Kthimet e fondeve të investimit shënuan rritje të ndjeshme vitin e kaluar, duke u ringritur nga goditja që pësuan prej rritjes së shpejtë të normave të interesit në vitin 2022.
Sipas të dhënave më të fundit të raportuara nga shoqëritë administruese, të gjitha fondet e investimit në Lekë kishin kthime pozitive, madje edhe në nivele të konsiderueshme.
Në fund të muajit nëntor 2023, fondi i më i madh i investimit, Raiffeisen Prestigj, raportoi një kthim vjetor në masën 6.96% (nga -4.07% në fund të vitit 2022).
Fondi tjetër i shoqërisë administruese Raiffeisen Prestigj, Raiffeisen Invest, raportoi kthim nga investimi në masën 11.23% (nga -8.82% në fund të vitit 2022).
Fondi Credins Premium në fund të nëntorit raportonte një kthim vjetor pozitiv në masën 1.22% (nga -6.77% në fund të vitit 2022).
Ndërkohë, fondi Albsig Standard është i vetmi fond që publikon rezultatet mbi bazë ditore. Vlerësuar në çmimin e kuotës të datës 9 janar 2024, kthimi vjetor nga investimi i këtij fondi ishte në masën 8.02%.
Fondi ABI EIA ka arritur të ketë një normë kthimi prej 4.55% në 2023 duke rikuperuar konsiderueshëm nga kthimi prej -0.7% që kishte në 2022. Duke marrë në përllogaritje performancën totale kumulative të fondeve në Shqipëri (2022-2023). Fondet e shoqërisë ABI Invest kanë mbi performuar krahasimisht me fondet e tjera në treg
Tendenca në rënie e yield-eve gjatë vitit 2023, veçanërisht në gjysmën e parë të tij, bëri që çmimi i kuotës së fondeve të investimit në lekë të arrinte një rimëkëmbje të shpejtë, pas rënies së fortë të vitit 2022. Fondet në lekë i investojnë kuotat e tyre kryesisht në obligacione dhe bono të qeverisë shqiptare.
Në parim, çmimi i një titulli financiar të borxhit lëviz në drejtim të kundërt me ecurinë e yield-eve në tregjet financiare. Në momentin që yield-et rriten, çmimi i titullit ulet; ndërsa kur yield-et ulen, çmimi i titullit rritet.
Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), asetet neto të fondeve të investimit në fund të 9-mujorit 2023 arritën në afërsisht 44.8 miliardë lekë. Asetet neto u rritën me 1.5 miliardë lekë krahasuar me tremujorin e dytë, ndërkohë që paraqiten në rritje me 7.94% krahasuar me fundin e vitit të kaluar. Asetet neto të tregut u rritën për të tretin tremujor radhazi, duke konsoliduar sinjalet e një rimëkëmbjeje të ngadaltë.
Një zhvillim ndoshta edhe më i rëndësishëm ishte edhe rritja e numrit të anëtareve në këto fonde. Numri i anëtarëve arriti në 31 281, në rritje me 8% krahasuar me fundin e vitit 2022.
Numri i anëtarëve u rrit për të dytin tremujor radhazi, çka mund të jetë një tregues i rifitimit gradual të besimit të investitorëve.
Sidoqoftë, numri i investitorëve ngelet ende larg nivelit prej më shumë se 40 mijë subjektesh (në masën dërrmuese individë) që regjistrohej para rritjes së normave të interesit, në fund të vitit 2021./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.