Kompania kineze Huawei Technologies Co Ltd, tha se ka dalë “nga gjendja e krizës”, pasi regjistroi një rritje të vogël të të ardhurave vjetore, duke shtuar se po bënte përparim me zëvendësimin e komponentëve të prekur nga sanksionet, falë miliardave që po shpenzon për kërkime.
Të ardhurat e konglomeratit të teknologjisë u rritën me 0.9%, në përputhje me parashikimet e kompanisë, duke treguar se ka arritur një nivel stabiliteti pasi, duke nisur nga 2019-a, kontrollet e eksporteve të SHBA goditën aktivitetin e tij, njëherë e një kohë, i fuqishëm në sektorin e smartphone-ve.
Kompania regjistroi fitim neto 35.6 miliardë juanë (5.18 miliardë dollarë), në rënie me rreth dy të tretat nga viti 2021, kur fitimi u nxit nga shitjet e biznesit të telefonave të fashës së mesme, Honor.
Megjithatë, rënia ishte ende e rëndë nëse krahasohet me vitin 2020 – me tkurrje 44%. Drejtuesit kryesorë folën në një konferencë për shtyp se si ata ishin shtyrë në “një bllokim fatal” dhe “luftuan”, pasi Uashingtoni kufizoi furnizimin e tij me çipa dhe mjete të projektimit të çipave nga kompanitë amerikane.
“2022 është viti kur ne dolëm nga kriza. Tani i jemi rikthyer normalitetit” – tha drejtuesja financiare Meng Wanzhou, vajza e themeluesit të kompanisë.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Huawei përfaqëson një rrezik për sigurinë, të cilin kompania e mohon.
Tensionet me SHBA-në shkaktuan bllokimin e Meng për tre vjet në Kanada, për përpjekjet e supozuara për të mbuluar përpjekjet e kompanive të lidhura me Huawei, për t’i shitur pajisje Iranit në shkelje të sanksioneve të SHBA.
Akuzat kundër Meng u hodhën poshtë dhe ajo u kthye në Kinë në vitin 2021. Huawei e ndërron kryesuesin e saj çdo gjashtë muaj dhe Meng do të marrë drejtimin të shtunën.
Mbështetje ndaj industrisë
Shpenzimet për kërkim dhe zhvillim gjatë vitit u rritën 13.2% në 161.5 miliardë juanë (23.50 miliardë dollarë), e barabartw me një të katërtën e të ardhurave të kompanisë.
Shpenzime të tilla ndihmuan Huawei në zëvendësimin e komponentëve në produktet e saj, që u goditën nga sanksionet tregtare të SHBA-së, tha Meng. Themeluesi Ren Zhengfei tha në shkurt se ata kishin zëvendësuar më shumë se 13,000 pjesë.
Kryetari Eric Xu, tha se ata i shihnin fusha të tilla si zhvillimi i gjelbër, si mundësi dhe po investonin në teknologjinë e gjeneratës 5.5 dhe 6, me shpresën se ata mund të jenë në gjendje të fillojnë të nxjerrin produkte 5.5G deri në vitin 2025.
Xu, i pyetur në lidhje me komentet e fundit në lidhje me përparimet në veglat e automatizimit të dizajnit elektronik (EDA) për çipat e prodhuar në dhe mbi teknologjinë 14 nanometër, tha se kompania e kishte arritur këtë me partnerët e saj dhe kjo do të thotë se Huawei mund të përdorte mjetet e veta EDA për të dizajnuar çipe.
Ashtu si Huawei, industria e gjysmëpërçuesve të Kinës, ka qenë objektivi i masave të kontrollit të eksportit të SHBA-së dhe kompania do t’i mbështesë përpjekjet e industrisë për t’u bërë më e pavarur, tha ai, pa dhënë detaje.
Të ardhurat për vitin 2022 arritën në 642.3 miliardë juanë. Ndërsa kjo përfaqësonte një rritje të butë gjatë vitit 2021, ishte ende shumë më poshtë rekordit prej 891.3 miliardë juanë, të regjistruar në vitin 2019, kur ishte shitësi më i mirë i smartphone-ve Android në nivel global.
Të ardhurat nga divizioni i ndërmarrjeve u rritën me 30%, ato të biznesit të telekomunikacionit u rritën me 0.9%, ndërsa shitjet për biznesin elektronik të konsumatorit ranë 11.9%.
Raporti aktiv ndaj detyrimit të Huawei ishte 58.9% dhe kishte një bilanc neto të parave prej 176.3 miliardë juanë. / Reuters