Kampusi i ri universitar/ Qeveria cakton procedurën. Do e realizojë bashkia e Tiranës

30/01/2020 10:48 AM 0 komente

Korpusi i ri universitar do të ndërtohet me koncesion. Këshilli i ministrave ka miratuar një vendim, të firmosur nga zëvendëskryeministri Erjon Brace, përmes të cilit autorizon bashkinë e Tiranës si autoritet kontraktor për të dhënë me koncesion tre vepra publike.

Ato janë ndërtimi i kampusit të ri universitar, ndërtimi i universitetit të arteve dhe ai i akademisë së policisë.

Sipas vendimit të qeverisë, e gjithë procedura për dhënien e këtyre koncesioneve do të ndiqet nga një komision i posaçëm me 9 anëtarë, ku pjesa më e madhe do të jenë nga bashkia e Tiranës, ndërsa të tjerët nga agjencia e trajtimit të koncesioneve, ministria e arsimit dhe ajo e financave.

Skema e koncesionit do të jetë ajo me mbështetje buxhetore. Pra privatët i ndërtojnë objektet me paratë e tyre dhe më pas qeveria i shlyen me këste për disa vjet.

Aktualisht bashkia e Tiranës ka një koncesion të ngjashëm, që është ai i ndërtimit të 17 shkollave publike në kryeqytet. Në rastin e shkollave pagesa për privatët financohet nga një taksë e posaçme, e ashtuquajtur taksa e infrastrukturës arsimore, e cila paguhet nga qytetarët dhe biznesi.

Por për ndërtimin e kampusit, universitetit të arteve dhe akademisë së policisë, pagesat do të financohen drejtpërdrejtë nga buxheti I shtetit. Ndaj në vendim, qeveria ka ngarkuar ministrinë e financave të miratojë paraprakisht projektet dhe të vlerësojë impaktet e tyre financiare në buxhet.

Dy muaj më parë, pas tërmetit të fuqishëm 26 nëntorit, qeveria dhe bashkia shembën disa konvikte në qytetin studenti dhe në Kamëz, të cilat ishin kryesisht të banuara nga familjarë. Tashmë këto godina do të rindërtohen përmes dhënies me koncesion, nga kompania private që do të përzgjidhet.

Top Channel

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of