Diskutimeve të shumta, ndoshta të tepërta mbi fshatin turistik, që pritet të ndërtohet në Kakome, duket sikur u erdhi fundi. Me vendimin më të fundit të KKRRTSH-së, në takimin e radhës, të kryesuar prej Kryeministrit Nano, të mbajtur javën e kaluar, duket se përfundimisht iu hap rruga kryerjes së një investimi jo të vogël në fushën e turizmit. Shpresa është e madhe dhe prandaj edhe shoqëria, që do të marrë përsipër ndërtimin e këtij fshati turistik, nuk mund ta kalonte në heshtje ngjarjen. Një festë me përmasa relativisht të mëdha u organizua për kënaqësinë e këtij vendimi. Tashmë mendohet se turizmi në Shqipëri po fillon të fitojë përmasat dhe tiparet e një industrie, që do të bëhet mbështetëse e zhvillimit ekonomik të vendit. Por¦ si gjithmonë në mjaft prej rasteve që kanë të bëjnë me investime të përmasave të tilla, mjaft por-e dhe jo pak probleme duket se i shoqërojnë. Përsëri del në pah një konflikt i vjetër dhe po aq i ri në Shqipëri: konflikti pronarë të vjetër, pronarë të rinj, shtet, investitorë. Ka grupe njerëzish që pretendojnë pronësinë mbi truallin, ku pritet të ndërtohet fshati turistik dhe për pasojë shprehen se nuk do të lejojnë, që në pronat e tyre të veprohet pa pëlqimin e tyre. Grupet e pronarëve të pretenduar guxuan madje të bllokojnë edhe segmentin e rrugës nacionale në afërsi të tyre. Një formë proteste tepër e përhapur në vend prej vitit 1997, për të rritur shkallën e dëgjimit të zërit të protestuesve. Megjithatë, me një qëndrim gjakftohtë dhe të vendosur KKRRTSH-ja vendosi ndërtimin e fshatit turistik të Kakomesë. Pyetja që shtrohet është: cili do të jetë fati i mëtejshëm i këtij projekti? Do të arrijë të zbatohet ai? Nëse po, sa shpejt do të zbatohet ky projekt, çfarë problemesh mund ta shoqërojnë, ç lloj konfliktesh të tjera mund të krijohen etj., etj.? Me pak fjalë, a do të përsëritet historia e aeroportit të Kukësit edhe në Kakome. Sepse janë mjaft të ngjashme, sidomos zemërimi i pronarëve të pretenduar. Dhe nëse nuk veprohet me korrektësi dhe transparencë prej autoriteteve përkatëse shtetërore, nuk do të jetë e lehtë as për investitorin të ballafaqohet me banorët e zemëruar, sado fitimprurës të jetë projekti për të. Në fund të fundit një gjë ka rëndësi, ekonomia shqiptare me copëza, arëza e rrugëza nuk zhvillohet. Konfliktet e pronave të pashuara prej ligjeve të çuditshme, që u miratuan në këto vite tranzicioni, për t u zbutur dhe shuar kërkojnë korrektësi, shpjegim dhe jo burokraci. Sidoqë të jetë, indiferenca e shfaqur në rastin e aeroportit të Kukësit nuk duhet të përsëritet në Kakome.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.