Para disa orësh, Warren Buffett festoi ditëlindjen e tij të 89-të. Ai ka lindur më 30 gusht 1930 në Omaha, qytet në Nebraska, ku ai ende jeton dhe ku ndodhet selia e Berkshire Hathaway të cilën e drejton prej shumë vitesh.
Buffet renditet i treti në klasifikimin e miliarderëve më të pasur në botë, i hartuar nga Forbes (pasuria e tij arrin në 79,7 miliardë dollarë). Me pak fjalë, gjatë 89 viteve të jetës, Buffett ka ditur ta përdorë mirë kohën e tij, të paktën nga pikëpamja financiare.
Që në vitet ‘70, Buffet u dërgoi aksionerëve të Berkshire Hathaway një letër me disa rezultate të bilancit të vitit të kaluar, gjithnjë me shumë vizione, jo vetëm për situatën ekonomike, por edhe me këshilla dhe ide mbi shumë aspekte të jetës.
Shumë prej tyre i referohen përdorimit të kohës, mbi të gjitha nga pikëpamja e investitorit, por jo vetëm.
Më poshtë është një përzgjedhje e disa prej tyre…
“Nëse arrini në moshën time dhe askush nuk mendon mirë për ty, nuk ka rëndësi se sa është llogaria juaj bankare, jeta juaj është një fatkeqësi”.
“Duhen 20 vjet për të ndërtuar një reputacion dhe pesë minuta për ta shkatërruar atë. Nëse mendoni për këtë, do t’i bëni gjërat ndryshe”.
“Periudha jonë e preferuar e mbajtjes (së një investimi) është përgjithmonë”.
“Dikush sot është ulur në hije, pasi dikush tjetër ka mbjellë një pemë shumë kohë më parë”.
“Në botën e biznesit, pasqyra për të parë pas është gjithnjë më e qartë se xhami që shikon përpara”.
“Investimi i suksesshëm kërkon kohë, disiplinë dhe durim. Nuk ka rëndësi se sa i madh është talenti apo përpjekja juaj, disa gjëra kërkojnë veç kohë: ju nuk mund të bëni një fëmijë në një muaj, duke lënë shtatzënë nëntë gra”.
“Unë lexoj dhe mendoj shumë dhe marr më pak vendime impulsive krahasuar me pjesën më të madhe të njerëzve të biznesit. Këtë e bëj sepse më pëlqen ky stil jete”.
“Investimi më i rëndësishëm që mund të bëni është te vetja”
“Këmbëngul në nevojën që të kalojmë shumë kohë, thuajse çdo ditë, ulur, duke menduar. Kjo është diçka e pazakontë për kompanitë amerikane”.
Burimi: Forbes