Kapsula çoi në destinacion dy pasagjerë, në një eksperiment me shkallë të zvogëluar. Ndoshta një ditë, Hyperloop do të përshkojë kilometra të tërë, në pak sekonda
Testi i parë i Hyperloop rezultoi i suksesshëm. Disa ditë më parë, treni hiper i shpejtë në pronësi të Virgin mbërriti në destinacion, duke pasur në bord dy persona – Josh Giegel, Chief Technology Officer dhe bashkëthemeluesi i sipërmarrjes, dhe Sara Luchian, drejtuesja e “passenger experience”. Kjo ishte hera e parë që mjeti i shpejtë transportonte njerëz dhe përvoja ishte futuristike.
Prova në shkretëtirë
Në shkretëtirë, dy hapa larg Las Vegasit, Giegel dhe Luchian u ngjitën në bord, lidhën rripat e sigurimit dhe më pas, vagoni eksperimental, i quajtur Pegasus, hyri në një dhomë dekompresimi. Në këtë pikë të tunelit me presion të ulët, që është zemra e Hyperloop, u krijua boshllëku dhe vagoni (apo kapsula) u nis duke arritur 160 km në orë dhe mbi të gjitha, duke çuar në destinacion e pa probleme, të dy pasagjerët.
Rrugëtimi, i quajtur DevLoop, është një tub me diametër 3.3 metra, i gjatë 500 metra. Ndërsa Pegasus peshon “vetëm” 2,5 tonë dhe është i gjatë 5 metra. Këto eksperimente (deri tani janë kryer 400 dhe gjithnjë pa njerëz në bord) duhet të arrijnë, në një të ardhme, në një shpejtësi maksimale të lejuar nga ky mjet transporti 1.223 km në orë, që tani për tani janë thjesht teorike.
Si lindi Hyperloop
Hyperloop lindi në vitin 2013, nga një koncept i Elon Musk, i cili imagjinonte një mjet transporti që lëvizte brenda një tubi pa ajër. Teknologjia e Hyperloop ka parë disa aktorë në skenë. Sot Hyperloop One është blerë nga kompania e Richard Branson, Virgin.
Synimi, t’i mundë të gjithë
Ndërtimi i kësaj qendre eksperimentale në Las Vegas është mundësuar nga financimi i qindra miliona dollarëve. Puna vijon me një qëllim të vetëm: për ta bërë sistemin të vërtetë dhe për të thyer çdo rekord të arritur deri më tani nga një tren. Deri më sot, në fakt, treni më i shpejtë në botë është Shanghai Maglev, i cili lidh qendrën e qytetit me aeroportin. Ai lëviz me shpejtësi 482 km në orë, duke përdorur pjesërisht teknologjinë Hyperloop. Shanghai Maglev lëviz në shina falë disa magneteve. Por Hyperloop pritet të bëjë hapa të tjerë përpara.
Kushtëzimet
Kushtëzimet janë të shumta, po aq sa pyetjet. Para së gjithash, a do të jetë vërtet i sigurt? Nuk bëhet fjalë vetëm për transportimin e pasagjerëve në “shpejtësi të moderuar” por nëse tunelet, në rast se ndërtohen mbi binarë, mund të përballojnë edhe transportimin e një kamioni. Ekziston mundësia që tunelet të ndërtohen nga e para dhe me shumë gjasa, nën tokë.
Çështja e tretë, qëndrueshmëria ekonomike. Virgin Hyperloop beson kaq shumë te ky projekt dhe po aq, edhe mbështetësit. Sot vagoni çoi në destinacion dy pasagjerë, në një eksperiment me shkallë të zvogëluar. Ndoshta një ditë, Hyperloop do të përshkojë kilometra të tërë në pak sekonda.
Burimi: Corriere della Sera