periodikisht ekskluzivisht, tregon se kjo industri qarkullon të paktën 120 milionë euro në vit dhe renditet ndër sektorët me fitimin dhe normën më të lartë të fitimit që luhatet 20-80% e xhiros. Nga kjo pasqyrë, nuk rezulton që sektori të ketë nevojë për ndihmë nga politikat fiskale.
Por, edhe sikur të ishte e kundërta dhe ky biznes të ishte drejt falimentimit, do të ishte më mirë për ekonominë dhe shoqërinë. Sepse nuk është industria që mund të nxisë p.sh. turizmin (siç ndodh në Las Vegas e Montekarlo), nuk harxhon vetëm paratë e të pasurve, por shfrytëzon qytetarët shqiptarë deri në bjerrje ekonomike dhe sociale.
Nga ana tjetër, industria e lojërave të fatit po i thith ekonomisë duke i përqendruar drejt saj, dy burimet më të rëndësishme, fuqinë njerëzore dhe kapitalin. Sot, për fatin e keq të të gjithëve, në 16 kompanitë më të mëdha publike dhe private në Shqipëri, që kanë më shumë se 1000 punëtorë, tre janë kompani të lojërave të fatit. Fitimi i deklaruar, jo ai informal, në një vit pa evente të mëdha sportive si p.sh., Kupa e Botës në Futboll, arriti të jetë minimalisht 20 milionë dollarë në vit, por vlerësohet se mund të arrijë deri në 80 milionë dollarë për shkak të evazionit. Por në vend që këto para dhe ky kapital human të orientohen drejt sektorëve që mund të jenë në Shqipëri, burim i një rritje ekonomike të qëndrueshme, me “dashamirësinë” e çuditshme të qeverisë, ato po shtyhen drejt një modeli që nuk zgjat shumë dhe që ka provuar se i ka shkatërruar ekonomitë dhe shoqëritë.
Ndërsa ekonomia ka nevojë për stimuj fiskalë dhe politika fiskale që rregullojnë deformimet, ekuilibrojnë barrën e peshës dhe nxisin investimet dhe punën, qeveria kundër pedal, propozon tjetër gjë.
Në një ekonomi që me vështirësi kap rritjen 3%, sidomos së fundi, me sy të lirë dallon shpërthimin si kërpudhat pas shiut të ambienteve me lojëra të fatit dhe ka një dyndje reklamash të tyre në mediat jo vetëm private, edhe ato publike!!!
A thua kjo industri është bërë aq e fuqishme sa tani ka mundësi të diktojë edhe ligje në favor të saj? Rasti i fundit tregoi se ajo ka hyrë deri në komisionet parlamentare pa asnjë skrupull të atyre që i propozojnë, por ende nuk e dimë se a do t’ia dalë deri sa të kalojë për miratim në Parlament. Gjithsesi, duket qartë se qeveria nuk po heq dorë së propozuari si rrugë të vetme të shpëtimit “parajsa ekonomike” në modelin e koncesioneve dhe kumarit, ku në fakt brenda tyre po fle djalli, që ka shtrënguar për fyti ekonominë dhe ka korruptuar përpjekjet e shqiptarëve për mirëqenie.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Filloni diskutimin ore kumarxhinj!