Nga Laura Çela
Financimi i bujqësisë në Shqipëri mbetet sfidë në kushtet kur bankat vazhdojnë të shtrëngojnë kriteret e kreditimit. Por, nga ana tjetër, bizneset dhe klientët kërkojnë kredi të buta. Numri i lartë i kredive me probleme dhe ekonomia e brishtë kanë bërë që disa banka të ulin fort kreditimin.
Dega me një rritje të vazhdueshme në kreditimin bankar është bujqësia, e cila ka shënuar një zgjerim me 7% në vitin 2013, kundrejt një viti më parë.
Ky sektor është dhe ndër të paktët në vend që ka vijuar të ketë rritje pozitive edhe gjatë këtyre viteve të krizës ekonomike e kjo edhe si pasojë e programeve ndërqeveritare për kreditim të këtij sektori, përmes sistemit bankar të nivelit të dytë. Megjithatë, bujqësia zë ende një peshë minimale në totalin e kredisë bankare për bizneset, vetëm 2%.
Sektori i cili punëson mbi 50% të fuqisë punëtore shqiptare, kontribuon vetëm 17.5% të PBB-së.
Me fokusin për të siguruar rritje ekonomike të bujqësisë dhe të ekonomisë në tërësi, projekti AgroKapital, financuar nga USAID dhe zbatuar nga CBS (Creative Business Solutions) ka nisur punën “në terren” duke punuar njëkohësisht me bankat e institucionet financiare për të përmirësuar kreditimet për bujqësinë, ashtu si dhe me fermerët dhe agrobiznesin, për të rritur aftësitë menaxhuese për të përthithur më shumë financim.
“Mungesa e planeve reale të biznesit, pasqyrat e jo të rregullta financiare, profesionalizmi i ulët në menaxhimin e sipërmarrjeve bujqësore renditen si arsyet themelore të refuzimit të kreditimit nga bankat në Shqipëri. Këtu, ne me ekspertët tanë ndërhyjmë duke ndihmuar në hartimin e aplikimeve profesionale për kredi të agrobiznesit”, thotë drejtuesi i CBS, Enio Jaco.
Përmes zyrës qendrore në Tiranë dhe degëve rajonale në Fier, Korçë dhe Gjirokastër, ekspertët e CBS ofrojnë këshillim dhe shërbime në sektorin bankar, në shërbime financiare, në sektorët e zhvillimit të bujqësisë, në marketing dhe zhvillim biznesi.
Rritja e financimit ndihmon fermerët dhe agropërpunuesit të rrisin prodhimin, të përmirësojnë teknologjinë, të zgjerojnë biznesin e tyre dhe të hapin vende të reja punësimi. E gjithë kjo pritet të sjellë ndikim pozitiv jo vetëm në ekonominë e bujqësisë, por edhe në ekonominë shqiptare.
CBS ka bashkëpunim me tetë banka kryesore në vend dhe me disa institucione financiare.
Këto produkte janë një inovacion në treg, përmes të cilave nuk kërkohet kolateral për shuma të vogla kredie deri në 1 milion lekë. Organizata mundëson asistencë teknike financiare për klientë agrobiznesi, duke bërë të mundur që ata të financohen nga bankat.
Në pak muaj, përmes bashkëpunimit me bankat, është mundësuar një financim prej 1.8 milionë dollarësh për sipërmarrës në sektorin e bujqësisë.
“Mund të konfirmojnë se ka një interes shumë të madh nga sipërmarrës vendas dhe të huaj për të investuar në këtë sektor. Më tepër se 200 klientë janë takuar gjatë pak muajve dhe kanë përfunduar studime tregu në katër rajone, duke krijuar një databazë të plotë për përfituesit”, – shton z. Jaco.
Vetëm pak ditë më parë, organizata në partneritet me USAID organizuan në Tiranë një tryezë të rrumbullakët me rreth 120 pjesëmarrës, ku të gjithë aktorët u ulën së bashku dhe rrahën mendimet, shtruan problemet dhe mbi të gjitha, propozuan zgjidhje dhe koordinuan punën për rritjen e mundësive të financimit të agrobiznesit.
Përfaqësues të lartë të qeverisë, drejtues të bankave dhe institucioneve financiare, ekspertë, donatorë dhe investitorë, diskutuan mbi mundësitë e reja të financimit, të cilat tashmë i ofrohen agrobiznesit shqiptar, përfshirë mbështetjen nga programi AgroKapital, nga skemat financuese të donatorëve, si dhe nga produktet e reja bankare.
I pranishëm në këtë takim, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti,theksoi rëndësinë e financimit për bujqësinë dhe njëkohësisht të reduktimit të varësisë nga skemat e subvencionit.
“Duhet të ndryshojmë mentalitetin, të heqim dorë nga skemat mbështetëse, nga bujqësia e mbijetesës dhe të ecim drejt investimeve të teknologjisë moderne, përmes financimit nga sektori bankar”, theksoi ministri Panariti.
Panariti
Duhet të ndryshojmë mentalitetin, të heqim dorë nga skemat mbështetëse, nga bujqësia e mbijetesës dhe të ecim drejt investimeve të teknologjisë moderne, përmes financimit nga sektori bankar
Enio Jaçe
Mungesa e planeve reale të biznesit, pasqyrat e jo të rregullta financiare, profesionalizmi i ulët në menaxhimin e sipërmarrjeve bujqësore renditen si arsyet themelore të refuzimit të kreditimit nga bankat në Shqipëri
Rasti
Fatos Liço së bashku me dy vëllezërit e tij, është një sipërmarrës i vogël në sektorin e bujqësisë, i cili, me ambiciet e tij, ka zgjeruar aktivitetin me qëllim rritjen e prodhimit dhe biznesi.
Me një përvojë rreth 15-vjeçare në fushën e bujqësisë, Fatosi ka një agrobiznes në Divjakë, që përfshin prodhim fidanësh në serë, tregtim inputesh bujqësore, magazinim dhe eksport fidanësh perimorë.
Për të zgjeruar aktivitetin me një serë të re moderne me sipërfaqe 3.648 metra katrorë për fidanët perimorë, Fatosi kërkoi mbështetjen e CBS për financimin e sipërmarrjes së tij.
“Përpara tre muajsh, ai kontaktoi ekspertët e CBS për të përfituar nga shërbimet e AgroKapital. CBS hartoi planin e biznesit të tij, e ndihmoi me përgatitjen e dosjes së kredisë sipas parametrave të kërkuara nga banka dhe ai arriti të marrë një kredi prej 500.000 $. Por jo vetëm kaq. CBS vazhdoi të mbështesë Agro-Liço gjatë gjithë fazës së ndërtimit të serës së re, me një teknologji moderne, duke mundësuar lidhjen me një prej kompanive të suksesshme izraelite në këtë fushë”, tregon z. Jaco për “Monitor”.
Më 17 mars, AZHBR dhe GIZ shpallën thirrjen për dorëzimin e aplikimeve të skemës së Granteve IPARD-like2012-2014, e cila bashkëfinancohet nga BE dhe qeveria shqiptare. Afatet janë strikte; 17 mars deri më 2 maj 2014. Kërkesat e aplikimit janë rigoroze.
“Në CBS janë ditë të zhurmshme. Fermerë dhe agropërpunues kërkojnë mbështetje dhe asistencë për plotësimin e saktë të dokumentacionit për të përfituar nga fondet IPARD”, – thotë drejtuesi i organizatës.
Është fakt se gjatë vitit të kaluar kanë mundur të përfitojë një numër shumë i vogël sipërmarrësish nga fondet e IPARD. Shkaku kryesor është vetëm një: fermerët kanë shumë vështirësi në hartimin dhe prezantimin e planeve të detajuara të biznesit, strategjive dhe parashikimeve të tyre.
Impakti
Rritja e investimeve në agrobiznes përmes financimeve, me 18.5 milionë USD
Rritja e xhiros së sipërmarrjeve të mbështetura nga programi, me 28 milionë USD
Gjenerim i mbi 1,150 vendeve të reja pune
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.