Intesa Sanpaolo S.P.A Itali kërkon te BSH transferimin e kapitalit të Veneto Banka sh.a, BQE ka dhënë “ok”

26/10/2017 3:30 PM 0 komente

Në mes të këtij viti Intesa Sanpaolo S.p.A në Shqipëri njoftoi blerjen nga ana e saj të Veneto Banca S.p.A. Pas kalimit të një sërë hallkave që autorizonin këtë transaksion, mes të tjerave Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Konkurrencës, duket se hapi i radhës është ai i bankës mëmë Intesa Sanpaolo S.p.A. Itali. Kjo e fundit ka kërkuar transferimin e zotërimit të të gjithë kapitalit të Veneto Bankës sh.a.

Paraprakisht për këtë veprim është shprehur edhe Banka Qendrore Europiane e cila nuk ka pasur kundërshtime.

Në një njoftim të 25 tetorit Banka e Shqipërisë  jep edhe detajet mbi procedurën.

Bazuar në dispozitat e ligjit nr. 9662, datë 18.12.2006 “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar (ligji për bankat), dhe të rregullores “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe të degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”, miratuar me vendimin nr. 14, datë 11.03.2009 të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, e ndryshuar (rregullorja e licencimit), pranë Bankës e Shqipërisë është paraqitur kërkesa nga Banka Intesa Sanpaolo S.p.A. Itali për miratimin e transferimit të zotërimit të të gjithë kapitalit të Veneto Bankës sh.a. Për realizimin e këtij transaksioni është dhënë moskundërshtimi i Bankës Qendrore Evropiane.

Shqyrtimi i kërkesës dhe i dokumentacionit shoqërues për miratimin e transferimit të kontrollit të Veneto Bankës sh.a., Shqipëri tek Banka Intesa Sanpaolo S.p.A., Itali bëhet në mbështetje të kërkesave të ligjit për bankat dhe të rregullores së licencimit.

Banka e Shqipërisë e bën këtë njoftim në zbatim të kërkesave të rregullores së licencimit

Intesa San Paolo është banka e katërt më e madhe në Shqipëri, sipas aktiveve. Në fund të vitit 2016, totali i aseteve të saj ishte rreth 1.1 miliardë euro, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, apo rreth 11% të totalit të sistemit. Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri, Intesa Sanpaolo është nga më të shëndetshmet dhe më fitimprurëset e sistemit bankar shqiptar. Në vitin 2017, filiali i Shqipërisë raportoi një fitim prej rreth 17 milionë eurosh.

Veneto Banka në Shqipëri kishte një peshë të vogël në sistemin bankar vendas. Ajo renditej e 12-a, me një total aktivesh prej 190 milionë eurosh, apo 1.8% të totalit të sistemit bankar.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of