Kuvendi gjatë seancës së tij të radhës do të marrë në shqyrtim një sërë vendimesh të rëndësishme, të marra nga qeveria gjatë ditëve të fundit. Punimet e seancës plenare nisën
me diskutimin e një ndryshimi në ligjin “Për miratimin e Kontratës së Koncesionit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, si Autoritet Kontraktues dhe ENV AG, STATKRAFT AS dhe DEVOLL HYDROPOWER SH.A., si bashkëkoncesionarë, për projektimin, financimin, ndërtimin, marrjen në pronësi, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e projektit të hidrocentralit në lumin Devoll”. Në fjalën e tij kryeministri Sali Berisha theksoi se ky projekt ka rëndësi historike pasi do sjellë punësimin e mijëra qytetarëve, prandaj iu kërkoi deputetëve të opozitës ta miratojnë.
“Kjo kontratë ka rëndësi të jashtëzakonshme se në këtë vepër do punësohen 4 deri në 5 mijë punëtorë dhe inxhinierë të qarkut të Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë. Së dyti ka rëndësi të jashtëzakonshme se kjo përbën një investim tjetër gjigant në historinë e vendit, përbën kurorëzimin me suksesin më të madh të përpjekjeve të kësaj mazhorance për të bërë Shqipërinë, vendin më të tërheqës për investime të huaja. Kjo përbën sukses tjetër, po të kemi parasysh kohën në të cilën ndodh, kohë kjo, recensioni dhe krize për vendet më të zhvilluara të Europës. Kjo përbën një arritje madhore, në strategjinë tonë, të shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi të energjisë së rinovueshme. Sot një nga leksionet më të mëdha që po përjeton bota e zhvilluar është se çdo qeveria dhe çdo vend e shoqëri do bëjë gjithçka për zhvillimin e qëndrueshëm, jo zhvillimi por zhvillimi i mjaftueshëm”, tha kryeministri.
Sipas Berishës zhvillimet e paqëndrueshme të rikthejnë pas, kurse energjia e rinovueshme është një nga shtyllat themelore të zhvillimit ekonomik. Ai tha se në mandatin e ardhëm në këto vepra do punësohen së paku 30 mijë shqiptarë.
Gjatë diskutimit në Kuvend kryeministri Berisha sulmoi edhe taksën progresiste të Partisë Socialiste duke theksuar se i ka premtuar biznesit gjatë një takimi se kjo taksë nuk do të vendoset asnjëherë. “Isha në një takim me biznesin e huaj dhe shqetësimi që ngriti biznesi i huaj ishte taksa progresive. Por unë i garantova se ajo nuk do kthehet kurrë më. Dhe këtë e bazoj në faktin se vendet e punës nuk janë të majta apo të djathta se hidrocentralet, fabrikat se fermat nuk janë të majta e të djathta, por janë vende pune, qendra punë, vende punësimi ndaj dhe kam bindjen më të madhe se shqiptarët nuk do pranojnë kurrë, rikthimin një takse famëkeqe”, tha ai.
Pjese e rendit të ditës janë edhe një sërë projektligjesh, si ai për uljen e taksave vendore, heqja e TVSH-së për pagat deri në 30 mijë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.