Alexander Kosenas – Drejtor Ekzekutiv i “Neptun”
Kufizimi i plotë i qarkullimit me makina dhe i pjesshëm i qarkullimit në këmbë në kushtet e karantinimit të plotë të popullatës ka bërë që një pjesë e konsumatorëve të ndryshojnë qasje për blerjet që bëjnë. Së pari, është forma në të cilën kryhen këto blerje, që është totalisht online.
Së dyti, edhe kategoritë e produkteve që blejnë. Alexander Kosenas, drejtor ekzekutiv i “Neptun”, shprehet se konsumatorët po mundohen të krijojnë kushtet e përshtatshme në karantinim, çka ka sjellë rritje të shitjes së televizorëve Smart, të peshoreve, matësve të aktivitetit sportiv apo fshesave me korrent e lavatriçeve.
Pas masave të reja të shpallura, ne vumë re një ndryshim të zakoneve të blerjeve të klientëve në favor të medikamenteve, ushqimeve dhe prodhimeve të bulmetit. Konsumatorët, të udhëhequr nga paniku që po krijon karantina, kaluan te blerjet masive nëpër supermarkete dhe farmaci.
Çdo sektor tjetër i shitjeve me pakicë (retail) si ne, udhëtimet dhe turizmi, eventet kulturore, produktet për argëtim gjatë kohës së lirë, etj., po përballen me rënie domethënëse në periudhën afatshkurtër të xhiros gjatë kësaj periudhe.
Njerëzit po kalojnë më shumë kohë në shtëpi me familjet e tyre dhe po e përshtasin sjelljen e tyre të të blerit. Për rrjedhojë është vënë re një rritje e madhe në blerjet online dhe në përdorimin e shërbimeve të dërgesave në shtëpi. Ka një mundësi të madhe që këto ndryshime të kthehen në një normalitet të ri. Sidomos përdorimi i e-commerce dhe i shërbimit të dërgesave në shtëpi pritet që të bëhet pjesë e jetës së konsumatorit shqiptar në përfundim të masave.
Përveç produkteve mjekësore dhe atyre për përdorim të përditshëm, cilat kategori të tjera kanë pasur kërkesë në këtë periudhë?
Siç thashë më lart, gjithçka ka të bëjë me përshtatjen ndaj nevojave të reja. Duke qenë se njerëzit kalojnë më tepër orë në shtëpi, ata përdorin më tepër media pamore, kështu që ka pasur një rritje të televizorëve SMART, lojërave elektronike dhe tabletëve. Ata gjithashtu bëjnë më tepër ushtrime fizike në shtëpi, kështu që ka më tepër kërkesa në kategori si matës të aktivitetit fizik, peshore dhe pajisje të ushtrimeve fizike për përdorim shtëpiak.
Nga ana tjetër, njerëzit kalojnë më tepër kohë duke pastruar shtëpinë, për këtë arsye ne kemi vënë re një rritje të shitjeve në kategori si detergjentët, fshesat me korrent, lavatriçet. Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, ata kalojnë më tepër kohë duke gatuar e duke pjekur, kështu që pajisjet e vogla për kuzhinë, makineria për kafe ekspres dhe aksesorët e gatimit janë tepër të kërkuara.
Shumë kompani kanë vendosur të punojnë nga shtëpia, duke bërë një punë smart. Cilat kanë qenë shitjet dhe kërkesat për produkte të tilla si laptop-e, videokamera, kufje, tableta etj.?
Me COVID-19, që i detyroi njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, shumë sipërmarrje papritur u detyruan të përshtasin një lloj pune tërësisht të re. Që prej ditës së parë, ne e dërguam 100% të stafit administrativ që të punojë në shtëpi dhe kjo lipsi pajisje shtesë për punonjësit, në mënyrë që të vazhdonin rutinën e punës. Gjatë kësaj periudhe, ne kemi vënë re një kërkesë në rritje për laptopë, printerë, aksesorë dhe pajisje të tjera për përdorim të përditshëm, çka tregon që shumë kompani nuk ishin të përgatitura për punën nga larg, për këtë arsye, ne kemi krijuar paketa të reja për biznesin në mënyrë që t’u bëjmë ballë këtyre kërkesave.
Prania jonë dixhitale është vazhdimi i dyqaneve fizike. Aktualisht ne jemi në proces të një transformimi dixhital, që përfshin investime në përditësimin e fazës së internetit, duke krijuar aplikacione lehtësisht të përdorshme për përdoruesit dhe duke prezantuar qasjen e një kanali të unifikuar komunikimi për klientët tanë, çka në fakt do ta bëjë njësoj si blerjen e tyre në dyqan, ashtu edhe atë online. Brenda majit 2020, ne kemi planifikuar të prezantojmë faqen e re të internetit, me shumë përmirësime në funksionalitetet e blerjes.
Sot, duke ju përgjigjur edhe situatës, ne ofrojmë një mënyrë shumë fleksibël të blerjeve online, e cila mund të angazhojë lehtësisht edhe njerëzit pa asnjë përvojë të mëparshme online. Një blerje nuk kërkon më shumë se 2 minuta dhe ne kemi publikuar në rrjetet tona sociale udhëzues të dobishëm për këtë qëllim. Megjithatë, për ata që nuk ndihen rehat që të kryejnë një proces online mund ta bëjnë porosinë me telefon.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.