Komisioni Europian ka miratuar një masë bullgare prej rreth 400 milionë eurosh (800 milionë BGN), për të mbështetur furnizuesin publik të gazit natyror në Bullgari, Bulgargaz EAD, në kushtet e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Masa u miratua sipas Kornizës së Përkohshme të Krizave të Ndihmës Shtetërore, e vendosur nga Komisioni më 23 mars 2022, mbështetur në nenin 107(3)(b) të Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Europian (“TFEU”), duke pranuar se ekonomia e BE-së po përjeton një shqetësim serioz.
Ky nen ishte ndryshuar më 20 korrik 2022. Kuadri i Përkohshëm i Krizave u ndryshua sërish më 28 tetor 2022 dhe u zëvendësua nga Korniza e Përkohshme e Krizave dhe Tranzicionit, miratuar nga Komisioni më 9 mars 2023, për të mbështetur masat në sektorë që janë kyçë në përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe për uljen e varësisë nga karburantet.
Masa bullgare
Në kuadër të Kornizës së Përkohshme të Krizave, Bullgaria e njoftoi Komisionin për një masë me vlerë rreth 400 milionë euro (800 milionë BGN), për të mbështetur kompaninë Bulgargaz EAD, në kushtet e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Bulgargaz EAD është furnizuesi publik ekskluziv i gazit natyror në Bullgari, në pronësi të plotë të shtetit bullgar. Për shkak se Rusia pezulloi kontratën afatgjatë të Bulgargaz EAD me Gazprom Export OOO, e cila mbulonte 90% të sasive të gazit natyror të mundësuar nga Bulgargaz EAD për klientët, kompania u përball me nevoja të pazakonta për likuiditet, për të siguruar furnizimin me gaz natyror, në rrethanat e rritjes së çmimeve të gazit në tregjet europiane të energjisë.
Sipas kësaj mase, ndihma merr formën e një kredie me norma interesi të subvencionuara, të dhëna nga Ministria Bullgare e Energjisë.
Komisioni konstatoi se masa bullgare është në përputhje me kushtet e përcaktuara në Kornizën e Përkohshme të Krizave. Kredia e subvencionuar
(i) është dhënë para datës 31 dhjetor 2022;
(ii) mbulon nevojat urgjente të likuiditetit për qëllime të kapitalit qarkullues;
(iii) ka një maturim prej 3 vjetësh; dhe (iv) ka norma interesi që respektojnë nivelet minimale të përcaktuara në Kuadrin e Përkohshëm të Krizave.
Komisioni arriti në përfundimin se masa bullgare ishte e nevojshme, e përshtatshme dhe e përpjesshme për të korrigjuar një shqetësim serioz në ekonominë e një shteti anëtar, në përputhje me nenin 107(3)(b) TFEU dhe kushtet e përcaktuara në Kornizën e Përkohshme të Krizave.
Mbi këtë bazë, Komisioni miratoi masën e ndihmës sipas rregullave të BE-së për ndihmën shtetërore.
Sfondi
Korniza e Përkohshme e Krizave të Ndihmës Shtetërore, e miratuar më 23 mars 2022, u mundësoi shteteve anëtare të përdorin elasticitetin e parashikuar në rregullat e ndihmës shtetërore për të mbështetur ekonominë në kushtet e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Korniza e Përkohshme e Krizave është ndryshuar më 20 korrik 2022, për të plotësuar Paketën e Gazit për një Dimër të Sigurt dhe në përputhje me objektivat e planit REPowerEU.
Korniza e Përkohshme e Krizave është ndryshuar më tej më 28 tetor 2022, në përputhje me rregulloren për një ndërhyrje urgjente për të adresuar çmimet e larta të energjisë dhe rregulloren që rrit solidaritetin, nëpërmjet koordinimit më të mirë të blerjeve të gazit, standardeve të besueshme të çmimeve dhe shkëmbimeve të gazit përtej kufijve.