Shumë prej tyre, nuk do të vinin në kushtet aktuale të investonin në prodhimin e energjisë hidrike. Pas lëshimeve të mëdha në emër të pavarësisë energjitike, gjendemi para kostove të mëdha e planeve të qeverisë për të rivendosur në peshore këto investime
Ndonëse janë pozicionuar në luginat e vendit, prodhuesit e hidrocentraleve kanë mbetur si peshku pa ujë. Pak vite pas shpalljes së prioritetit kombëtar për energjnë, investitorët e prodhuesit e energjisë, po gjenden përballë rregullave të ndryshuara në mes të lojës. Një ligj kuadër për energjinë po diskutohet në kuvend, ndërsa pritet që së shpejti të mbërrijnë në komisionet parlamentare edhe ndryshimet në ligjin ende të ri të energjisë së rinovueshme. Ndryshimi i rregullave në kushtet e një reforme të ndërmarrë për sektorin, rrezikon të dëmtojë qindra miliona euro investime private në energji, e për më tepër të krijojë një precedent të keq për investimet e huaja. Por nga ana tjetër, shumë përparësi të dhëna shpesh me lehtësi, e ndoshta pa një vlerësim të matur siç duhet, mund t’i kushtojnë një faturë të kripur buxhetit të shtetit e taksapaguesve shqiptarë.
Mes strategjive të zhvillimit në këtë sektor e investimeve të bëra, duhet vlerësuar cila është rruga e mesme e artë, ku asnjë palë të mos dalë e “falimentuar”. Më poshtë sjellim këndvështrimin e prodhuesve të energjisë nga HEC-et e vegjël.
———-
HEC-et drejt falimentit me çmimin e ri
Flet Giordano Giorini, kryetar i bordit ekzekutiv të Shoqatës së Energjisë, AREA
AREA përfaqëson 95% të prodhuesve privatë të energjisë, ku përfshihen investitorë shqiptarë, italianë, francezë, austriakë e turq. Flasim për investime që arrijnë vlerën e 500 milionë euro dhe kapacitet të instaluar 400 megavat. Të gjithë e dimë se potencialet e sistemit hidroelektrik janë edhe për një mijë megavat të instalueshme me një vlerë prej 1.12 miliardë eurosh. Pra, është një plan zhvillimi i konsiderueshëm dhe ky sektor ka absolutisht nevojë për të rishkruar rregullat, pasi po flasim për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në tetë vitet e fundit, sistemi energjetik në Shqipëri është në borxhe të mëdha, gati afër falimentit. Investitorët këtu kanë qenë të akuzuar se janë ata përgjegjësit e këtij falimenti dhe kjo nuk është aspak e vërtetë.
Prodhimi privat i energjisë në vitet e fundit ka qenë gjithmonë nën importin e energjisë. Flasim për dy miliardë kilovat/orë të prodhuar në tetë vitet e fundit nga kompanitë private, krahasuar me 18 miliardë kilovat/orë të importuar. Një raport 1 me 9. Është e dukshme se problemi nuk janë prodhuesit privatë të energjisë. Nuk mund të jemi kaq influencues në sektorin e energjisë. Po flasim për një prodhim që në vitin 2014 ishte sa 8.9% e totalit të nevojave të brendshme në Shqipëri. Ndaj, prodhuesit privatë të energjisë kanë investuar, kanë krijuar borxhe në banka, kanë hapur vende pune në zona larg Tiranës, ku nuk është e lehtë të jetohet, ku nuk ka aktivitete të tjera industriale. Kështu që flitet për një bashkëpunim mjaft të ngushtë me qeverinë shqiptare, madje mund të konsiderohemi ortakë, pasi përveç taksave, japim edhe pagesë koncesionare. Ne mendojmë se investimet tona janë pasuri e Shqipërisë nisur nga fakti që në fund të koncesionit mbeten pronë e këtij vendi. Flasim për investime me një vlerë të lartë të kapitalizuar. As sektori i përpunimit nuk ka investuar kaq shumë. Një investim në hidroenergji, e verifikuar edhe nga Enti Rregullator, kushton 1.2 milionë euro për një megavat fuqi të instaluar. Ne kemi zhvilluar këtë kosto të realizimit dhe sipas nesh, për një rikthim të investimeve në dhjetë vjet, çmimi mesatar i energjisë është 8.9 lekë për kilovat. Çmimi, i përcaktuar nga ERE, për këtë vit, është 7.63 lekë. Ndryshimi është i dukshëm. Kemi lexuar në gazeta se kompania e shpërndarjes së energjisë ka blerë energji me 8 lekë për kilovat dhe pyesim pse duhet mbështetur apo lehtësuar importi i energjisë, i cili nuk sjell të ardhura në sistemin ekonomik shqiptar, në vend që të blinte nga prodhimi vendas?! Nevojat e Shqipërisë për energji janë në rritje në një vend në zhvillim dhe do të rritet më tej nevoja për energji. E gjithë kjo është një mundësi e madhe për sektorin hidroelektrik, pasi në vendet e tjera, si Itali, Francë, Austri është shfrytëzuar gjerësisht. Madje problemi që ka Italia tani, është pikërisht se në të shkuarën ka mbështetur importin në vend të prodhimit.
Nevojiten disa rregulla. E kuptojmë që nuk është e lehtë në një sektor që ka probleme të mëdha por ne jemi të disponueshëm për të rishkruar së bashku këto rregulla. Ka një mundësi të madhe, por për të shfrytëzuar mundësitë nevojiten investime me një kapitalizim të fortë. Askush nuk vjen të investojë nëse nuk ka rregulla të qartë.
———
Na janë bllokuar llogaritë bankare
Flet SOKOL MECEMEJA, sipërmarrës
Në momentin që doli ligji për sektorin e hidrocentraleve vendosëm të investojmë në këtë sektor dhe në momentin që konkurruam, na u dha një një copë letër, pra një koncesion. Qeveria e mëparshme nuk ndihmoi as në marrjen e pikëve, as me komunarët e zonave, as me njerëzit që na kanë penguar gjatë gjithë kohës së punimeve dhe 3-4 vjet kanë qenë peripeci dhe probleme. Vjen koha kur në 2013-n, kur kanë mbaruar 70% e koncesioneve, jemi para faktit se jemi macja e zezë e sektorit. Morëm koncesionet, punuam tre vjet dhe paskemi shkatërruar sektorin. Ne paguajmë të gjitha detyrimet, paguajmë dividentë 15% dhe sot gjendemi para faktit se kemi dhe llogaritë personale të bllokuara.
Kam parë një debat me Drejtoreshën e Tatimeve, e cila tha se absolutisht po zbatojmë ligjin. Ndërkohë, shteti nuk na paguan faturat, tatimet na bllokojnë llogaritë personale. Po vazhdoi kështu na duhet t’i dorëzojmë këto centrale ose të krijohet një mënyrë për të bërë diçka të përbashkët që të vazhdojë gjatë. Po ndodhin disa gjëra të njëpasnjëshme, që nuk ka një bazë si do të vazhdojë. Sigurisht për diçka jemi të bindur. Për atë që prodhojmë, për taksat e tatimet që paguajmë duhet të krijojmë një bazë që të na mundësojë të paktën deri në shlyerjen e këtyre investimeve (një kudër ligjor për disa vjet), një kuadër ligjor si në Bashkimin Europian.
Disa muaj më parë, kishim Sekretariatin e Komitetit të Energjisë. Kishte një rekomandim shumë të fortë lidhur me HEC-et e dhëna me koncesion që synonte diskutimin, rinegocimin, bashkëbisedimin dhe uljen e përbashkët për të gjetur një zgjidhje me interes reciprok.
———–
Ndodhemi përpara pasigurish ligjore
Flet Flonja Tashko, avokate
Projektligji për sektorin e energjisë nuk është një projektligj i veçantë në një sektor tërësisht të ri, por është një ligj kuadër, i cili do të rregullojë marrëdhëniet edhe në një sektor ku ekzistojnë edhe ligje të tjera, të miratuara jo shumë kohë më parë. Në rastin tonë, është pikërisht ligji për burimet e energjisë së rinovueshme. Ligji i miratuar në 2013-n është në përputhje të plotë me Direktivën Europiane 2009/28. Ky ligji i fundit ka trajtuar në mënyrë specifike marrëdhëniet me prodhuesit e energjisë së rinovueshme. Në këtë kuadër, projektligji i ri për sektorin e energjisë duhet të jetë në përputhje të plotë me Ligjin për Burimet e Energjisë së Rinovueshme dhe me Direktivën. Meqenëse ky projektligj ka si objektiv në nenet e tij të para të implementojë në Shqipëri një sistem të energjisë në përputhje me direktivat europiane, atëherë duhet marrë parasysh një ligj i mëparshëm, i cili synon të njëjtën gjë. Nuk ka asnjë logjikë legjislative të miratohet një projektligj që ndryshon në thelb nga një ligj i miratuar dy vite më parë, i cili ka tjetër synim me projektligjin. Ndaj kemi katër vërejtje në lidhje me projektligjin në sektorin e energjisë elektrike. Janë katër pika të rëndësishme të trajtuara dhe të mbuluara edhe në ligjin për Burimet e Energjisë së Rinovueshme dhe Direktivën Europiane. Së pari, detyrimi për të blerë energjinë elektrike. Sikurse dihet, një pjesë e prodhuesve të HEC-eve, kanë lidhur kontrata shitblerje 15-vjeçare me KESH-in si furnizues publik me shumicë. Këto kontrata janë në fuqi. Po kështu, në ligjin për burimet e rinovueshme, kemi detyrimin e KESH, të lidhë kontrata 15-vjeçare, të blejë energji nga prodhuesit, në rast se këta e kërkojnë.
Pra, prodhuesit e energjisë së rinovueshme kanë të drejtë t’i kërkojnë KESH-it ose furnizuesit me shumicë të hyjë në marrëdhënie me ta në bazë të një kontrate tip të ERE-s, me tarifa e marrëdhënie të rregulluar nga ERE. Në projektligjin që na është vënë në dispozicion kjo nuk është marrë parasysh. Pra, nuk ka asnjë referencë në detyrimin për të blerë energji elektrike dhe nuk ka asnjë referencë se cili do të jetë furnizuesi publik me shumicë, në një rast të privatizimit të ardhshëm të KESH, ne nuk e dimë ç’do të ndodhë me këto kontrata 15- vjeçare në të ardhmen. A do të ketë KESH, ose operator tjetër i tregut, detyrimin për të blerë energji dhe si ky detyrim do të bazohet në ligjin për energjinë e rinovueshme në metodologji të caktuara, kontrata tip të miratuara nga ERE apo jo. Pra, jemi përballë një pasigurie juridike që sjell mosharmonizimi i këtyre dy ligjeve. Ne kërkojmë që projektligji për sektorin e energjisë të bëjë një referencë ose të përcaktojë se cili është blerës i detyruar në tekstin e ligjit. Gjithashtu, kërkojmë një garanci për kontratat tona 15- vjeçare, kjo garanci duhet të jetë edhe në rast se KESH nuk është më në të ardhmen furnizues publik me shumicë. Pra, nëse roli i KESH ndryshon, çfarë do të ndodhë në këto kontratat 15-vjeçare?! Kjo duhet reflektuar, sepse sistemi që ka ligji i 2013-s (kur disa akte nënligjore ende nuk janë hartuar) parashikon ndryshe.
Problemi i dytë në ligj është çështja e mungesës së balancave të energjisë. Sektori e ka të nevojshëm të ketë një balancë që injektohet në treg me atë të konsumit. Ky balancim bëhet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit. Deri më sot, ashtu si edhe në ligjin për energjinë e rinovueshme, kosto e këtij balancimi nuk ka rënduar mbi prodhuesit e energjisë së burimeve të rinovueshme. Për një arsye të thjeshtë teknike, disa nga këta prodhues mund të parashikojnë energjinë që prodhojnë çdo ditë apo javë. Por prodhuesit e energjisë hidrike nuk kanë mundësi të bëjnë këtë parashikim për arsyen e thjeshtë të motit. Për këtë arsye, ligji për energjinë e rinovueshme, i përjashton këta prodhues nga përgjegjësia e kostos për balancim dhe nuk ka asnjë projektligj të ri që të vendosë një sistem tjetër. Për këtë arsye, duhet që projektligji për sektorin e energjisë të shkojë në përputhje të plotë me atë për burimet e rinovueshme, kostot e këtij balancimi rëndojnë mbi blerësin e detyruar, ose mbi OST.
Ky sistem që na është propozuar është i paqartë. Nga njëra anë, thotë OST, bën balancimin, nga ana tjetër, thotë që janë pjesëmarrësit në treg që përgjigjen për disiplinimin. Kjo çështje është zgjidhur tek ligji për burimet e energjisë së rinovueshme.
Është e paqartë përgjegjësia për humbjet gjatë transmetimit të shpërndarjes. Thuhet në projektligj që rëndon përgjegjësia për humbjet e transmetimit dhe shpërndarjes por nuk thuhet mbi kë.
E njëjta gjë ndodh për tarifat e transmetimit. Deri më sot nuk paguhen nga prodhuesit e energjisë së rinovueshme, ndërsa ligji i ri i ngarkon këta prodhues të paguajnë tarifat e transmetimit. Me ligjin e ri ka katër kosto të reja të papërballueshme dhe një sistem që shkon në kundërshti me ligjin e 2013-s dhe direktivën: kosto e disbalancimit, mungesë e detyrimit të blerësit për të marrë energji, tarifën e transmetimit dhe humbjet. Të gjitha këto i kundërshtojmë dhe kërkojmë që të drejtat e fituara të kompanive koncesionare të mos cenohen. Për këtë arsye, sugjerojmë që në nenin 109 të përfshihet një paragraf, i cili të thotë se hyrja në fuqi e këtij ligji nuk cenon asnjë të drejtë të fituar nga koncesionet.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.