Për ekspertë të statistikave, ulja e normës së inflacionit është shqetësuese, pasi tregon rënie në nivelin e shpenzimeve, e mbi të gjitha në një periudhë kur kërkohet t´i jepet dinamizëm ekonomisë.
Flet Milva Ekonomi, ish-drejtoreshë e Institutit Shqiptar të Statistikave
A është mirë ky inflacion më i ulët?!
çmimet në përgjithësi caktohen nga një ndërveprim midis kërkesës dhe ofertës. çmimet e një produkti rriten kur ka një kërkesë në rritje për produktin dhe do të vazhdojnë të rriten për aq kohë sa ky nuk plotëson nevojën në treg. Konsumatorët do të shpenzojnë paratë e tyre në treg për ta siguruar produktin, deri në momentin që çmimi i tij do t´ua lejojë këtë, ndërsa prodhuesit do të synojnë të plotësojnë kërkesën e konsumatorëve. Nëse prodhuesit nuk kanë mjaftueshëm gjendje të këtij produkti, do të synojnë të shtojnë prodhimin e tij. Por ky skenar i thjeshtë është i vërtetë atëherë kur ekonomia funksion normalisht. Në këtë rast, prodhuesit do të marrim më shumë punonjës në punë, ose do të rrisin rrogat e atyre që kanë dhe ata me paratë që fitojnë nga rroga do të bëjnë shpenzime në treg. Dhe në këtë skenar, çmimet do të vazhdojnë të rriten në treg për aq kohë sa banka qendrore nuk do të ndërhyjë. Natyrisht, jo për të caktuar çmimin por për të përdorur instrumentet e veta monetare, jo për të ndërhyrë.
Kur çmimet ulen, do të thotë që ka pak kërkesa për këto lloj produktesh dhe kërkesa më e vogël ul prodhimin e tyre dhe ndërmarrje të caktuara fillojnë të prodhojnë më pak. Pakësimi i prodhimit do të thotë më pak para në xhepat e konsumatorëve, pra më pak punë ose rrogë më të vogël.
Edhe pse të dhënat administrative të papunësisë tregojnë se ajo mbetet në nivel 13,25%, matjet e instituteve të pavarura të kërkimit në vend, tregojnë se ajo ka shkuar në nivelin 21%. Ndërsa paga mesatare në sektorin shtetëror nuk ka ndryshuar gjatë vitit 2011, duke qëndruar në nivelin 45,500 lekë/muaj.
Politika monetare e Bankës së Shqipërisë synonte të arrinte dhe të ruante stabilitetin e çmimeve. Në terma sasiorë, me stabilitet çmimesh Banka e Shqipërisë do të kuptonte mbajtjen e inflacionit të çmimeve të konsumit në nivelin 3.0%, me një mundësi luhatjeje prej ± 1 pikë përqindjeje rreth kësaj vlere qendrore. Por, kjo nuk u arrit për vitin 2011. Inflacioni ishte 1,7%.
Konsumatorët patën më pak para në xhepat e tyre dhe blerjet e produkteve ranë. Inflacioni i 2011-s është gati në të gjitha zërat e tij më ulët se ai i 2010-s.
Politika monetare e Bankës së Shqipërisë do të vazhdojë të ketë objektiv këtë normë inflacioni për periudhën 2012-2014 dhe do të vazhdojë të ruajë të njëjtën normë interesi, sepse përndryshe pjesa tjetër e kërkesës së brendshme, që përbëhet nga shpenzimet qeveritare, do të vazhdojë të ulet me shpejtësi, ndërsa qeveria nga ana tjetër po ndërmerr hapa për të ulur borxhin e brendshëm. Por të gjitha këto masa përsëri na lënë në mëdyshje nëse përsëri në vitin 2012, konsumatorët do të kenë më pak para në xhepat dhe kjo do të thotë që konsumi i familjeve shqiptare të vijë duke u ulur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.