Bizneset apo personat që kanë akumuluar detyrime tatimore për shumë arsye mund të hyjnë në marrëdhenie korrekte me autoritetin tatimor sipas kësaj procedurë që e ka përcaktuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Administrata tatimore ka autoritetin dhe kompetencat për të mbledhur detyrimet tatimore të papaguara, për të cilat nuk është ushtruar e drejta e ankimit apo kanë kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit administrativ dhe gjyqësor.
Në rast se tatimpaguesi nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, administrata tatimore i dërgon, me postë rekomande, një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit tatimor.
Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar në njoftim brenda 30 ditëve, administrata tatimore, nëpërmjet një urdhri me shkrim, i kërkon çdo banke, ku tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të bllokojë një shumë, e cila mund të jetë:
– shuma që kërkohet të mbahet;
– shuma, që rezulton në atë çast në llogarinë bankare të tatimpaguesit.
Masa tjetër që merret nga administrata për mospagim në afatin e përcaktuar në njoftim, është nëpërmjet sekuestrimit, e më pas konfiskimit, të pasurisë së siguruar në favor të administratës tatimore, në pronësi të tatimpaguesit.
Por kur një rrethanë financiare pengon tatimpaguesin për të paguar plotësisht dhe në afat detyrimet tatimore, ai mund të lidhë marrëveshje pagese me këste.
Në këtë rast tatimpaguesi paraqet një kërkesë me shkrim, për të bërë një marrëveshje pagese me këste.
Kërkesa duhet t’i drejtohet drejtorit të Drejtorisë Rajonale apo drejtuesit të njësive të ngjashme me të dhe duhet të parashtrojë arsyet, që e pengojnë tatimpaguesin për të paguar detyrimet tatimore.
Marrëveshja e pagesës me këste nuk mund të zgjasë më tepër se fundi i vitit kalendarik pasardhës.
Administrata tatimore mund ta refuzojë kërkesën për një marrëveshje pagese me këste ose të kërkojë garanci bankare, para se të hyjë në një marrëveshje të tillë.
Tatimpaguesi duhet të paguajë kamatëvonesë për të gjitha detyrimet tatimore, pagesa e të cilave shtyhet, sipas marrëveshjes së pagesës me këste. Marrëveshja e pagesës me këste nuk mund të zgjasë më tepër se fundi i vitit kalendarik pasardhës.
Rradha e pagesës nis me pagesat e kontributeve të sigurimeve dhe të detyrimeve tatimore bëhen sipas kësaj radhe:
- a) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shëndetësore;
- b) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëmarrësit;
- c) kontributet e detyrueshme suplementare të sigurimeve shoqërore;
ç) kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore të punëdhënësit;
- d) tatimet;
- dh) kamatëvonesat,
- e) gjobat;
ë) kostot administrative.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.