Aktiviteti i shoqërive të kursim-kreditit ka arritur nivele dyshifrore të rritjes gjatë këtij viti.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në mesin e këtij viti arriti vlerën e 12.8 miliardë lekëve ose rreth 105 milionë eurove. Krahasuar me një vit më parë, aktivet e tregut janë zgjeruar me 11.3%. Segmenti i SHKK-ve, ashtu si gjithë tregu financiar në përgjithësi, e kaloi shpejt efektin e pandemisë dhe arriti ta mbyllte vitin e kaluar me rritje 6.3%. Këtë vit, rimëkëmbja në masë të madhe e aktivitetit ekonomik ka bërë që rritja të përshpejtohet më tej.
SHKK-të ose kooperativat financiare funksionojnë si institucione me bazë anëtarësimi, kryesisht në nivel lokal, ku anëtarët mund të vendosin depozita dhe të marrin kredi. Ky segment ka përmasa mjaft të vogla, sa rreth 0.8% e aktiveve të sektorit bankar.
Megjithatë, modeli i SHKK-ve është shumë i rëndësishëm për financimin e kategorive shoqërore që kanë akses të kufizuar në sektorin bankar, sidomos për fermerët dhe bizneset e vogla në zonat rurale. Ato janë provuar deri tani si një nga modelet më efikase të financimit të bujqësisë.
Kredhënia për anëtarët përbën edhe kolonën kryesore në bilancin e sektorit, me 70% të totalit të aktiveve. Portofoli i kredisë të dhënë nga SHKK-të në fund të muajit qershor të këtij viti arriti në pothuajse 9 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë.
Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në fund të shtatorit, depozitat përbënin më shumë 73% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë ato prekën shifrën e 9.2 miliardë lekëve, në rritje me 8.5% me bazë vjetore. Rritja e depozitave të SHKK-ve ka një normë rritjeje të përafërt me depozitat bankare. Por, ndryshe nga sa ndodh në sistemin bankar, struktura e depozitave të SHKK-ve dominohet nga leku. Në mesin e këtij viti, mbi 83% e depozitave totale pranë këtyre institucioneve ishin në monedhën vendase.
Rritja e depozitave të SHKK-ve vitet e fundit është mbështetur edhe nga përfshirja e tyre në skemën e sigurimit të depozitave, që prej vitit 2017. Sipas ligjit, depozitat pranë SHKK-ve janë të siguruara deri në vlerën e dy milionë lekëve. Për t’u anëtarësuar në skemë, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Por, duke qenë institucione të vogla lokale dhe me kapacitete të kufizuara njerëzore dhe financiare, shpeshherë plotësimi i kritereve rezulton i vështirë, ndaj një pjesë e SHKK-ve ende nuk janë anëtarësuar në skemën e sigurimit të depozitave, sipas kërkesave ligjore.
Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) raporton deri tani tetë SHKK të anëtarësuara zyrtarisht në këtë skemë, ndërsa numri i SHKK-ve të licencuara, sipas Bankës së Shqipërisë, është 16. /E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.