Nga Adrian Haxhiaj*
Shpejtësia supersonike e lajmeve nga të gjitha fushat nëpërmjet qindra kanaleve informativë, e ka zënë publikun të papërgatitur. Veçanërisht në ato vende, si Shqipëria, ku informacionet përçohen të pafiltruara dhe në asnjë lidhje logjike me kontekstin e tyre.
Për teknologjinë, sidomos atë inovative, spekulimet dhe injoranca e fushës përkatëse, po shkakton çorientim dhe në shumë raste, edhe emocione negative artificiale ndaj shpikjeve të reja. Shpesh, guxoj të them, nga injoranca, publiku “ushqehet” me lajme të gënjeshtra dhe histori fantaziste.
Në shumë raste është edhe vetë politika që hedh një lajm si një bombë tymuese, që ashtu e patretur del nga “kanalet” e njohura të shtypit. Edhe sektori i dronëve po vuan nga ky kanibalizëm informativ, duke ngatërruar thelbin dhe fushën e përdorimit të këtyre mjeteve të reja moderne teknologjike.
Sektori publik dhe ai shtetëror, sidomos segmente të rëndësishme të lidhura me sigurinë publike, siç është Ministria e Rendit, ka filluar ta përpunojë më seriozisht futjen e dronëve në arsenalin e forcave operative. Nivele specifike në këtë institucion janë të mirinformuar për efektin pozitiv që kanë dronët në përmirësimin cilësor të operacioneve dhe aksioneve të përditshme. Por, ky informacion është i pakoordinuar dhe i thithur pa ndonjë koncept konkret.
Thjesht janë informacione për të cilat dikush është më kureshtar dhe dikush tjetër i ka marrë nga bisedat sporadike ose nga ndonjë mik që merret me dronët. Ky moskoordinim dhe listë dëshirash, që diskutohet herë pas here në këtë institucion, ka si pasojë që çdo bisedë ose deklaratë për përdorimin dhe kapacitetet e dronëve, “vidhet” nga gazetarët dhe përçohet i pagatuar për lexuesit.
Kjo mjafton për disa klikime dhe tashmë publiku është informuar që nesër secili nga ne do të kontrollohet non-stop nga ajri. Aq më mirë, tani do kemi edhe një trafik të kontrolluar dhe asnjë nuk do të guxojë të shkelë rregullat, pasi dronët kanë filmuar gjithçka dhe gjoba është nisur me postë në adresën tuaj. Kjo është një dëshirë e mirë, por hyn në utopi. Dhe shteti, që ndërtohet mbi fantazi utopiste, është në rrugë pa krye.
Mjegullnajës informative i shtohet edhe pasiviteti lapidar i institucioneve përkatëse të fushës së aviacionit. Ministria përkatëse dhe Autoriteti i Aviacionit Civil. Të dy këto instanca vendimmarrëse janë përgjegjës për përgatitjen e terrenit juridik dhe informativ për sektorin e dronëve.
Deri para pak vitesh, dronët në botë konsideroheshin si lodra fëmijësh. Në Shqipëri, ky perceptim vazhdon ende. Ndërkohë kanë mbetur shumë pak vende që nuk i kanë marrë në konsideratë efektet e përdorimit të dronëve civilë për shërbime të ndryshme. Dhe pothuajse të gjitha vendet në botë po adaptojnë legjislacionin përkatës.
Impakti negativ që Shqipëria nuk ka ende një rregullore ose normativë rregulluese për dronët, nuk është vetëm “dorëzimi” i kësaj tematike spekulantëve të shtypit, por është edhe një sinjal negativ ndaj partnerëve ndërkombëtarë, qoftë institucione të fushës së aviacionit, qoftë edhe investitorëve dhe prodhuesve që do të ishin të interesuar të hynin në tregun shqiptar.
Ky vakum juridik, ka mundësuar shtimin e “kërpudhave” tregtare të cilat shesin dronë aty ku munden, si të ishin lodra dhe blerësi përfundimtar është i lirë ta përdorë dronin si të dojë dhe sa fuqi të kenë bateritë. Këtu hyjnë forcat e rendit, kompani matëse gjeodezie, kompani ndërtimi, bashki, zjarrfikëse, televizione private etj., e deri tek zyra e marrëdhënieve për publikun e Kryeministrisë.
Duke e ndier shijen e mirë të shitjes në këtë formë të dronëve, shumë nga këta tregtarë pretendojnë të kenë edhe licencën përkatëse për trajnimin e blerësve thjesht pasi kanë marrë një “patentë” diku në Europë e cila merret për 30 euro online. Po që nuk të garanton kapacitetin e mësimdhënies. Për më tepër, në BE nuk ka ende licencim dhe certifikim për mësimdhënie në fushën e dronëve.
Dhe provimin përkatës, bashkë me lejen e fluturimit, e jep ekskluzivisht autoriteti i aviacionit civil. Prandaj pasiviteti i Autoritetit Shqiptar të Aviacionit Civil, bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës, kanë krijuar një trekëndësh Bermude juridik, ku gëlojnë spekulantët.
Megjithëse ka përpjekje dashamirëse për të hapur këtë tematikë në një spektër më të gjerë, me synimin e shfrytëzimit të momentit dhe futjen e teknologjive të reja, ambienti mediatik dhe ai i institucioneve përgjegjëse janë ende në kakofoni.
Nuk është e justifikueshme që për një sektor ku në vitet e ardhshme bota do të investojë miliarda, në Shqipëri të konsiderohet si luks i tepërt. Të paktën të fillojë orientimi juridik dhe rregullativ, që edhe publiku të edukohet me normat dhe informacionet përkatëse
Krijimi së fundmi i shoqatës së parë të dronëve në Shqipëri – “Albanian Drone Association”, mund të kanalizojë këtë tematikë në një rrugë më profesionale dhe mund të jetë një platformë e mirë informative për të interesuarit.
*Konsulent në fushën e Telekomunikacionit dhe Dronëve
Anëtar i Bordit Drejtues të Shoqatës Shqiptare të Dronëve (www.albanian-drone.com)
Anëtar dhe bashkëpunëtor i Shoqatës së UAS në Gjermani UAVDACH (www.uavdach.org).
Anëtar i shoqatës më të madhe në SHBA, AUVSI (www.auvsi.org)
Anëtar i shoqatës CIVATAGLOBAL e përkushtuar në fushën e UAM (Urban Air Mobility) https://www.civataglobal.org/
Anëtar i shoqatës JEDA – Joint European Drone Associations.